Përse vdekshmëria është e ulët në Gjermani?

379
Sigal

Nga Billy Perrigo – Time

Me më shumë se 63.000 raste të konfirmuara të COVID-19 që prej 30 marsit, Gjermania është një nga vendet më pak të prekura nga pandemia, sipas statistikave zyrtare. Deri më tani dihet se 560 njerëz kanë gjetur vdekjen për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke e çuar shkallën e vdekshmërisë për shkak të pandemisë në Gjermani në vetëm 0.9 për qind.

Kjo e rendit Gjermaninë shumë larg vendeve si Italia, ku 11 për qind e pacientëve të prekur nga virusi kanë vdekur, si dhe SHBA-së që ka një normë vdekshmërie prej 1.8 përqind. Sipas ekspertëve, arsyeja e vdekshmërisë së ulët, shpjegohet me testimet e saj më të shumta.

Dr.Dietrih Rotenbaher, drejtori i Institutit për Epidemiologji në Universitetin e Ulmit në Gjermani, u shpreh për “Time” se në disa vende, si për shembull Italia, testohen vetëm rastet shumë simptomatike, dhe në disa vende të tjera si Gjermania, aplikohet një strategji më e gjerë testimi.

Kjo do të thotë se përsa kohë Gjermania vazhdon të jetë vaktualisht vendi i pestë në botë për nga shkalla e përhapjes së infeksionit, shanset janë që ajo të ketë më pak raste të raportuara, ndryshe nga shumë vende të tjera, ku testimi është më i vështirë për t’u realizuar.

“Midis vendeve ka disa arsye, pse shkalla e vdekshmërisë  mund të ndryshojë, por ato janë shumë të vogla krahasuar me ndikimin që ka testimi”-thotë Dr.Liam Smet, profesor i epidemiologjisë klinike në Shkollën e Higjenës Mjekësisë Tropikale në Londër.

Ai shprehet më tej se “shumë shpejt Gjermania nisi të testojë një numër të madh njerëzish, në raport me popullsinë”. Prej datës 15 mars, Gjermania renditej pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Koresë së Jugut dhe Australisë, si vendi që kishte bërë më shumë testime në raport me numrin e popullsisë, me rreth 2.023 testime për 1 milionë njerëz.

Më 20 mars, Lotar Vieler, presidenti i Institutit Robert Koh, organi shëndetësor publik kryesor i Gjermanisë, tha se laboratorët gjermanë tani janë në gjendje të kryejnë rreth 160.000 teste në javë, më shumë sa u kryen dy muajt e fundit, nisur nga 15 marsi.

Në janar, Gjermania u bë një nga vendet e para që zhvilloi një metodë të besueshme për testimin e COVID-19. Pa u penguar nga ndonjë organ rregullator qendror, pasi kujdesi shëndetësor administrohet në nivel landesh në Gjermani, kompanitë private u mobilizuan menjëhere për të prodhuar në masë teste, në mënyrë që ato t`i bëheshin gjithë popullatës.

Të paktën 1.4 milion teste të shpërndara në të gjithë botën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë deri në fund të shkurtit, u prodhuan nga një kompani gjermane me qendër në Berlin. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe Barnave, ngeci.

Ajo u vonua deri në fillim të marsit, kur lejoi disa kompani të mëdha të prodhojnë testet e tyre, duke çuar kështu në mungesën e tyre në spitale. “Gjermania i shpërndau shumë shpejt testet, që gjatë kohës që epidemia ishte në rritje. Kjo tregon se autoritetet ishin selektivisht më të predispozuara të identifikonin rastet me simptomat më të lehta”-tha për “Time” Smet.

Vendet që nuk i kishin kapacitete të tilla, u detyruan t’i jepnin prioritet testimit të rasteve më të rënda, duke lënë të padiagnostikuara rastet me simptoma të lehta, dhe duke mos i përfshirë kështu në shifrat zyrtare.

“Sa më shumë raste të konstatohen, aq më shumë ulet numri i vdekjeve”-thotë Smet. Edhe pse popullsia e Gjermanisë dhe e Italisë, kanë një moshë mesatare të ngjashme të popullsisë – ato janë dy vendet më të moshuara në Bashkimin Evropian – mosha mesatare e popullsisë së Gjermanisë që është infektuar nga COVID-19 është më e ulët:46-vjeç në krahasim me Italinë që është 63 vjeç. Smet thotë se mosha mesatare më e ulët, ka të ngjarë të jetë vetëm një efekt anësor i testimit të përhapur. “Nëse testohen më shumë njerëz, atëherë do të vërehet një shpërndarje e rasteve pozitive tek moshat më të reja. Kjo nuk do të thotë se shpërndarja e vërtetë e moshës së të prekurve me virus, është rrënjësisht e ndryshme midis dy vendeve”-thotë eksperti gjerman.

Gjermania ka gjithashtu një numër të madh shtretërish të kujdesit intensiv, dhe kjo do të thotë që spitalet e saj nuk janë mbingarkuar deri më tani me pacientë COVID-19 në të njëjtën mënyrë disa spitale në veri të Italisë.

Referuar të dhënave të publikuara në vitin 2012, Gjermania kishte 29.2 shtretër të kujdesit intensiv për 100.000 njerëz – më shumë se dyfishi i 12.5 të Italisë. Në SHBA, kjo është edhe

më e lartë, 34.2. Dhe këto shtretër, janë zënë aktualisht vetëm 70-80 për qind sipas “Deutsche Krankenhausgesellschaft” (DKG).

“Kjo do të thotë se ka kapacitete të mjaftueshëm për pacientët e sëmurë rëndë me koronavirus”- thotë DKG në faqen e saj të internetit. Por numri relativisht i ulët vdekjeve në Gjermani nuk do të zgjasë, edhe nëse këtë e tregojnë raportet.

COVID-19 mund t’i mbajë për javë të tëra në agoni pacientët e sëmurë rëndë, përpara se t’i vrasë ata. Dhe vendi është në një fazë më të hershme se Italia, përsa i përket transmetimit të sëmundjes. “Ne në Gjermani jemi në një fazë të hershme të pandemisë. Numrat e viktimave janë gjithmonë në vonesë kohore. Brenda 2-3 javëve numrat mund të jenë të ndryshëm”- thotë Rotenbaher.