Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Çekisë viziton Shqipërinë dhe KLSH

499
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar me Kontrollin e Lartë të Shtetit, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, Ing. Miloslav Kala zhvilloi një vizitë disa ditore në Shqipëri dhe KLSH.
Zyra e Auditimit Suprem të Çekisë është një nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) më të konsoliduar dhe moderne të Evropës, e themeluar në vitin 1761. Ing. Kala është Zv-President i Parë i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), ndërsa më 24 maj 2017, Kongresi i X-të i EUROSAI-t në Stamboll zgjodhi SAI-n Çek si SAI-n President të EUROSAI-t për periudhën 2020-2023.
Më 2 gusht 2017, Presidenti i Shqipërisë, zoti Ilir Meta takoi në zyrën e tij Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, Ing. Miloslav Kala. Presidenti Meta theksoi miqësinë tradicionale që lidh të dy popujt, çek dhe shqiptar dhe u shpreh i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit mes të dy institucioneve të auditimit suprem, bashkëpunim i cili kontribuon në integrimin e vendit në BE. Nga ana e tij, Presidenti Kala vlerësoi gatishmërinë e KLSH-së për të bashkëpunuar në nismat e reja të ndërmarra nga SAI çek në kuadër të të gjithë EUROSAI-t, si dhe rritjen e treguesve kryesorë të performancës së SAI-t shqiptar. Ai u shpreh i gatshëm për të ngritur në nivele më të larta bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave audituese mes Zyrës Çeke dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit 
Në sallën qendrore të Akademisë së Shkencave, po më datën 2 gusht 2017, në prani të audituesve të KLSH-së dhe përfaqësuesve nga shoqatat profesionale të fushës, Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, Ing. Miloslav Kala dha një leksion të rëndësisë për SAI-t të përdorimit dhe përpunimit të informacionit digjital në dispozicion të agjencive qeveritare. Ai solli raste të shumta nga eksperienca e auditimit të të dhënave të përqendruara (Big Data) në projektet dhe shërbimet qeveritare, ndërkohë që prezantoi portalin e EUROSAI-t të të dhënave (database) të auditimeve të të gjitha SAI-ve evropiane në anglisht, portal i krijuar dhe menaxhuar nga Zyra e Auditimit Suprem të Çekisë, me synimin që të shërbejë si një forum virtual shkëmbimi eksperiencash mes SAI-ve evropiane, në bazë të motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest”. (Nga Eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)
Takimi mes Presidentit të SAI-t të Çekisë, Inxh. Miloslav Kala dhe Kryetarit të KLSH-së, z. Bujar Leskaj në zyrën e këtij të fundit, u përqendrua në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar vitin e kaluar, përmes projekteve që do të përfshijnë auditime dhe trajnime të përbashkëta. Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në zbatimin e Planit Strategjik të EUROSAI-t, veçanërisht të Objektivit Strategjik Nr. 1 të tij “Bashkëpunimi Profesional”, i drejtuar nga SAI çek, ku në veprimtarinë e grupit të tij të punës e përfshi edhe KLSH, me ftesë të Presidentit Kala.
Në fjalën e tij, Kryetari Leskaj e vlerësoi vizitën e Inxh. Kala si një nga vizitat më të rëndësishme për KLSH-në, për shkak edhe të profilit të lartë që përfaqëson Inxh. Miloslav Kala, i cili, jo vetëm ka kontribuar si personalitet i jetës politike të Çekisë, ku ka mbajtur detyra të rëndësishme si kryebashkiak dhe deputet, por në vitet e fundit është afirmuar si një personalitet qendror i auditimit suprem evropian, me pozicionet e mbajtura dhe nismat e ndërmarra. “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, në rrugëtimin e tij plot sfida drejt një institucioni evropian modern auditimi, bashkëpunimi me figura të larta dhe institucionet më të mira të auditimit evropian përbën një vlerë të shtuar dhe një aset të rëndësishëm”, u shpreh Kryetari i KLSH-së.
Presidenti Kala falënderoi Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për mbështetjen zyrtare dhe lobimin e ushtruar ne Kongresin X të EUROSAI-t për zgjedhjen e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke në postin e Presidencës së EUROSAI-t për vitet 2020-2023. Ai u shpreh se vjen në KLSH jo vetëm si Kreu i SAI-t çek, por edhe si Zv/President i Parë i EUROSAI-t, duke cilësuar se marrëveshje e bashkëpunimit me KLSH-në do të ketë impakte shumëpërmasore, jo vetëm në rrafshin e forcimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, por edhe në kuadër të bashkëpunimit mes KLSH-së dhe EUROSAI-t.
Ai vlerësoi kontributin dhe rolin e Kryetarit Leksaj në zhvillimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke theksuar se KLSH ka arritur të dallohet si një nga institucionet më serioze në Shqipëri. “Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ndërmarrë reforma të mëdha, të cilat e kanë përafruar me modelet dhe metodologjinë audituese evropiane. Në Shqipëri keni arritur një standard të lartë si institucion shtetëror, ndërsa puna juaj ka shënuar impakte të rëndësishme për mirëqeverisjen në vend. Si President i SAI-t çek dhe si zv. President i EUROSAI-t dëshiroj të konfirmoj vullnetin tim për të mbështetur Kontrollin e Lartë të Shtetit në kapërcimin e sfidave që has në implementimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit”.
Kryetari Leskaj theksoi se KLSH është një institucion i ndërgjegjshëm për rolin që ka në luftën kundër korrupsionit dhe sfidën që të jetë një organizatë që udhëheq përmes shembullit. Äi u shpreh se “Zyra e Auditimit Suprem të Republikës së Çekisë përbën për ne një shembull të asaj se çfarë duhet të arrijmë dhe jam i bindur se zbatimi i marrëveshjes së bashkëpunimit do të jetë produktiv për zhvillimin e metodologjisë audituese dhe për rritjen e kontributit të KLSH-së në luftën kundër korrupsionit”. 
Sigal