Plani në heshtje i një gjakmarrjeje, 17-vjeçari merr hak për babanë e vrarë

374
Sigal

Florian Përvathi, i cili mori gjakun e babait të tij, Gjon Përvathi, ishte katër vjeç kur humbi të atin.

Ai nuk e pa kur fqinji i tyre Ndue Lekgjonaj e qëlloi me pushkë dhe la të vrarë brenda në zetor. As kur autori duke u larguar me shpejtësi për të mos u kapur nga policia, i aksidentoi vëllanë e madh. Por ishte në shtëpi kur nëna e tij Martine Përvathi, 40 vjeçe piu helmin në prani të motrës së saj, dhe vdiq menjëherë pasi i vranë të shoqin dhe i aksidentuan djalin, pasi mendoi se i vdiq edhe ai.

Gjyshërit Përvathi e morën Florianin dhe e larguan nga shtëpia, larg dy xhenazeve burrë e grua. 4-vjeçari rikthehet në familje disa ditë më vonë, kur nënë e babë ishin përcjellë në banesën e fundit dhe vëllai ndodhej në spital.

Fëmija kalonte orë e ditë të ashpra pranë plakut të shtëpisë që e mbante gjithmonë me vete. Aty mësoi që babai iu vra pas një nate, ku kishte kthyer dy gota alkool dhe qëlloi me armë mbi çatinë e fqinjëve.

Të mëdhenjtë i treguan se nëna e tij helmoi veten se nuk përballoi dot dy vdekje në një shtëpi, siç kujtoi ajo që pas burrit i vranë edhe djalin e madh.
Familja Përvathi nuk pranoi pleqtë për pajtim edhe pse u tentua disa herë. Të gjithë në Manati të Lezhës e dinin se Përvathët dhe Lekgjonajt ishin në gjak!
Me hasmit komshinj, me kalimin e viteve Floriani mësoi nga të moshuarit se gjaku i babait të tij nuk ishte falur.
Nuk dihet kur Floriani, sot 17-vjeçar vendosi të zbatonte ligjet e kanunit, por ai nuk e bisedoi me askënd planin.

Vdekja e gjyshit e ashpërsoi më shumë adoleshentin; Nuk luante e as qeshte më bashkëmoshatarët. Ditët iu ngrysën edhe më shumë kur vëllai i tij i përfundon në burg. Jeta vërtitej sa në derën e njërit xhaxha në derën e tezes.
Sot ai vendosi të mbyllë hesapet me kanunin dhe veten e tij.
Kur Lek Lekgjonaj, vëllai i vrasësit të babait po futej në shtëpi, Floriani iu afrua dhe qëlloi me pistoletë. Më pas iu dorëzua policisë dhe tha: Po unë e vrava!