Pogradeci ka çelur sezonin turistik dhe çdo verë pret vizitorët. Edhe kjo verë ka sjellë jo pak ndryshime në këtë qytet. Si gjithmonë në këtë prag zgjedhjesh qyteti është kthyer në një kantier të madh pune: Punohet me intensitet që të mbarojë patjetër para datës së votimeve rruga problematike nga fshati Lin deri në Pogradec, e cila ishte filluar nga qeverisja e demokratëve dhe ngeli si pëlhura e Penelopës. Ata që kanë udhëtuar në atë aks e dinë se çfarë kanë hequr për gati 5 vjet zvarritje. Në qytet arnohen disa rrugë problematike si ajo që të çon në Drilon apo janë duke u riparuar rrugët dytësore që kalojnë përbri fshatit Buçimas – Tushemisht. Në qytet ka filluar të funksionojë plazhi i ri nga rezidenca qeveritare deri në fshatin turistik të Tushemishtit. Por bregu është tepër i ndotur nga mbeturinat që nuk mbahet mend qëkurse nuk janë pastruar. Megjithëse këto ditë sheh disa punëtorë që po mundohen të pastrojnë bregun por sasia e mbeturinave është shumë e madhe. Pogradeci është një mrekulli që natyra dhe njerëzit e saj me mikpritjen e tyre të ftojnë të rikthehesh përsëri por sapo sezoni ka filluar pushuesit kanë konstatuar disa dukuri shqetësuese…
Qytetit i mungon unaza
Është vërtet paradoksale që në një qytet turistik si Pogradeci që në sezonin veror i trefishohet popullsia të përfshihet në një kaos urbanistik. Në të njëjtën rrugë në mes të qytetit të kalojnë kamionët e mëdhenj mësipërmes qytetit, makineri të rënda, autobusët dhe makinat e vogla. Prej disa vitesh Bashkia ka luajtur pingpong me pushtetin qendror. Njëra palë thoshte e ka qendrori e pala tjetër e ka Bashkia e qytetit. Koston e paguajnë qytetarët, qyteti gëlon me zhurmë e pluhur natë e ditë në rrugët kryesore të tij, ndërsa unaza e qyteti e ndërtuar para disa vjetësh nuk funksionon pasi sapo u ndërtua u shkatërrua nga cilësia e dobët duke u hapur gropa gjigande në të gjithë gjatësinë e saj.
Ku janë rojet e liqenit?
Një fëmijë i vogël nga Elbasani ka shpëtuar mrekullisht para dy ditësh nga një mbytje. Liqeni i Pogradecit njeh shumë tragjedi njerëzore. Vetëm verën e kaluar janë mbytur në liqen në plazhin e Pogradecit 5 persona nga 7, 18 deri në 25 vjeç dhe një tjetër 55 vjeç. Skafet e shumtë dhe gomonet që ka policia kufitare deri tek një skaf i ardhur para pak kohësh 180 mijë euro qëndrojnë të ankoruara tek moli i qytetit. Skafet vitin e kaluar janë përdorur vetëm për nxjerrjen e kufomave nga fundi i liqenit dhe sjellja e polumbarëve nga Durrësi se në shumë raste trupat e viktimave janë nxjerrë pas shumë ditësh. Sipas një logjike të thjeshtë do të jetë më mirë që skafet të përdoren dhe të patrullojnë për të shpëtuar jetë njerëzish se sa të nxjerrin kufoma pa jetë nga liqeni siç ka ndodhur vitet e kaluara!
Ndërkohë që në bregun përtej liqenit në Ohër janë rreth 120 roje të liqenit të pajisur me skafe dhe vetëm gjatë muajit qershor dhe javën e parë të korrikut rojet e liqenit kanë shpëtuar rreth 30 persona nga mbytja në liqen.
Po “puthemi” me gratë e shokëve nëpër gotat e birrës
Buzë liqenit shtrihet parku i madh i qytetit me një sipërfaqe prej 320 mijë metra katrorë. Parku ka ambiente çlodhëse plot lule erëmira. Por një fenomen i ri ka filluar kohët e fundit. Bashkia e qytetit ka pajisur shumë lokale ambulante me lejë nëpër ambientet e parkut të cilët kanë ngritur lokale ambulante ku shesin birra dhe qofte zgare. Aty mungojnë edhe elementët më të thjeshtë që nga uji i pastër për të larë gotat deri tek vendi ku do të derdhen këto mbeturina. Parku ka marrë pamjen e një qebaptore të madhe ku të mbyt tymi .
– Ç’ po ndodh kështu, tha një qytetar për gazetën “Telegraf”, këto lokalet jo vetëm që na kanë krijuar probleme shëndetësore por po na ndajnë nga gratë. Dje, tha ai, shkova në shtëpi i llangosur me të kuq buzësh. Ku je puthur, m`u hakërrua gruaja në shtëpi. Asgjëkund vetëm kam pirë birrë në park. Shkuam bashkë me gruan tek lokali që para pak kohe, kisha konsumuar disa gota birrë. Radha e gotave që boshatiseshin nga vapa rimbusheshin ende pa u larë. Duket mua më kishte rënë ndonjë gotë birre që kishte pirë ndonjë zonjë me buzë të kuqe. Eh, tha ai, po “puthemi” me gratë e shokëve nëpër gota. Ky park me lulet erëmira që dikur i kishin dhënë Pogradecit epitetin “Qyteti i Luleve” është kthyer në qytet të qofteve maqedonase ku të mbyt tymi dhe era e vajit të djegur.




















