Presidenti Meta i dorëzon Flamurin Kombëtar ekipit shqiptar pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”

795
Presidenti Meta : Të kemi përfaqësim dhe rezultate më të mira në veprimtaritë sportive ndërkombëtare!
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar delegacionit sportiv shqiptar që do përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”, të cilat do të zhvillohen në Korenë e Jugut nga data 9 deri më 25 shkurt. 
Presidenti i Republikës, pasi i dorëzoi Flamurin Kombëtar skiatores Suela Mëhilli, duke iu drejtuar të pranishmëve, u shpreh: “Dua të shpreh kënaqësinë time që i dorëzova Flamurin Kombëtar delegacionit që do të na përfaqësojë në Lojërat Olimpike Dimërore dhe u uroj shumë suksese! Mendoj se ne kemi nevojë për të ridimensionuar vetveten edhe në sport, edhe në turizëm, duke pasur në konsideratë se kemi mjaft male dhe dimri, në një pjesë të madhe të vendit, është mjaft interesant. Na duhet të promovojmë akoma më shumë sportet e tilla, sportet dimërore, sepse përveç të tjerave, janë edhe mjaft të shëndetshme për të rinjtë. Të masivizojmë pjesëmarrjen e të rinjve këtu, ashtu sikurse na duhet të identifikojmë edhe më shumë shqiptarë dhe shqiptare të talentuar, që jetojnë jashtë dhe i praktikojnë këto sporte dhe të cilët mund të përfaqësojnë Shqipërinë në të ardhmen në mënyrë që të kemi më shumë të rinj dhe nga të gjithë grupmoshat që përfshihen në sporte dimërore.
Njëkohësisht të kemi përfaqësim dhe rezultate më të mira në veprimtaritësportive ndërkombëtare. Ju uroj edhe një herë shumë suksese dhe mbarësi dhe ta ngrini sa më lart që të mundësi Flamurin në Korenë e Jugut!
Njëkohësisht le të jetë ky një moment reflektimi për të gjithë ne që të angazhohemi për olimpiadën tjetër menjëherë pas kësaj.”
Sportisja Suela Mëhilli theksoi: “Kjo për mua do të jetë Olimpiada e dytë. Jam shumë krenare të përfaqësoj Shqipërinë para botës kështu që do të jetë një eksperiencë e veçantë. Faleminderit për këtë mundësi”!
Ndërsa Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani vuri në dukje: “Për ne marrja e Flamurit nga ana juaj është një nder i madh dhe privilegj. Këto Lojëra Olimpike janë me të vërtetë të rëndësishme për ne pasi janë një promovim i sportit shqiptar për të paraqitur sa më mirë ekipin tonë ne i kemi marrë të gjitha masat. E veçanta është se dy sportistët tanë nuk shkojnë me ftesë në këtë event, por i kanë arritur vetë normat olimpike. Kjo tregon për përgatitjen e tyre dhe do të jenë me të vërtetë nder për kombin tonë”.
Sigal