Presidenti Meta nderon viktimat e diktaturës që sakrifikuan për liri

Presidenti Meta ka përkujtuar sot disa figura patriotike shqiptare të cilët ranë viktima të diktaturës komuniste për shkak të ideve të tyre demokratike dhe pluraliste. Bëhet fjalë për atdhetarët përmetarë Agathokli Xhitomi e At Aleksandër Lipe. Për guximin dhe kurajon e jashtëzakonshme për vizionin për t’ju kundërvënë diktaturës dhe për sakrifikimin e jetës për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë, Presidenti i ka vlerësuar këto dy personalitete kombëtare me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.
Ja postimi i plotë :
Këtë dhjetor mbushen 75 vite, që kur Përmeti i Frashërllinjve, kulturës, dijes e patriotizmit, me një shembull të lartë qytetarie dhe guximi të rrallë, kundërshtoi me votë diktaturën, në mënyrë unikale, që në zgjedhjet e para pas Çlirimit.
Ishte e pabesueshme për udhëheqjen komuniste të pranonte se Përmeti i Luftës Antifashiste, t’i thoshte jo, me votë dhe qytetari, tiranisë që po vendosej. Ndaj hakmarrja nuk vonoi ndaj të gjithë atyre, që u shprehën për demokraci dhe pluralizëm.
Mes dhjetëra intelektualëve e përfaqësuesve të familjeve më të shquara të Përmetit, të cilët u arrestuan, u torturuan dhe u ekzekutuan me vdekje, ishin edhe Agathokli Xhitomi e At Aleksandër Lipe.
Z.Xhitomi, demokrat e intelektual properëndimor, deputet i Parlamentit në vitet 1920-1924, Sekretar i Përgjithshëm i partisë së Fan Nolit, u dënua me pushkatim, së bashku me të ashtuquajturin Grupi i Deputetëve.
Ndërsa At Aleksander Lipe, intelektual i shquar dhe me ndikim të madh, themelues i një prej shkollave të para në gjuhën shqipe u ekzekutua në Kalanë e Gjirokastrës.
Për guximin dhe kurajën e jashtëzakonshëm, për vizionin për t’ju kundërvënë diktaturës dhe për sakrifikimin e jetës për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë, pata sot privilegjin t’i vlerësoj këto dy personalitete kombëtare me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.
Përulem me nderim, para shembullit të jashtëzakonshëm të guximit qytetar, largpamësisë dhe dëshirës për demokraci, që populli i Përmetit dha me votimin kundër regjimit komunist, që në 2 dhjetor 1945.
Ky mesazhi i fuqishëm demokratik, qytetar dhe kurajoz, në zgjedhjet e 75 viteve më parë, kundër vendosjes së diktaturës, është i gjallë dhe i vlefshëm sot dhe për të ardhmen! 🇦🇱
Sigal