Presidenti Meta dekoron klerikun atdhetar Mulla Vehbi Feratin (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri

214
Sigal

Presidenti Meta dekoron klerikun atdhetar Mulla Vehbi Feratin (pas vdekjes) me Titullin “Naim Frashëri”: Në historinë tonë për liri, pavarësi, dije dhe zhvillim kombëtar, klerikët myslimanë shqiptarë kanë luajtur përherë një rol të rëndësishëm!

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot, me një ceremonie solemne, klerikun atdhetar Mulla Vehbi Feratin (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Naim Frashëri”: “Për kontributin e tij të shquar në përhapjen e besimit fetar, kulturës, gjuhës shqipe, si dhe pajtimin social të shumë krahinave të vendit. Atdhetar, fetar e personalitet me dije të thella; krahas frymëzimit me idealin e lirisë dhe besimit tek Zoti, e udhëhoqi popullin në luftën kundër pushtuesve të vendit”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar kreut dhe anëtarëve të Shoqatës “Korabi-Radomirë”, përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe personaliteteve të pranishme, Presidenti Meta u shpreh:

 

“Është kënaqësi e veçantë për mua të jemi së bashku në dekorimin e dijetarit, klerikut dhe një prej atdhetarëve më të shquar të Radomirës, Lumës, Dibrës dhe mbarë vendit, Hoxhës së Madh, Mulla Vehbi Ferati.

 

Në historinë tonë për liri, pavarësi, dije dhe zhvillim kombëtar, klerikët myslimanë shqiptarë kanë luajtur përherë një rol të rëndësishëm!

 

Ata kanë qenë përherë pjesë e rilindësve dhe patriotëve më të ndritur të kohës, bashkëfirmëtarë të  aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, me Heroin Kombëtar Ismail Qemalin në Vlorë, si dhe luftëtarë me armë në dorë kundër pushtuesve nazifashistë!

Me këtë rast kujtojmë me nderim  klerikët  dhe atdhetarët e jashtëzakonshëm myslimanë si Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Sali Korça, Dervish Hima, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Sabri Koçi, Selim Muca dhe shumë drejtues të shquar, të cilët iu përkushtuan dhe e vendosën në radhë të parë shërbimin ndaj kombit dhe besimit islam.

 

Sot vlerësojmë, me rastin e 140-vjetorit të lindjes, njërin prej 100 personaliteteve të librit të nderit të kulturës islame në Shqipëri patriotin, filozofin dhe dijetarin Mulla Vehbi Ferati.

 

Mulla Vehbi Ferati konsiderohet me të drejtë udhëheqës shpirtëror i popullit të tij. Ai ishte një misionar i besimit dhe paqes sociale, kundër çdo padrejtësie dhe shtypjes në çdo kohë e regjim.

Me dijet e shumta dhe kulturën e gjerë do t’i printe besimtarëve të të shtatë Bajraqeve të Lumës, të Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë, duke edukuar shumë breza të rinj imamësh me dashurinë për Zotin dhe gjuhën shqipe.

Me shpirtin atdhetar, vizionar dhe personalitetin e tij fisnik do të udhëhiqte shumë kuvende bashkimi e pajtimi gjaqesh veçanërisht në Veri të vendit.

Patrioti Vehbi Ferati e donte Atdheun e tij të lirë  e të pavarur, ndaj si anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Qarkut të Dibrës do të udhëhiqte lumjanët në fushë betejat e luftës dhe të fitoreve të shumta.

Nder e lavdi përherë emrit edhe kontributit të Tij!

Të nderuar miq,

Për gjithë vlerat e sipërpërmendura kam nderin të vlerësoj dijetarin, filozofin, teologun dhe atdhetarin e madh Mulla Vehbi Ferati me titullin “Naim Frashëri”.

Falënderoj Shoqatën “Korabi-Radomira” për propozimin dhe njëkohësisht për kujdesin, që tregon ndaj figurave të nderuara të historisë së trevës së tyre.

Lavdi përjetë emrit të atdhetarit Mulla Vehbi Ferati!

Urimet më të mira për banorët e Radomirës, Kalasë së Dodës, të Lumës dhe Dibrës!”.