Presidenti Meta bën homazhe në nderim dhe respekt të ish-futbollistit dhe trajnerit të shquar tiranas, Ali Mema

551
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta bëri sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës së personalitetit të shquar të futbollit dhe sportit shqiptar, ish-futbollistit të ekipit të Tiranës dhe të Kombëtares, Ali Mema, duke vendosur një kurorë me lule dhe duke u përulur me respekt para trupit të të ndjerit, në ceremoninë e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”. Duke iu shprehur ngushëllimet familjes Mema, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të shumtë, Presidenti Meta, vuri në dukje:

“Padyshim që ndarja e parakohshme nga jeta e Ali Memës, një ikonë e jashtëzakonshme jo vetëm e bardhebluve, por edhe e kuqezinjve është një mungesë e pazëvendësueshme nga sot e në të ardhmen. Ashtu sikurse është e qartë se kontributi i tij madhor për Tiranën e madhe të viteve ’60-të dhe për atë Kombëtare të jashtëzakonshme që barazonte dhe skualifikonte nënkampionët e Botës së asaj kohe, Gjermaninë, në dhjetor të 1967-s në Tiranë, do të mbetet gjithmonë i paharruar dhe një burim frymëzimi për brezat më të rinj. Ali Mema ka qenë një model i jashtëzakonshëm në fushën e blertë për të frymëzuar ekipin që përfaqësonte. Por ai ka qenë gjithmonë një model jashtë fushës. Ka qenë një edukator, një trajner, i cili ka përgatitur e ka motivuar mjaft sportistë të mëdhenj.

Ali Mema i përkiste një familjeje të madhe të kryeqytetit tonë, që ka kontribute të panumërta në botën e futbollit e të sportit. Jam i sigurt se kontributi dhe vepra e tij do të mbeten të përjetshme dhe gjithmonë do të shërbejnë si një frymëzim për të ardhmen për të gjithë ata të rinj të cilët duan të jenë kampionë.”, – u shpreh Presidenti Meta.