Prefekti i qarkut Korçë: Deri tani asnjë rast me koronavirus, ta mbajmë të pastër deri në fund

729
Sigal

Prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari: Deri tani asnjë rast me koronavirus, ta mbajmë të pastër deri në fund

Nga Vepror Hasani

Deri më tani në qarkun e Korçës, ku përfshihen rrethet Korçë, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë, nuk është evidentuar asnjë rast me koronavirus. Fal punës së kryer që nga dita e parë e zbulimit të personit të infektuar që kishte mbërritur nga Italia, pjesa më e madhe e popullsisë arriti të ndërgjegjësohej për rrezikun që paraqiste virusi në fjalë, ku ndërkohë edhe  pjesa e mbetur që po tregohej e pakujdeseshme me jetën e vet, kuptoi se prekja nga virusi për shkak të neglizhenës do të ishte një gabim i pafalshëm për jetën. Ndërgjegjësimi në kohë i popullatës u bë i mundur fal vënies në zbatim në kohë reale të të gjitha masave të ndërmarra nga qeveria. Të gjitha këto u bënë të ditura nga Prefekti i Qarkut Korçë, Dhori Spirollari, gjatë një takimi me strukturat e policisë dhe Bashkinë e Pogradecit. “Në vijim të zbatimit të masave të marra, – tha Spirollari, – do të vijojmë të punojmë më të njëtën rreptësi, me qëllim që qarkun e Korçës ta mbajmë të pastër deri në fund, pasi  kur flitet për jetën e njerëzve nuk duhet të ketë asnjë tolerim. Gjatë këtij takimi, prefekti Spirollari foli gjerësisht rëndësinë e masave të marra dhe për ato që do të ndërmerren në vjim në të mirë të jetës së qytetarëve. Për këtë arsye ai u kërkoi pjesëmarrësve zbatimin sa më korrekt të tyre.

Vetëkarantinim për personat që vijnë nga jshtë

Gjithashtu prefekti Dhori Spirollari u ndal posaçërisht te puna e kryer në doganat e këtij qarku:  Qafë-Thanë, Tushemisht dhe Kapshticë për skedimin e plotë të qytetarëve që hynin në vendin tone, ku merreshin të dhëna  nga vinin, në cilat vende kishin qëndruar, u matej temperatura duke parë nëse kishin edhe shenja të prekjes nga koronavirusi, si kollë, temperature etj, të kryera këto nga punonjësit e  Njësive të Qeverisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, të cilët kanë qenë prezent 24 orë në 24 orë, me personel të mjaftueshëm, që edhe qytetarëve t’u shërbehej në kohë. Fal evidentimeve të kryera deri më tani është bërë e mundur që personat e ardhur nga Italia dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian të vetizolohen. Në këtë pikë, Dhori Spirollari u ndal disi më gjatë duke u kërkuar strukturave të policisë, që qytetarët e ardhur nga jashtë vendit të  vetëkarantinohen dhe të mos lejohen në asnjë rast për të patur kontakt me persona të tjerë. Për këtë arsye, – sqaroi Spirollari, – në shumë institucione, përfshi edhe ato arsimore, komunikimi dhe ofrimi i shërbimeve është online, me qëllim që askush të mos rrezikojë jetën e vet. Sipas Spirollarit, evidentimi i personave të ardhura nga vende të tjera do të vijoje pandërprerje.

Rritet ndërgjegjësimi

Mbyllen edhe shërbimet e stomatologëve

Nga ana e prefektit të qarkut Korçë, Dhori Spirollari, u vu në pah edhe fakti që ndërgjegjësimi i popullatës është vazhimisht në rritje, pasi çdo ditë njerëzit po vërejnë kujdesin që po tregohet nga institucionet. Me këtë rast nga ana e Bashkisë Pogrades u bë i ditur  dezinfektimi i  rrugëve, i qendrave shëndetësore, i Gjykatës, i Prokurorisë, i objekteve të kultit etj, ndërsa janë mbyllur dhe po mbyllen njësi shërbimi, lokale lojrash dhe argëtimi, të cilat sjellin grumbullim të njerëzve, pasi ende ka nevojë, edhe për ndërgjegjësimin e banorit të fundit. Megjithatë, në takim u nënvizua fakti se ndërgjegjësimi është në rritje. Edhe institucionet fetare, (kishat dhe xhamitë)  u kërkuan besimtarëve të tyre që faljet mund t’i bënin në shtëpi, pasi jeta e njeriut është obligim i Zotit. Në vijim të masave për parandalimin e virusit të frikshëm, Policia e Qarkut Korçë, prej orëve të para të mëngjesit të ditës së premte u pozicionuar në akset nacionale për të ndaluar qarkullimin e automjeteve të transportit ndërurban, e konsideruar si domosdoshmëri për marrjen e masave shtesë në mbrojtje të qytetarit. Gjithashtu mësuam se po ndërmerren masa të tjera për mbrojtjen e shëndetit të popullates. Edhe Urdhëri i Stomatologëve Shqiptarë kërkoi pezullimin e aktiviteteve dentare. Për këtë arsye iu bë thirrje të gjithë mjekëve stomatologë dhe personalit të klinikave dentare të mbyllin shërbimin deri në dt. 3 prill, ndërsa shërbimet e ermergjencës do të kryhen sipas protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetit. Si do të operohet konkrestiht udhëzimet mbërrijnë ditën e hënë. Ndërsa prefekti Spirollari, siguroi banorët e qarkut se do të jetë në ndjekje të zbatimit të të gjitha masave të ndërmarra.