Plazhi i Durrësit, 10 ditë pa ujë, paditen në Prokurori ata që çanë tubacionin

514
Sigal

Edhe ky sezon veror ka patur mjaft probleme me furnizimin me ujë dhe sidomos  në zonën e plazhit. Pronarë hotelesh e banorë të disa sektorëve në plazhin e Durrësit ankohen se kanë 10 ditë pa u furnizuar me ujë të pijshëm. Përpara disa ditëve Ujësjellësi ndërhyri në disa zona rurale të Qarkut dhe ndërpreu disa lidhje të paligjshme në tubin kryesor të ujit me seksion 700 mm me qëllim rritjen e prurjeve në zonën e  plazhit. Por disa prej banorëve kanë rilidhur përsëri me tubacionin qendror kështu që emrat e tyre kanë përfunduar në polici e Prokurori  për tu ndjekur penalisht. Prej disa ditësh janë shfaqur përsëri problemet e furnizimit me ujë në zonën e plazhit në Durrës si në “Iliria”, “Hekurudha”dhe “Apolonia” pjesa nga ana e detit. Problem ka qenë vetëm zona e sektorit Iliria. Shqetësimet  janë shfaqur për shkak se temperaturat e ajrit janë rritur dhe konsumi i ujit është dy dhe trefishuar në plazh dhe në qytet. Ndërkohë, pronarët e hoteleve, vilave dhe restoranteve si dhe banorët e plazhit vazhdojnë të ankohen se nuk po marrin furnizim me ujë. Aksioni i ndërmarrë para disa ditëve nga Drejtoria e Ujësjellës–Kanalizimeve për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në tubacionin kryesor të ujit në zonat rurale ka sjellë fare pak përmirësime të situatës së furnizimit te zonat kritike. Aksioni kishte  për qëllim pikërisht rritjen e prurjeve të ujit në zonën e plazhit. Pas ndërprerjeve që realizuam është verifikuar se disa prej banorëve kanë ndërhyrë sërish në tubacionin kryesor të ujit dhe marrin ujë përsëri prej andej në kurriz të banorëve të plazhit dhe të Durrësit. Pas kësaj që ngjau drejtuesit e Ujësjellësit kanë dërguar në polici denoncimet me emrat e 10 shtetasve që kanë shkelur ligjin të cilët do të ndiqen penalisht për këtë vepër penale. Ligji parashikon 3 vjet burg dhe gjoba disa milionëshe për ata që venë dorë në tubacionet e ujësjellësve.

Artur AJAZI