Policia zbulon me informatorë 100 kg hashash, arreston babë e bir në Gracen

577
Burime tepër të sigurta nga policia e Elbasanit, thanë për gazetën “Telegraf” se “veç krimit të rrugës, problematike për ne mbetet edhe mbjellja, rritja, tharja dhe shitja e drogës nga disa rrjete trafiku, që kanë ngritur bazat e tyre në shumë fshatra të qarkut, dhe pikërisht në zona ku zor se gjen edhe rrugë dhish”. Sipas të njëjtit burim, “zona e Belshit, Funari, Graceni, Labinoti Mal, Griqani, Gjinari dhe Zavalina, mbeten disa prej territoreve që rrjetet e trafikut të drogës po shfrytëzojnë për të mbjellë, rritur dhe transportuar (ose shitur) drogën, e cila ka shansin të rritet në pjesë të mbuluara mirë nga syri njeriut dhe pajisjet tona”. Agjentët e Antidrogës dhe Antitrafikut e kanë gjithsesi të pamundur të arrijnë të zbulojnë fijet e trafikut, të cilat kanë zgjedhur si rrugë transporti atë nga juglindja dhe jugperëndimi i Elbasanit, përmes rrugëve të parrahura nga automjetet. Mendohet se mund të jenë mbi 70 parcela akoma të pazbuluara në disa zona, të mbjella me Canabis Sativa, dhe që pavarësisht agjentëve dhe personave të infiltruar, nuk po bëhet e mundur zbulimi dhe asgjësimi i tyre.

 Ditët e fundit uniformat blu kanë vajtur në disa zona malore të qarkut, por me vonesë, pasi “prodhimi” ishte korrur dhe ishte larguar me kohë nga zonat e thepisura, ku edhe ishte mbjellë. Agjentët e Antidrogës thonë se “në rast se nuk i paguan informatorët, ata nuk të japin informacione dhe gjithçka mbetet e pa zbuluar, ndërkohë që deri para 3-4 muajsh kishim ndonjëherë ndihmesë edhe ish-kryetarët e komunave ”. Fakti është se rritja e numrit të personave të papunë dhe atyre që kanë humbur muajt e fundit vendin e punës, por edhe e atyre që muajin e nxjerrin me 32 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, po i detyron të mbjellin hashashin në vend të grurit dhe misrit, duhanit dhe kulturave të tjera. Burime nga Drejtoria e Bujqësisë u shprehën se “prej 10 vitesh në fshatrat e Elbasanit ka rënë ndjeshëm mbjellja e grurit dhe misrit, qindra hektarë tokë kanë mbetur djerr, pasi fshatarët nuk kanë asnjë leverdi ekonomike. Shumica e fshatarëve, që dikur kishin ëndërr tokën dhe të mbjellat, sot janë kthyer në tregtarë, ku vetëm bëjnë pazare me pronën e tyre qindravjeçare. Shpesh nevoja për para dhe jeta e kthyer si në mesjetë, po i detyron t’i futen një rruge, e cila ka të gjitha shanset t’u shkatërrojë gjithçka. Zëvendësimi i kulturave bujqësore me mbjellje hashashi, po rrezikon ta kthejë fshatin në njollë të zezë dhe fshatarët në viktima të rrjeteve të trafikut të drogës. 
Kapen në Gracen 100 kg Canabis Sativa, arrestohet babai dhe i biri.

Rreth 100 kilogramë Canabis Sativa janë sekuestruar në Elbasan në kuadër të operacionit të koduar “Graceni”, ndërsa në pranga janë vënë babai dhe dy djem si posedues të lëndës narkotike.Si rezultat i kontrollit të ushtruar në fshatin Gracen Elbasan, në banesën e shtetasit Vathar Çeka, grupi hetimor ka gjetur dhe ka sekuestruar 100 kg lëndë narkotike, të dyshuara si Canabis Sativa, 50 bimë narkotike, që ishin në proces tharje, 2 telefona celularë, peshore dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Policia arrestoi Vathar Çeka, 50 vjeç, së bashku me dy djemtë e tij, Nuredin dhe Ektor Çeka, 22 dhe 20 vjeç banues në fshatin Gracen Elbasan. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri- tjetrin bënin kultivimin e bimës narkotike Cannabis Sativa dhe më pas e tregtonin me shumicë në qytetin e Elbasanit dhe të Tiranës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Sigal