Presidenti Begaj, ishte i ftuar në ceremoninë e 1-vjetorit të ngritjes së qendrës artistike “Vatra e Artistëve FAFA” në Golem

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, ishte i ftuar në ceremoninë e 1-vjetorit të ngritjes së qendrës artistike “Vatra e Artistëve FAFA” në Golem

Qendra shërben për nxitjen e krijimtarisë, duke siguruar që piktorë, shkrimtarë, këngëtarë, valltarë apo instrumentistë nga të gjitha trevat të kenë mundësi për të zhvilluar krijimtarinë e tyre artistike falas në këtë rezidencë.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi se arti nuk duhet parë si diçka e përkohshme apo ceremoniale.
“Arti dhe kultura nuk duhet të jenë stoli që i varim vetëm në ditë festash. Arti është nevoja e përditshme që kemi për të bukurën”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit e përshendeti këtë nismë vizionare të biznesit në mbështetje të komunitetit të artistëve shqiptarë, ndërsa theksoi nevojën e politikave të qëndrueshme për mbështetjen e talenteve, që të mos t’i humbim ata.
“Në Shqipëri, talenti nuk ka munguar asnjëherë. Kemi zëra që meritojnë të dëgjohen përtej kufijve tanë dhe përtej kohës sonë. Kemi shkrimtarë, piktorë e aktorë të mrekullueshëm. Por arti nuk meriton vetëm duartrokitje. Ajo që i ka munguar shpesh krijuesve tanë, nuk është talenti, por platforma”.
Preisdenti Begaj e cilësoi “Vatrën e Artistëve FAFA” një projekt fisnik që, përmes ndihmës konkrete ndaj artistëve, po krijon në Shqipëri një kulturë të veçantë në rritjen dhe promovimin e talenteve, ideve dhe krijimtarisë së tyre.
“Promovimet e librave nga botues të ndryshëm, takimet me krijues, mbështetja për autorë të rinj dhe të konsoliduar janë prova se arti mund të organizohet, mund të mbështetet, mund të inkurajohet dhe mund të zhvillohet.
Kjo nismë e bukur dhe e fisme, e cila u mbështet mbi një bazë të fortë nga resorti FAFA BLU, një strukturë e suksesshme, na tregon se kur biznesi ka vizion, mund të kthehet në një mbështetës të drejtpërdrejtë të kulturës. Kjo është një shenjë inkurajuese se edhe në Shqipëri ne do të kemi mecenatin shqiptar”, – theksoi Presidenti Begaj.
Presidenti i Republikës nënvizoi se krahas nismave të sipërmarrësve, institucionet shtetërore duhet të investojnë më tepër në mbështetjen e artistëve shqiptarë:
“Një vend që investon në kulturë, investon në qytetari. Një vend që ndihmon artistët, pikë së pari, ka ndihmuar veten”, – deklaroi Presidenti i Republikës në mbyllje të fjalës përshëndetëse.

Sigal