Presidenti Meta pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, z. Đorđe Radulović

188
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, z. Đorđe Radulović.

Presidenti Meta e përgëzoi z.Radulović për përparimin, që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.

Gjatë takimit, Presidenti Meta shprehu dëshirën që bashkëpunimi i mirë që ekziston midis dy vendeve të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Presidenti Meta theksoi se partneriteti në NATO duhet të frymëzojë marrëdhënie më të ngushta dhe të afërta ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe se të dy qeveritë i kanë të gjitha mundësitë ta modelojnë këtë bashkëpunim në përçim të vlerave më të mira të Aleancës.

Presidenti Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar në Mal të Zi vazhdon të kontribuojë pozitivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha proceset demokratizuese dhe zhvillimore, duke qenë faktor kyç për qasjen euro-atlantike dhe europiane të vendit.