Përfundon afati për plotësimin e Formularit A2

352
Nesër është afati i fundit për plotësimin e formularit A2, për të gjithë maturantët të cilët duan të fitojnë të drejtën e studimit në Universitet. Do të jenë maturantët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Matit dhe Bulqizës të cilët do të plotësojnë të fundit formularin duke aplikuar online. Ndërkohë deri tani mësohet se plotësimi i formularit është shoqëruar me një fluks të madh maturantësh të cilët kanë aplikuar pothuajse në të gjithë vendin. Tashmë është kthyer në trend që maturantët me rezultate të larta priren më shumë drejt zgjedhjes së degëve të mjekësisë, ekonomisë, matematikë-informatike. Pra deri tani mësohet se numri i aplikuesve rezulton të jetë i lartë drejt shkencave ekzakte, ku edhe numri i pikëve të kërkuara për të qenë fitues është më i lartë. Por procesi i plotësimit të Formularit A2 për Maturën Shtetërore 2015 është shoqëruar edhe me mungesë informacioni në lidhjen me mënyrën se si aplikohet, për këtë maturantët janë paraqitur në shkolla për të kërkuar informacion shtesë për procesin. Maturantët deri tani i janë nënshtruar plotësimit të formularit online në datën e përcaktuar për qytetet e tyre, por në rast se ata nuk kanë aplikuar sipas rregullores e kanë humbur të drejtën për ta plotësuar dhe për të fituar të drejtën e vazhdimit të studimeve të larta. Kështu maturantët e Tiranës qark dhe qytet ë kanë bërë plotësimin e formularit ditën në datën 27, 28, 29 korrik. Në datën 29 korrik, mundësinë për aplikim e kanë pasur maturantët e Kamzës, Kavajës, Durrësit dhe Krujës. Maturantët e qyteteve Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë dhe Devoll kanë plotësuar formularin me 30 korrik, ndërsa maturantët e Fierit, Mallakastrës, Lushnjes, Beratit, Kuçovës, dhe Skraparit kanë aplikuar me 31 korrik. Në datën 1 gusht kanë vijuar plotësimet e formularit maturantët në Shkodër, Malësinë e Madhe, Pukë, Lezhë, Kurbini dhe Mirditë. Ndërsa sot me 3 gusht i nënshtrohen plotësimit kandidatët e Vlorës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit. Ashtu si vitet e kaluara edhe këtë vit kandidatët maturantë kanë të drejtë të përzgjedhin 10 preferenca në bazë të 289 degëve të listuara. Përcaktimi i fituesve do të bëhet në bazë të parimit meritë-preferencë, ku përcaktohet në bazë të pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të maturës shtetërore dhe programeve të caktuara studimi. Plotësimi i Formularit A2 është kusht për të fituar të drejtën e studimeve të larta, ndërsa formulari është i personalizuar për secilin maturantë, në bazë të të dhënave që ai ka plotësuar në formulari A1Z.