Presidenti Meta mesazh ngushëllimi për profesorin Adem Mezini: Me fat që kam qenë ish-student i tij

240
Sigal

Presidenti Ilir Meta iu është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të profesorit Adem Mezini.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, kreu i shtetit ka shprehur vlerësime si ish-student i tij, ndërsa kujton se Mezini i kthente në leksion jete qëndrimet jashtë autuditorit.

MESAZHI I METES

Ndihem thellësisht i keqardhur për ndarjen nga jeta të pedagogut veteran të Departamentit të Historisë dhe njërit prej Profesorëve të mi shumë të dashur e të respektuar, Prof.Dr.Adem Mezinit.
Ndihem me fat, që kam qenë ish-student e mik i Prof.Dr. Adem Mezinit dhe ruaj kujtime të paharruara, jo vetëm për aftësitë e Tij të spikatura pedagogjike, por edhe për komunikimin tepër të ngrohtë e njerëzor, si një erudit brilant, i cili rrezatonte kurdoherë mençuri e mirësi dhe që me zërin e veçantë e imponues, na i kthente në leksion jete edhe momentet e qëndrimit me të jashtë auditoreve.
Ndaj dhimbjen e madhe dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Mezini, të afërmve, gjirokastritëve të Tij të dashur, komunitetit të nderuar të historianëve, si dhe të gjithë brezave të studentëve të edukuar prej Tij!
Lamtumirë i dashur Profesor!
Të preheni në paqen e merituar dhe i paharruar kujtimi Juaj!