Duke analizuar një nga frazat më të njohura të Migjenit, “Grusht ndaj malit që s’bzan”, Presidenti Ilir Meta në 82 vjetorin e ndarjes së poetit nga jeta, thekson se sot ky simbol është demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit dhe degradimi i shoqërisë.
Ai thekson se grushti Migjenian ndaj malit që s’bzan, është ende një kryesimbol.
Meta thotë se vetëm një personalitet i madh si Moikom Zeqo, mund t’i analizonte kaq mjeshtërisht simbolikat e forta të kryeveprave të Migjenit, duke shkëputur disa prej tyre.
Postimi i plotë i Presidentit Meta:
Në 82-vjetorin e kalimit në përjetësi të poetit kombëtar, Migjeni, vetëm një personalitet i madh, si i paharruari Moikom Zeqo, mund t’i analizonte kaq mjeshtërisht simbolikat e forta të kryeveprave të Tij:
“O, si nuk kam një grusht të fortë” – kjo thirrje e apostrofuar e Migjenit është e shumëkuptimshme.
Migjeni flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore, prapambetje e mendësisë së gurëzuar…
Sa intelektualë shqiptarë, fatkeqësisht, turpërisht, përsëritën servilizmin ritual, duke përdhosur kështu vetveten.
Mali që s’bzan!
Sot ky mal është demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit, degradimi i shoqërisë, përdhosja e moralit…
Grushti Migjenian ndaj malit që s’bzan, është ende një kryesimbol.
Të plogëtit, le të vegjetojnë, në kalbësirën e tyre morale, kundërmuese, sulfurike, fosilizuese, vetëshkatërruese përfundimisht, fatalisht.
Duket sikur Migjeni nuk shkruan thjesht me fjalë. Shqyen kohërat. Kohërat e prapambetjes dhe të vonesave mendore. Konstrukton shpresën. Për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore”.