Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna dolën nga shtati duke përmbytur edhe hyrjen e qytetit si dhe disa prej lagjeve periferike. Një situatë e ngjashme, ndonëse në përmasa shumë më të mëdha, ka ndodhur në qytetin e Shkodrës gjatë përmbytjeve masive të vitit 2010.
Për shkak të prurjeve të shumta nga territori i Malit të Zi, Liqeni i Shkodrës arriti sot nivelin 9 metër e 15 centimetër, ose 45 centimetër mbi nivelin maksimal. Ndërsa në Lumin Drin, niveli i ujit kaloi me 10 centimetër kuotën maksimale. Koorporata elektroenergjitike (KESH) njoftoi se uli në 300 metër kub në sekondë, shkarkimet nga portat e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, të cilat një ditë më parë arritën në 850 metër kub ujë në sekondë.
Në krahasim me dje, harta e përmbytjeve u zgjerua të enjten me 1025 hektarë duke arritur në një sipërfaqe totale prej 5300 hektarësh, pjesa më e madhe në Dajç dhe Anë të Malit. Në Obot 4 banesa janë të përmbytura, ndërsa në Dajç dhe Berdicë 145 banesa gjenden të rrethuara nga uji. Rruga e Obotit dhe disa fshatrave të Dajçit janë të bllokuara nga uji. Si pasojë e përmbytjeve, rreth 200 shtëpi në zonën periferikeve të Livadheve kanë prani uji në oborre, ndërsa në 5 të tjera uji ka hyrë në banesa.
Forcat e armatosura shtuan sot praninë në territoret e përmbytura, në mbështetje të banorëve dhe autoriteteve vendore. Disa automjete të larta transporti dhe 7 varka të ushtrisë ishin në zonën e përmbytur të Nënshkodrës. Gjatë paradites u evakuuan 3 familje nga lagjet periferike të qytetit, ndërsa ne Dajç dhe lagjen e Livadheve, forcat dhe mjetet e ushtrisë mbështetën evakuimin e bagëtive dhe shpendëve nga dy ferma bujqësore të rrezikuara.
Përmbytjet në Shkodër nisën 35 ditë më parë dhe, që nga ajo ditë, harta e pëmbytjes ka vazhduar të zgjerohet, duke shkaktuar dëme të shumta për mijëra fermerë të zonës së Nënshkodrës. Prej disa ditësh, Bashkia e Shkodrës vazhdon të kërkojë nga qeveria shpalljen e “Gjendjes së fatkeqësisë natyrore” për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të siguruar kompensimin për dëmet që u janë shkaktuar.





















