Pensionistet përsëri të nënvlerësuar

711
Sot rreth 40% e të moshuarve në Mirditë jetojnë në varfëri, në kushte të krizës së mbijetesës. 50% e pensionistëve vuajnë nga sëmundje të ndryshme profesionale (silikoze) nga kushtet e rënda të punës që kanë kryer gjatë jetës.

Kjo kategori sot jeton në mëshirë të shtetit. Po ata nuk kërkojnë, as lëmoshë e as mëshirë. Ky brez pensionistësh asnjëherë nuk është vlerësuar për ndihmesën qe i ka dhënë shoqërisë në dekada. Ajo kërkon pagesë pleqërie për mundin e djersën e derdhur, nëpër veprat e mëdha, të cilat shoqëria iu ka vjelë të mirat dje dhe disa prej tyre edhe sot, për të përballuar jetën.

Po pse është kjo gjendje e pensionistëve? Sepse gjatë këtij tranzicioni të gjatë që s’po mbaron, si qeverie e majta dhe të djathta, nuk i kanë përfillur kërkesat e tyre legjitime…Në fakt, ua kanë qarë hallet, kanë bërë premtime e përbetime, por vetëm gjatë fushatave elektorale, se pastaj: “Mirupafshim në fushatën tjetër!”.

Kjo kategori e popullsisë nuk ka as kushtet më minimale e të domosdoshme të jetesës në mënyrë që të mos i ndjejë hallet e dhimbjet e moshës. Si mund ta përballojë një pensionist jetesën me pagë 14 mijë lekë në muaji? Le të bëjmë një llogari të thjeshtë: Sa lekë duhet për t’u ushqyer, sa për veshmbathje, sa për të paguar dritat, sa për të marrë ilaçet, por edhe sa për të shkuar për në ndonjë qokë në raste gëzimi e hidhërimi tek njerëzit e afërm apo shokë e miq? Se njerëz jemi e s’mund të jetojmë jashtë shoqërisë…Një llogari të tillë nuk e bëjnë, se nuk duan ta bëjnë pushtetarët. Prandaj kjo shtresë e shoqërisë është ndarë nga shoqëria për së gjalli.

Edhe pse jemi shtresa kryesore që kemi përkrahur të gjitha reformat e kësaj qeverie, ne jemi të ndërgjegjshëm, se reforma e skemës së funksionimit të pensionistëve nuk favorizon këtë kategori. Prandaj edhe ca gjëra duhet t’i themi ashtu siç janë. Dalëngadalë po mbushen 3 dekada nga vendosja e pluralizmit dhe nuk kemi dëgjuar qoftë edhe njëherë të vetme në parlament të kacafyten deputetë për të drejtat legjitime të pensionistëve, ashtu siç kacafyten çdo të enjte duke fyer e sulmuar njëri tjetrin për atë të shkretë pushtet e për ato të shkreta karrige, për vete…Në zgjedhjet e 25 qershorit na u premtua dhe vërtetë patëm shpresë, se premtimi për rritje pensioni, për shpërblime në festat e fundvitit, rreth 10 mijë lekë të reja, do na krijonte disa kushte të favorshme për ne moshën e tretë, por premtimet mbetën atje ku u bënë. Fushata mbaroi, zgjedhjet përfunduan, premtimet po vijnë duke u harruar, pasi shtesa e pagës së pensionistëve është 0%…Shpërblimi për festat e fundvitit, siç është bërë e ditur, do të jepen 3 mijë lekë të reja, ndërsa rritja e pensionit për vitin 2018 parashikohet 2%…Na vjen keq që ta themi, po këto rritje janë qesharake për këtë shtresë që ka punuar me mish e me shpirt tërë jetën. Ne nuk do ta besonim që në Mirditë që ka qenë zonë industriale, ku ka pasur shumë miniera dhe shumica e pensionistëve kanë qenë minatorë e të tillë kanë dalë edhe në pension, që kanë dhënë aq shumë për shoqërinë e kanë vuajtur e vuajnë nga sëmundje profesionale, të marrin 14 mijë lekë në muaj!

Janë me mijëra pensionistë të tjerë që kanë ndërtuar vepra të mëdha çdo 5-vjeçar në sistemin e kaluar shoqëror, që ka lënë gjurmët e tyre kudo ku i thërriste detyra, që kanë punuar me përkushtim e ndërgjegje në sektorët më të vështirë duke rrezikuar edhe jetën, ndërsa sot në demokraci lihen mënjanë, pa kujdesin e duhur njerëzor.
Aleksandër Kabali
Sekretar i Këshillit Zonal të Organizatës së Veteranëve LANÇ të Zonës Kthellë-Mirditë
Sigal