Pogradeci dhe Maliqi në rrezik nga mungesa e sigurisë rrugore

552
Sigal

Rruga Tushemisht-Doganë, jashtë vëmendjes së institucioneve

 

Rrëshqitja e gurëve rrezikon jetën e banorëve dhe drejtuesit e automjeteve

 

Qarkullimi në aksin rrugor Tushemisht-Pogradec ose më saktësisht duke filluar nga zona turistike e Tushemishtit e deri në Doganë, është shndërruar në një tmerr të vërtetë për jetën e banorëve të zonës dhe drejtuesit e automjeteve. Që nga reshjet e para të borës e deri më sot, për shkak të temperaturave të pa qëndrueshme me ngritje dhe ulje të vazhdueshme, kanë gërryer në vijimësi ledhin e pjesës së sipërme të rrugës. Për pasojë, gurë të përmasave të ndryshme, madje dhe shkëmbinj kanë dalë në sipërfaqe si pasojë e erozionit. Rrëshqitja e gurëve mbi rrugë ka qenë e pranishme gjatë gjithë stinës së dimrit, por nga ana e institucioneve nuk është treguar vëmendja e duhur. Gurët janë larguar herë pas herë nga rruga, por masa parandaluese për heqjen e gurëve që rrezikojnë rrëshqitjen nuk ka pasur. Tashmë gjendja duket tejet alarmante, pasi me rritjen e temperaturave rrëshqitja e gurëve do të jetë më e shpeshtë dhe më e madhe. Nuk është çudi që aksidentet me rrezik jete të jenë të mundshme në çdo kohë.

 

Mungon sinjalistika parandaluese

 

Përveç sa më sipër, në këtë aks rrugor mungon sinjalistika parandaluese, ku drejtuesit e automjeteve dhe njerëzit (vizitorë apo turistë), veçanërisht ata që vijnë për herë të parë të jenë në dijeni për rrezikun e mundshëm që paraqet kjo rrugë. Aksi rrugor Tushemisht-Doganë është një nga rrugët më të populluara, ku lëvizja e banorëve të zonës për punë dhe shëtitje apo vajtje-ardhje nga qyteti i Pogradecit, është mjaft e madhe. Përkundër këtij realiteti, rruga është e ngushtë, nuk ka gjerësinë e mjaftueshme që në rast rreziku drejtuesit e automjeteve dhe njerëzit të manovrojnë për të shpëtuar jetën. Nëse gurët rrëshqasin kur je duke kaluar aty, me shumë gjasa mbetesh si i zënë në grackë, ndërsa mundësia për të qenë me fat është e vogël. Për këtë arsye masat paraprake duhet të ishim marrë me kohë për të mos pasur ngjarje tragjike, por deri më tani, nuk është bërë asgjë.

 

Një bunker kërcënon natë e ditë mbi udhë

 

Sikur të mos mjaftonin gurët dhe shkëmbinjtë që po dalin mbi sipërfaqe, në pjesën e sipërme të rrugës qëndron edhe një bunker, i cili ka mjaft gjasa që së shpejti të gjendet në rrugë. Sipas banorëve që gjetëm në këtë segment, bunkeri u ngjan atyre të luftës, që nëse kaloje para tyre e kishe vdekjen të sigurt. “Ja shikojeni, – na thonë ata, – sa i frikshëm është!”.  Dhe banorët kanë të drejtë. Një pjesë e bunkerit është në ajër; vetëm një pjesë e vogël e tij vazhdon të ruajë lidhjen me tokën, por gërryerjet dhe rrëshqitja e dheut po ia prishin ekuilibrin. Deri më tani, duket sikur i ka vënë dorën Zoti dhe po e mban. E gjitha kjo është një ironi e madhe për drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, sepse siç na thonë banorët, “rrëshqitja e gurëve ka qenë e përhershme dhe nuk është e nevojshme që personat përgjegjës të vihen në dijeni, sepse çfarë ndodh në këtë rrugë e di i gjithë Pogradeci, madh dhe i vogël”. Por nga sa kuptohet masa do të merren vetëm kur mbi asfalt të gjendet ndonjë i vdekur. Rrokullisja e mundshme e bunkerit do të konsiderohej mrekulli nëse do të ndodhte pa lënë pasoja në mjete dhe jetë njerëzish.

 

Aksit rrugor i mungon muri parandalues

       

Përgjegjësia e institucioneve përkatëse për mosmarrjen në kohë të masave të duhura, bëhet edhe më e madhe po të kihet parasysh edhe një fakt tjetër.  Këtij aksi rrugor, Tushemisht-Doganë, i mungon edhe muri mbrojtës. Për rrjedhojë, gurët apo bunkeri që do të rrëshqasin nga pjesa e sipërme do të shkojnë drejt e në asfalt, ku kalojnë automjete, burra, gra, pleq dhe fëmijë të zonës. Madje me rritjen e temperaturave, qarkullimi i njerëzve po fillon dhe bëhet me i dendur. Tmerri është i pranishëm çdo çast.

Bashkia Maliq, pa një qendër emergjence për trajtimin e grave dhe fëmijëve të dhunuar

 

Aktualisht të gjitha bashkitë e vendit, të mëdha apo të vogla qofshin, e kanë një qendër  për strehimin emergjent 24 apo 72 orësh të grave apo fëmijëve të dhunuar, ku ata marrin ndihmën e nevojshme. Vetëm Bashkia Maliq  nuk e ka një të tillë, edhe pse prej vitesh ngritja e saj është konsideruar mjaft e nevojshme. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se  mesatarisht çdo muaj paraqitet një rast dhune mbi fëmijët apo gratë, që duhet trajtuar.  Vetëm gjatë vitit të kaluar u regjistruan 20 raste dhune, por në mungesë të një qendre emergjence dhënia e ndihmës në kohën e duhur mbetet e vështirë. Zyrës së Shërbimit Social dhe Strehimit të bashkisë Maliq, i duhet të vërë në dijeni  Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, që kjo e fundit të gjejë mundësinë e strehimit të tyre për trajtim social. Por që të finalizohet dhënia e ndihmës, pas marrjes së njoftimit, duhet të mblidhet grupi multi-disiplinor, i cili përbëhet nga shumë aktorë me kompetencën për të ofruar ndihmë në qendra emergjence shtetërore apo dhe private. Megjithatë, kur personave të traumatizuar nuk u jepet ndihma në kohë, kalimi i traumës për ta bëhet edhe më i vështirë ose le gjurmë.

 

Qendrat e emergjencës janë vëmendje ndaj qytetarit

Tashmë edhe Bashkia Maliq, ngritjen e qendrave të emergjencës për fëmijët dhe gratë e dhunuara, e konsideron më se të nevojshme, pasi gjatë viteve të kaluara u është dashur të kërkojnë jo vetëm ndihmën e institucioneve publike, por dhe të atyre private, si fondacioni Kenedy apo Word Vizion. Domosdoshmëria e qendrave të strehimit rrjedh edhe nga një fakt tjetër:  Në qendra të tilla emergjence nuk gjejnë strehim vetëm personat e dhunuar, por edhe gjithë njerëzit e tjerë, që befas gjenden në kushte emergjence, pa asnjë lloj ndihme. Të tillë janë familjet me shumë anëtarë, familjet që mbeten pa shtëpi, jetimët, individët e vetmuar etj. Por që të ofrosh ndihmë nuk duhet vetëm ndërtesa, por edhe punonjës të kualifikuar, psikologë punonjës të specializuar. Pra, të ofrosh një shërbim të tillë do të thotë që bashkia vërtet ka pasur në qendër të vëmendjen qytetarin, njeriun që mbetet mes katër udhëve apo dhunohet prej familjes apo njerëz të tjerë.

Qytetarët e Maliqit, shpresojnë…

Sipas burimeve tona pranë Bashkisë Maliq, ngritja e qendrës së emergjencës është përfshirë në planin e kujdesit social 2019-2022, i cili ka marrë edhe miratimin e Këshillit të Bashkisë Maliq, pasi sigurimi i këtij shërbimi vjen edhe si një detyrim ligjor për ofrimin e ndihmës dhe trajtimin, jo vetëm ndaj kategorive të cituara më sipër, por edhe ndaj familjeve në nevojë, ndaj personave me aftësi të kufizuar, ndaj fëmijëve të dhunuar dhe kategorive të tjera vulnerabël. Deri më tani, emergjenca të tilla ishin trajtuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose nga privati; madje para pak javësh Fondacioni “Kenedy”  ngriti një qendër për djemtë e braktisur, gjë që tregon se problematika të tilla janë të shumta dhe kërkojnë zgjidhje emergjente. Rritja e numrit të zgjidhjeve martesore sjellin me vete dhe  problem të tjera, të cilat nuk mund të përballohen pa ndihmën e institucioneve  e kujdesit shoqëror. Megjithatë, ajo çka nuk dihet saktësisht ka të bëjë me afatin kohor, kur do të fillojë ngritja e kësaj qendre nga vetë bashkia Maliq, pasi, nëse do të lihet në fund të planit të miratuar, pra, për vitin 2020, mund të thuhet se ngritja e kësaj qendre do të ishte shumë e vonuar, kur realisht ajo është bërë e domosdoshme.