Probleme me sistemin e aspirimit, përfshihet nga flakët apartamenti në një pallat në Elbasan

Një vatër zjarri është shfaqur në një apartament në një pallat te vjetër në lagjen 5 Maji në Elbasan duke shkaktuar panik tek banorët.

Sigal

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur dy automjete të shërbimit zjarrfikës, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi për neutralizimin e flakëve. Falë reagimit të menjëhershëm, situata është vënë nën kontroll brenda pak minutash.

Nga verifikimet paraprake rezulton se shkak i incidentit ka qenë një problem në sistemin e aspirimit në apartament. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar dhe familjarët kanë qenë jashtë rrezikut.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar me pajisjet shtëpiake për të shmangur raste të ngjashme.