Sigal

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut të njohur Flamur Tartari.

Në një mesazh në Facebook, Presidenti Meta shkruan: “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të mjekut të shquar dhe të devotshëm, kirurgut Flamur Tartari, intelektualit aktiv dhe të pashkëputur për asnjë çast nga detyra fisnike së cilës i kushtoi gjithë jetën, me humanizëm, modesti e dashuri.

Kontributi i tij në fushën e mjekësisë spikat dhe me botimin e një sërë veprave të rëndësishme kushtuar shkencës së urologjisë dhe njerëzve të shquar të humanizmit dhe të mjekësisë shqiptare.

Duke ndarë me ju dhimbjen e thellë për humbjen e këtij mjeku të veçantë, i përcjell ngushëllimet më të thella të gjithë familjarëve dhe të afërmëve të tij e njëkohësisht gjithë bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të të ndjerit Tartari.

Iu prehtë shpirti në paqe!”.