Problemet e arsimit në Vlorë, kopshtet, emërimet pa kriter dhe tekstet shkollore

819
Sigal

INTERVISTË/ Ekskluzive për “Telegraf” me Docent Ermal Xhelili, Drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale në Vlorë

Problematika e arsimit është tej mase e zgjeruar, por pavarësisht masave të marra sërish gjendja nuk është në parametrat e duhur. E njëjta situatë është edhe në qytetin e Vlorës, ku në një intervistë për “Telegraf”, Docent Ermal Xhelili shpjegon të gjithë gjendjen.

Z. Xhelili, vitin e ri mësimor e keni filluar me rikonstruksionin e zyrave, përse në këtë periudhë, nuk pengon kjo sadopak punët e fillim-vitit?

Sikurse jeni në dijeni, godinat e Drejtorisë Arsimore në Vlorë, po i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë, që ka nisur në muajin gusht. Sipas projektit dhe firmës fituese të ndërtimit, puna do të përfundojë në dhjetor të këtij viti. Sigurisht, kohëzgjatja  si dhe koha kur fillojë dhe do të mbarojnë punimet, nuk varet nga ne, por ka qenë e përcaktuar në procedurat e tenderit të zhvilluar gjatë muajve mars-maj të këtij viti, kjo e bazuar në procedurat ligjore dhe fondet që ka dërguar MASH. Jo pse duhet t’i shmangem përgjegjësisë, por dua të saktësoj, që kur unë jam emëruar drejtori i DAR në Vlorë, në fund të muajit prill, procedurat e konstruksionit kishin filluar. Kësisoj, institucioni i drejtorit, po zbaton procedurat dhe elementët projektues, që ishin përcaktuar më parë.

Çfarë problemesh  ju dalin nga fillimi i vitit të ri shkollor?

Në tërësi kemi një fillim të mbarë, por nuk mund të mohoj që në disa shkolla në zonat rurale, ka edhe mangësi, si nga aspekti infrastrukturor, furnizimin me libra etj.. Që nga dita e parë e fillim-vitit, Drejtoria Arsimore në Vlorë, ka bërë përpjekjet për t’i minimizuar problemet, kjo duke bashkëpunuar me MASH. Dihet që problemet që kanë të bëjnë me infrastrukturën kanë të bëjnë me pushtetin lokal dhe ajo çfarë kemi mundur të bëjmë është ngritja e zërit, për të sjellë normalitetin në shkolla, sa më shpejt të jetë e mundur.

Cila është gjendja e shkollave, pasi një vit më parë, ka pasur shumë mangësi z. Xhelili?

Drejtoria jonë arsimore ka në juridiksion të saj 83 shkolla 9-vjeccare, 20 shkolla të mesme të përgjithshme dhe 3 shkolla profesionale. Në qytetin e Vlorës, të gjitha shkollat i janë nënshtruar rikonstruksioneve, diku të plota, diku të pjesshme, çka  kanë sjellë si rezultat një infrastrukturë të kënaqshme në shkolla.

Ka zëra z. Xhelili se nxënësit nuk janë pajisur me libra, madje ka prindër që nuk i përballojnë shpenzimet. E njihni gjendjen, cili është komenti juaj?

Nuk mund ta quaj problematike, pajisjen e nxënësve me libra, sikurse nuk mund të fsheh faktin se kjo procedurë nuk është e lehtë për të kryer, pasi përfshihet një numër i madh nxënësish, shkollash, tekstesh dhe shtëpi botimi. Në këtë kontekst kemi pasur mangësi me pajisjen e teksteve, që vijnë nga shtëpitë botuese dhe që shpërndahen nëpër shkolla. Në dijeninë tonë, nuk janë evidentuar raste, që të mos jenë tërhequr librat nga prindërit, për mungesë të hollash. Ndërkaq, dua të theksoj se për fëmijët romë, bazuar në politikat arsimore qeverisëse, librat dhe tekstet, janë bërë falas.

Flitet se Drejtoria Arsimore e Vlorës, ka bërë emërime pa kriter, ndërkohë që është një armatë e madhe të diplomuarish, që presin të fillojnë punë. Cila është situata?

MASH, është institucioni qendror përgjegjës që përcakton numrin e punonjësve arsimor dhe jo arsimor në arsimin parauniversitar në nivel rajonal. Në bazë të numrit të miratuar nga MASH, janë 2000 punonjës mësimor dhe jo mësimor, që aktualisht janë punësuar në institucionet arsimore parauniversitare në rrethin e Vlorës. Lëvizjet dhe emërimet e mësuesve nga ana e drejtorisë sonë, për këtë fillim viti, kanë qenë minimale. Kjo, jo vetëm për faktin se nuk ka ndryshuar numri i miratuar nga MASH, krahasuar me një vit më parë, por edhe për faktin se Drejtoria Arsimore e Vlorës, në bazë të politikave arsimore kombëtare dhe rajonale, po vepron në mënyrë të matur, që lëvizjet dhe emërimet e reja, të bazohen në nevojat reale, që ka arsimi rajonal, duke u bazuar në kontributin, aftësinë dhe profesionalizmin e stafit mësimdhënës aktual.

Sa dhe si ndiqet procesi mësimor-edukativ në kopshtet që keni në vartësi. Problemet që kanë për kushtet, që varen nga pushtetit vendor?

Në juridiksionin tonë janë 16 kopshte, të cilave u kemi kushtuar një vëmendje të veçantë. Në qytet pjesa dërmuese janë rikonstrukturuar, pajisur me mobileri dhe mjete didaktike mësimore, ndërsa nuk mund të mohohet, që në zonat rurale kemi probleme si përsa i përket gjendjes së godinave, ashtu edhe mësimdhënien. Ne po bashkëpunojmë me pushtetin vendor që këto institucione të rëndësishme arsimore, të arrijnë së paku një nivel të pranueshëm.

Një pyetje e fundit për ju, pasi jeni i ri në këtë detyrë dhe prononcoheni për herë të parë tek “Telegraf”. Cila është karriera juaj?

Prej 10 vjetësh jam angazhuar në mënyrë konstante në fushën akademike dhe mbaj titullin akademik Docent. Gjatë këtyre viteve kam ushtruar detyrën e pedagogut, zv. Dekanit dhe së fundmi të Dekanit, në Fakultetin e Shkencave Teknike në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Po kështu kam qenë pjesë e grupeve të kërkimit shkencor dhe akademik në arsimin universitar si dhe anëtar këshilli fakulteti. Kam kryer studime universitare dhe pasuniversitare në Shqipëri, Turqi, SHBA, Japoni dhe së fundmi kam përfunduar me sukses studimet 2 vjeçare, Master-Shkencor në Suedi dhe aktualisht, jam në fazën e përfundimit të Doktoraturës në Universitetin e Tiranës. Jam autor i më shumë se 15 botimeve shkencore në Suedi, Turqi, Rumani, Kroaci, Itali etj..

Korrespondentja e Vlorës