Pensionistët e profesioneve të lira do të duhet të paguajnë sigurime, u është hequr përjashtimi

614
Shfuqizimi nga Gjykata Kushtetuese i vendimit për pagat referencë të profesioneve të lira në shtator të vitit të kaluar ka krijuar një paqartësi ligjore për të gjithë pensionistët e vetëpunësuar të kësaj kategorie. Tatimet sqarojnë se, ata tashmë nuk janë më të përjashtuar nga pagimi i sigurimeve, pasi është shfuqizuar vendimi, që u sanksiononte këtë të drejtë. Kjo do të thotë që të gjithë pensionistët e vetëpunësuar si avokatët, kontabilistët, farmacistët, noterët, arkitektët, inxhinierët etj. (shiko listën e plotë në fund), që prej më shumë se dy vitesh ishin të përjashtuar nga pagimi i sigurimeve shoqërore, do të duhet të kishin paguar sigurime që nga shtatori 2016. Burime nga tatimet sqaruan për Monitor se “Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 37, datë 21.01.2016 “Për përcaktimin e pagës mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit shëndetësor për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale dhe punonjësit e papaguar që punojnë e bashkëjetojnë me të”, Ne piken 9 te tij ka pasur përcaktuar qe: “Mbështetur në pikën 3, të nenit 6, të ligjit nr. 9136, datë 1.9.2003, Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, pensionistët e regjistruar si persona fizikë të vetëpunësuar të vetëm, që punojnë në profesionet e përcaktuara në aneksin nr. 1 të këtij vendimi, nuk kanë detyrim për të paguar kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore.” Sipas këtij teksti bëhet fjalë jo për të gjithë pensionistët por vetëm për ata të listës së disa profesioneve. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 60, datë 16.09.2016, ka shfuqizuar VKM e mësipërme, pra edhe pikën 9 të tij”, përfundon sqarimi i tatimeve.

Ndryshimet ligjore
Në janar të vitit 2015, këshilli i Ministrave miratoi vendimin për “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, i cili rriste ndjeshëm pagat referencë për efekt të pagimit të sigurimeve për profesionistët e lirë. Ministria e Financave vendosi intervalin e pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve që shtrihet nga 41,250 lekë deri 73,800 lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Në bazë të këtyre shumave, profesionet e lira (si avokatë, përmbarues, inxhinierë, veterinerë, farmacistë, dentistë etj.) do të duhej të paguanin detyrimet mujore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky vendim u ankimua në Gjykatën Kushtetuese dhe në korrik të vitit 2016, vendimi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, si i papajtueshëm me kushtetutën, ndërsa hyri në fuqi në 20 shtator, me botimin në Fletoren Zyrtare. Gjykata, referuar edhe aktit të ekspertimit, konstatoi se “kriteret që vendosin dispozitat e mësipërme në llogaritjen dhe diferencimin e kontributeve nuk bazohen në një analizë teknike apo në eksperienca botërore të provuara më parë. Ato krijojnë elemente të reja pabarazie, barrë shtesë administrative për administratën shtetërore dhe tatimpaguesit, vështirësi teknike dhe pasiguri juridike me shumë elemente subjektiviteti. Por, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte pozitiv për pjesën më të madhe ai duket se ka penalizuar pensionistët e vetëpunësuar. Pika 9 e VKM-së, tashmë të shfuqizuar sanksiononte se: “Mbështetur në pikën 3, të nenit 6, të ligjit nr. 9136, datë 1.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pensionistët e regjistruar si persona fizikë të vetëpunësuar të vetëm, që punojnë në profesionet e përcaktuara në aneksin nr. 1 të këtij vendimi, nuk kanë detyrim për të paguar kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Në raste të tjera, paguajnë kontribut në nivelin minimal sipas përcaktimeve të vendimit nr. 77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”.

-Profesionet e lira, sipas përcaktimit të VKM-së 77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave
-Shoqërues dhe shpjegues në udhëtime
-Farmacist
-Mësues (mësimdhënës)
-Përmbarues
-Kontabilist i miratuar
-Përkthyes
-Veteriner
-Trajnues në veprimtari të ndryshme përfshirë edhe fushën e kulturës, artit dhe sportit
-Ndërmjetës në një proces gjyqësor
-Mjek i përgjithshëm
-Fizioterapist
– Agronom
-Mjek i specializuar
-Dentist i specializuar dhe dentist
-Vlerësues i pasurisë
-Avokat
-Noter
-Konsulent/këshillues në fushën ekonomike, fiskut, sigurimeve, si: kontabilist, ekonomist, jurist, inxhinier, këshillues fiskal dhe profesione të fushave të tjera
-Ekspert kontabël i regjistruar
– Arkitektit
– Inxhinier
– Projektues
-Programues IT (programues të aplikacioneve/zhvillues software) aktivitete të programimit informatik

Marrë nga Monitor.al 
Sigal