Presidenti Meta merr pjesë në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë “Një Politikë e Jashtme e Re”: Të përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të multilateralizmit

495
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, i ftuar në Forumin e 7-të Global të Bakusë, me temë: “Një Politikë e Jashtme e Re”; mbajti sot një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e hapjes, krahas Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe liderëve të tjerë pjesëmarrës në të.

Në fjalën e Tij, Presidenti Meta, vlerësoi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare dhe sfidave të reja me të cilat përballen rendi botëror dhe institucionet ndërkombëtare.

Presidenti Meta, nënvizoi se: “pas më shumë se 70 vitesh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, si dhe gati tre dekada pas Luftës së Ftohtë, sërish e ardhmja e rendit botëror duket e pasigurt”.

“Fuqitë e mëdha tradicionale po përballen me probleme për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për konfliktet globale, ndërkohë që multilateralizmi nuk është më e njëjta forcë shtytëse për qeverisjen botërore”, – u shpreh Presidenti Meta.

Në mënyrë të veçantë Kreu i Shtetit theksoi se sfidat e sotme të tilla si, siguria globale, multilateralizmi, ndryshimet klimaterike, migracionin, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm po dominojnë politikën e jashtme.

“Kërcënime të reja nga terrorizmi ndërkombëtar po përhapen me të njëjtën shpejtësi si revolucioni teknologjik dhe siguria kibernetike po bëhet një sfidë e madhe për shoqëritë dhe vlerat tona”, – tha Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu në fjalën e tij se “politika e jashtme globale po influencohet shumë edhe nga ‘diplomacia energjetike’ dhe nga përpjekjet për të zotëruar burimet energjetike në mbarë botën”.

Në këtë aspekt, Presidenti Meta solli në vëmendje të auditorit dhe rolin e Shqipërisë, që për herë të parë bëhet pjesë e projekteve strategjike energjetike përmes korridoreve të gazit TAP dhe IAP.

“Këto projekte kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme dhe pozitivisht rolin e Shqipërisë në rajon, e më gjerë”, – u shpreh Presidenti Meta.

Ndërsa duke u ndalur në zhvillimet më të fundit pozitive në rajon, si anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe zgjidhja e çështjes së emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Presidenti Meta nënvizoi se, ato kanë gjeneruar një optimizëm të ri në rajonin tonë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Meta u shpreh se, Shqipëria është shumë e angazhuar për bashkëpunimin rajonal dhe për forcimin e mëtejshëm të multilateralizmimt.

“NATO mbetet Aleanca më atraktive për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, në kontinentin tonë dhe më gjerë. Ne kemi rritur kontributin tonë për forcimin e paqes, stablitetit dhe përparimit në rajonin tonë e më gjerë”, – theksoi Presidenti Meta.

Në vijim, Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Sh.T.Z. Ilir META, në Forumin Global të Bakusë:

Të nderuar pjesëmarrës!

Zonja dhe zotërinj!

Para së gjithash dëshiroj t’iu shpreh falënderimet e mia për organizatorët e Forumit dhe në veçanti, Presidentit Aliyev për mikpritjen e tij të ngrohtë dhe fjalëve të mirëseardhjes!

“Një politikë e jashtme e re”, në pamje të parë duket shumë e thjeshtë, por mendoj se ajo mishëron sfidat kryesore të zhvillimeve të sotme në të gjithë botën dhe për të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

Më tepër se shtatë dekada pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, si dhe pothuajse tre dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, rendi botëror është përsëri i pasigurt për të ardhmen e tij.

Duket se rendi aktual ndërkombëtar po has vështirësi për të trajtuar këto zhvillime të reja e të shpejta, si dhe kërcënimet e sfidat, me të cilat përballet.

Bota po ndryshon shumë shpejt dhe ne duhet të jemi të përgatitur për këto ndryshime.

Fuqitë e mëdha tradicionale po hasin probleme në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për konfliktet botërore, ndërsa multilateralizmi nuk është më e njëjta forcë shtytëse e qeverisjes globale.

Nga ana tjetër, globalizimi ka frymëzuar ambiciet e fuqive të tjera në rritje që po shndërrohen në “lojtarë të mëdhenj” në arenën ndërkombëtare, ndërkohë po rrisin ndikimin e tyre ushtarak dhe ekonomik anembanë botës.

Paqja dhe siguria nuk janë më të garantuara plotësisht në të gjitha dimensionet e tyre nga organizatat tradicionale dhe instrumentet aktuale në fuqi.

Në kuadër të sfidave globale, marrëdhëniet trans-atlantike po përjetojnë debate intensive mbi çështje kritike.

Bashkimi Europian po përballet gjithashtu me zhvillime të paparashikueshme.

BREXIT-i tregoi se BE-ja ka nevojë të konsolidohet më tej dhe të reformohet.

Zgjerimi po zë gjithnjë e më pak vend në debatet publike të vendeve anëtare të BE-së.

Autoriteti i Kombeve të Bashkuara dhe i Këshillit të Sigurisë sfidohet shpesh nga aktorë të ndryshëm konvencionalë, ose jo-konvencionalë.

Zonja dhe zotërinj,

Politika e jashtme rrjedh nga strategjitë e zgjedhura dhe kursi politik për të mbrojtur interesat kombëtare, në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare.

Siguria globale, multilateralizmi, ndryshimet klimaterike, emigracioni, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm – të gjitha këto sfida mbizotërojnë fort në politikën e jashtme.

Kërcënimet e reja të terrorizmit ndërkombëtar janë përhapur me vrullin e revolucionit teknologjik dhe siguria kibernetike po shndërrohet në një sfidë të madhe për shoqëritë dhe vlerat tona.

Në rrethana të tilla, duhet të përpiqemi shumë për të ndërlidhur vendet dhe rajonet tona në mënyrë që të tejkalohen me sukses këto sfida si dhe të rriten aftësitë tona të sigurisë e të përmirësojmë lidhjen tonë energjetike dhe infrastrukturore.

Axhenda globale e politikës së jashtme ndikohet shumë gjithashtu nga “diplomacia energjetike” dhe nga synimet mbarëbotërore për të zotëruar burimet energjetike.

Shqipëria për herë të parë është bërë një vend i rëndësishëm tranziti në projektet strategjike të energjisë të korridoreve të gazit, siç është ai i Gazjellësit Trans Adriatik (TAP), që sjell gazin e Shah Denizit nga Azerbajxhani në Shqipëri dhe më pas në tregun italian dhe atë europian.

Ky projekt ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme dhe pozitive rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë.

Shqipëria ka përparuar gjithashtu edhe në një projekt tjetër strategjik rajonal dhe europian, gazjellësi Adriatiko-Jonian (IAP), që mundëson ndërlidhjen tonë me Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kroacisë.

Në periudhën pas Luftës së Ftohtë, Shqipëria me vullnetin e vet, e zhvendosi politikën e saj të jashtme 180 gradë, duke shfaqur një ambicie të qartë politike për t’iu bashkëngjitur Aleancës Perëndimore në NATO dhe Bashkimit Europian.

Interesat kombëtare të Shqipërisë u mbrojtën më së miri brenda këtyre organizatave multilaterale, duke u bazuar jo vetëm në paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin tonë, por edhe në mundësitë unike për të kaluar në demokracinë funksionale, ekonominë e tregut dhe kohezionin social.

Prej asaj kohe, Shqipëria ka shënuar përparim mbresëlënës: është bërë anëtare e NATO-s dhe tashmë po kalon përmes një procesi sfidues dhe të domosdoshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe Marrëveshja e Prespës, e arritur së fundmi mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kanë injektuar në mënyrë sinergjike optimizëm të ri në rajonin tonë.

NATO-ja mbetet Aleanca më tërheqëse për paqen dhe stabilitetin në Balkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Inkurajojmë fort që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara për të arritur një marrëveshje që do të normalizonte përfundimisht marrëdhëniet midis dy shteteve dhe do të çonte në njohjen e përbashkët.

Kjo është tepër e rëndësishme për ne, për paqen dhe stabilitetin si dhe për tërheqjen e investitorëve të huaj në rajonin tonë.

Për t’u përgjigjur të gjithë këtyre sfidave rajonale dhe globale, Shqipëria po përshtat politikën e saj të jashtme.

Shqipëria ka qenë gjithmonë një forcë stabilizuese në rajon dhe si një vend anëtar i NATO-s, ka kontribuar në mënyrë aktive për paqen dhe stabilitetin në shumë vende, sikurse në Afganistan dhe Irak.

Në përfundim, jemi shumë të përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal si dhe për të përmirësuar e forcuar më tej multilateralizmin.

Ju faleminderit!