Pyetje: Nga 72 pyetjet e gjyqtarëve kushtetues, disa prej tyre ngrinin pyetjet ndaj Presidencës se pse i mëshonit më shumë procedurave dhe jo te përmbajtja. Një përgjigje që ju do ta jepni në vijim. Në në fakt, edhe në gjuhën politike, e kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre viteve, dhe jo vetëm ju, por edhe ngapolitikanët kryesorë të këtij vendi, se kur flasin për Kushtetutën, flasin për gërmën e saj, por flasin edhe për frymën e saj. A është ky një moment kur Gjykata Kushtetuese të ketë interpretimin e vet?
Presidenti META: Sepse nuk ka përmbajtje! Nuk ekziston përmbajtja! Përmbajtja, se cilat janë figurat letrare, metaforat, epitetet, që përdor Presidenti, – këto mund të jenë në interesin e rretheve letrare nëpër shkolla apo në grupet letrare!
Presidenti gjykohet mbi aktet e tij! Megjithatë unë nuk do të hyja në përmbajtjen e asnjë pyetjeje, në respekt të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Ne do të kemi përgjigje bazuar mbi Kushtetutën, bazuar mbi ligjet, bazuar mbi konventat europiane ku Shqipëria aderon, dhe natyrisht qytetarët do të dëgjojnë pyetjet që janë bërë, dhe karakterin e pyetjes që është bërë, si dhe përgjigjen që ata të kenë mundësi të gjykojnë vetë.
Po sikur t’i marrin si elemente thelbësore, pa i detajuar, ju keni kërkuar vetë 48 orë kohë.
Presidenti META: Ne kemi kërkuar kohë, sepse ne jemi një institucion serioz!
Ne jemi në Gjykatë! Nuk jemi në Parlament! Nëse anëtarët e trupit gjykues sillen si parlamentarë, ka shkëmbime, ka replika, ne do të sillemi si në Gjykatë!
Dhe ato përgjigje do të bëhen në bazë të Kushtetutës, do të bëhen në bazë të ligjeve në fuqi, do të bëhen në bazë të konventave europiane dhe ndërkombëtare!
Ne nuk ndalojmë askënd të shprehë kureshtjen e tij nisur nga perceptimet që krijon media e partisë në pushtet, por ne japim përgjigje gjithmoë të bazuar në Kushtetutë, bazuar në ligj, dhe nëse ka ndonjë shqetësim përse nuk jemi bazuar në përmbajtje…: Nuk ka përmbajtje!
Nuk ka përmbajtje, sepse “Axhitacion Propagandë” ka ikur! Ishte përdorimi abuziv i një neni për të dënuar, për të dëmtuar të gjithë personat kundërshtarë të regjimit!
Ju jeni kryetar i shtetit. Me Kushtetutë përfaqësoni unitetin e popullit. Mënyra se i keni artikuluar bindjet tuaja gjatë fushatës zgjedhore, i kanë dhënë dorë mazhorancës? Ju kanë konsideruar se ju nuk keni qëndruar si një President mbi palët.
Presidenti META: Unë nuk po përgjigjem këtu për mazhorancën.
Po përgjigjeni mbi kërkesat, që jua kanë ngritur edhe vetë gjyqtarët kushtetues lidhur me gjuhën që keni përdorur.
Presidenti META: Po, shumë mirë! Ata kanë bërë shumë mirë që kanë filluar të hyjnë në fushën e gjuhës! Edhe të letërsisë! Edhe të metaforave! Edhe të epiteteve! Shumë mirë, se është e drejtë e tyre!
Ne kemi detyrë, të japim përgjigje bazuar mbi Kushtetutë, bazuar në ligj, bazuar mbi konventat ndërkombëtare europiane ku Shqipëria është palë, përpara të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë!
Kjo është çështja! Ne jemi seriozë.
Zoti Dervishaj, përfaqësuesi juaj ligjor, një tjetër argument që ka paraqitur, dhe që është një moment i rëndësishëm procedurial: Gjykata Kushtetuese është në tejkalim të afateve, për shkak se po shqyrton një vendim të legjislaturës së kaluar.
Flasim për legjislaturë, flasim për Kuvend, flasim për emra individësh, deputetësh përkatës. A nuk kemi të bëjmë me vazhdimësi institucionale?
Presidenti META: Për vazhdimësi zyrash, flisni ju? Apo për Kuvendin si zyra? Për Kuvendin si vulë…, që s’ka ndryshuar? Ne po flasim për Kuvendin si vullnet politik. Si përmbushës i vullnetit të sovranit. Dhe në këtë drejtim, në këtë Kuvend kemi vetëm 40 deputetë, që kanë votuar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas 25 prillit! Sepse të gjithë të tjerët që kanë votuar pas 25 prillit, ata nuk kanë qenë deputetë dhe kanë qenë praktikisht të shkarkuar, ata nuk janë më!
Atëhere ky Parlament, që është sot, përveç se vazhdon të mbajë vulën, që është një aspekt administrativ, a e ka ky këtë vullnet politik?!
Sepse nga 9 deputetë, të cilët kanë qenë në Komisionin Hetimor për çështjen e Presidentit, vetëm një është sot në Kuvend! 8 të tjerë nuk janë! Ai i qëndrojnë atyre provave dhe atyre fakteve? Kush i përfaqëson këto? A i përfaqëson thjesht një zyrë juridike apo ky është një vlerësim edhe i Kuvendit aktual?
Për më tepër që të mos harrojmë se për të shkarkuar Presidentin, sipas Kushtetutës, duhen të paktën 94 vota! Pra, mbi dy të tretat! Pse? Për të mbrojtur pikërisht Presidentin nga tentativat si gjithmonë të mazhorancës për të kapur të vetmin Institucion, që ka për detyrë të mbrojë interesat e shtetit dhe jo të jetë një vartës i Qeverisë.
Të mos harrojmë që Kuvendi i kaluar që ka ndërmarrë këtë nismë, pasi ai është shkarkuar pas zgjedhjeve të 25 prillit, dhe janë tejkaluar të gjitha afatet kushtetuese dhe ligjore, ishte një Kuvend tërësisht anormal! Një Kuvend me 122 numra apo kartona, nga 140 që e ka Kushteta të përcaktuar numrin e përfqësuesve të sovranit, pra të popullit shqiptar, dhe jo vetëm kaq, por ne e dimë që 78 ishin me legjitimitet të plotë. Të tjerët ishin deputetë, të cilët erdhën në Kuvend me një procedurë rrufe, në kundërshtim me Kushtetutën, pas dorëheqjes. Jo të 60-të, por të 180 deputetë dhe aq kandidatë për deputetë, dhe aq e rëndë ishte situata, sa në fund fare edhe pse hyri i fundit i fundit të listave të partive opozitare, prapë, 18 apo 20 vende nuk u plotësuan dot!
Ishte parlamenti i aftë për të ndryshuar edhe Kushtetutën, edhe për të ndërmarrë ndonjë vendim.
Presidenti META: Pa asnjë diskutim! Djegia e mandateve ka qenë e planifikuar, nuk ka qenë spontane! Dhe unë kam qenë gjithmonë kundërshtar, dhe koha po e provon pikërisht se djegia e mandateve u bë për t’i dhënë hov gjithë uzurpimit të institucioneve, përfshirë edhe atë të Presidentit përpara zgjedhjeve, përveç kapjes së Gjykatës Kushtetuese!
Kemi 3-4 vite me debate; kemi qenë në Komisionin e Venecias, sepse pikërisht ata kanë dëshiruar një kapje totale të të gjitha pushteteve, dhe në këtë mënyrë shndërrimin e vendit në një regjim totalisht autokratik dhe kleptokratik!
Zoti Meta, duke pasur parasysh që ju nuk e konsideroni këtë vendim…? Një vendim të rëndësishëm për shtetin. Kur bëni llogaritë lidhur me këtë vendimmarrje, llogarisni se si janë të pozicionuar anëtarët, sigurisht me reformën në drejtësi, kishim menduar se nuk mund të shkonim në këto llogari. Apo keni mbrojtjen tuaj?
Presidenti META: Po përse ta konsideroj? Përse duhet ta konsideroj?! Unë nuk bëj asnjë llogari numrash! Përkundrazi! 100 me zero të jetë vendimi, për mua nuk ka asnjë rëndësi!
Llogaritë e mia janë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë! Llogaritë e mia janë me interesin kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë!
Llogaritë e mia, pa asnjë diskutim, janë me të gjithë pasojat që kjo mund të ketë mbi qytetarët shqiptarë!
Për Ilir Metën nuk do të ketë asnjë pasojë, nëse 24 korriku do të ishte dje, unë do të isha shumë i lumtur!
I vetmi shqetësim i imi ishte deri më 25 prill!
Ta çoja vendin tim, popullin tim, i cili ka qenë në një kurth të jashtëzakonshëm, por sot besoj se të gjithë e kuptojnë se cilët kanë qenë aktorët dhe cilat kanë qenë qëllimet, ta çoja drejt zgjedhjeve me një kosto sa më të paktë, në mënyrë që të kishim mundësi të mos kishim parlament njëpartiak, por një parlament përmes të cilit të rinisë opozitarizmi dhe të kemi mundësi që edhe përmes përfshirjes së të gjithë qytetarëve, t’i rivendosim themelet e shtetit tonë demokratik, që kanë të bëjnë gjthmonë me votën e lirë, e cila është tronditur dhe është dhunuar si asnjëherë tjetër në gjithë këto vite!






















