Përurohen godinat e reja në “Qytetin Studenti”, Veliaj: Me kushte shumë herë më të mira dhe rezervim online

34
Sigal

Pesë godina të reja, me standarde evropiane, i shtohen “Qytetit Studenti” në Tiranë. Transformimi i konvikteve të studentëve vjen falë mbështetjes financiare të Qeverisë Gjermane, përmes Bankës KfW, ku përfshihet edhe rikonstruksioni i 15 godinave të tjera, me programin “Rehabilitimi me efiçencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”. Nga ky investim përfitojnë më shumë se 2.600 studentë shqiptarë, çka përmirëson ndjeshëm kushtet e tyre të jetesës dhe të studimit.

Gjatë ceremonisë së përurimit, ku mori pjesë Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën gjermane, Thilo Schroeter dhe përfaqësuesi e Bankës gjermane për Zhvillim KfW, Stephan Opitz, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky investim në bashkëpunim me qeverinë gjermane ofron një realitet të ri për të studentët. “Sot nuk po përurojmë 5 ndërtesa, nuk po bëjmë 5 fjalime, sot nuk po tregojmë si u shpenzuan 5 para, por kemi bërë që fillimi të jetë i lehtë për 666 studentët e parë, – mbi 30 studentët e Kolegjit të Europës dhe studentët e tjerë shqiptarë – të cilët, do të kenë të njëjtat kushte, të njëjtin standard, të njëjtin administrim, si në të gjitha kolegjet e Bashkimit Europian”, tha Veliaj.

NOA

Ai shtoi se finalizimi i kësaj pune i shkon për shtat aspiratës “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, por edhe ritmit të bashkisë në mbylljen e projekteve. “Gjermania është donatori më i madh sot dhe duhet ta pranojmë këtë. Ka rekorde që i thyem në lojërat olimpike, po ky është rekordi ynë për përfundimin e shpejtë të punëve të shpeshta që ne bëjmë së bashku. Ky fryt sot i është përgjigjur asaj aspiratës ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’”, shtoi ai më tej.

Kryebashkiaku iu përgjigj edhe kritikëve në lidhje me kushtet, të cilat i cilësoi më të mira se në konviktet e Berlinit. Ai u bëri thirrje studentëve që të tregohen bashkëpunues për të mirëmbajtur ambientet. “Po shikoja para ca ditësh një postim, në një nga këto faqet, ku një studente e një prej konvikteve tona të reja kishte postuar një tiganë dhe pjata të palara, që kishin zënë krimba. Qeveria, bashkia, ambasada, BE, KfW, mund të investojë deri në njëfarë mase, por nuk ka bashki, qeveri, apo ambasadë në botë që të lan pjatat. Nuk ka bashki, ambasadë, qeveri në botë që të hekuros dhe të lan rrobat. Nuk ka ambasadë, qeveri, bashki në botë që të fshin pluhurat. Por, ky është edhe një moment rritjeje, është edhe një mundësi e jashtëzakonshme për t’u rritur si njeri. Dikush rritet nga vështirësitë që i kanë ndodhur në jetë, dikush rritet nga puna që ka bërë familja, dikush rritet nga një eksperiencë e re. Kjo është një eksperiencë e re. Gjysmën e pagesës prej 65 mijë lekësh të konvikteve, e paguan bashkia; pra, çmimi tashmë është i subvencionuar, por aty nuk përfshihet edhe larja e enëve, as rregullimi iI krevatit. Ky nuk është një hotel, por është një shtëpi, shtëpia jonë e përbashkët dhe duhet të kujdesemi për këtë”, tha Veliaj.

Krahas kushteve fantastike, kreu i Bashkisë dha një tjetër lajm të mirë për studentët, të cilët tha se mund të përdorin aplikacionin Tirana ime për të rezervuar një dhomë në “Qytetin Studenti”. “Lajmi i mirë është se duke filluar nga sot, te aplikacioni “Tirana ime”, siç rezervohet një hotel online, ashtu mund të rezervohet edhe një dhomë në “Qytetin Studenti”. Besoj se është mënyra më transparente e asaj që quhet kush aplikon i pari, shërbehet i pari, dhe besoj se është një mënyrë ideale edhe për t’i përdorur këto lehtësira”, shtoi Veliaj.

Nga ana tjetër, Veliaj bëri një përmbledhje të punës tranformuese që ka ndodhur ndër vite në Qytetin Studenti. “Në vitet ‘90 “Qyteti Studenti” ishte një dramë, por nuk ishte fillim i vështirë, ishte fillim kalvar, sfidues. Më kujtohen fuçitë e naftës, që mbusheshin me ujë, dhe ato sapllaket; më kujtohet dushi me orar, apo zaptimi i godinave. Sot nuk i kemi më ato sfida”, nënvizoi kryebashkiaku.

Në mbyllje, kryebashkiaku i Tiranës tha se sfida tashmë është që modeli i godinave në “Qytetin Studenti” të replikohet edhe në universitete të tjera. Të pranishëm në ceremoni ishin dhe i Ngarkuari me Punë i Gjermanisë, Thilo Schroeter, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, anëtari i Komitetit Drejtues të Bankës për Zhvillim KfW, Stephan Opitz.