Pensionet, e tashmja dhe e ardhmja

800
Koço Broka
Këto ditë u botua dhe doli në qarkullim libri im “Pensionet, e Tashmja dhe e Ardhmja”.Të nderuar miq, libri trajton një nga problemet kryesore, sociale, ekonomike dhe buxhetore të vendit tonë, por dhe për çdo individ dhe familje problemet e sigurimeve shoqërore dhe roli i tyre në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë këto 30-40 vitet e fundit. Ai ndalet në ndikimin dhe rolin e faktorëve demografikë në sigurimet shoqërore, por dhe në ndikimin e tyre në monizëm, sot e në të ardhmen. Një vend të posaçem zë mprehtësia e këtyre problemeve, kompleksiteti i tyre, efekti i tyre qerthull, por dhe ndërhyrja sa më e shpejtë dhe realizimi i politikave ekonomike dhe sociale mbështetur në këtë situatë. Libri hedh dritë në paradoksin se me kalimin nga ekonomia e çentralizuar në atë të tregut është thelluar etatizmi (për të kërkuar dhe pritur nga shteti, dhe egalitarizmi (barazimtarizmi), për t’i hapur rrugën të ashtuaquajtur tasit të orizit, nga i cili hoqën dorë kinezët por e përqafuam ne shqiptarët tani duke brohoritur dhe duartrokitur për ekonominë e tregut. Është koha kur ka pak lexues të librit dhe tirazhi i tij për rrjedhojë është minimal por me mundësi ribotimi. Ka pak lexues dhe akoma më pak blerës. Çmimi është 500 lekë të reja, natyrisht shumë më i ulët se kostoja aktuale edhe për efekt të numrit të pakët. Libri gjendet në Bibliotekën Kombëtare dhe Bibliotekën e UET-së. Gjithashtu gjendet në librarinë e UET, Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin Ekonomik në Tiranë, si dhe në libraritë pranë 21 Dhjetorit dhe sheshit Willson. Mbas disa ditësh do të dërgoj disa kopje edhe në Korçë. Librit i shkonte dhe shkon simboli i tre majmunëve, nuk pashë, nuk dëgjoj nuk flas.(majmunët i zënë njëri tjetrit, sytë, veshët gojën) Goja foli, uroj që të ketë dashamirës të librit që të mundësojnë dhe hapjen e syve dhe dëgjimin. Unë besoj se mund të dëgjohemi dhe libri është realist . P.sh në të në faqe 141 thuhet “edhe në vitin 2018 aq sa ishin në vitin 2015, 8.59. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për pagat pas vitit 2014 për të cilat ka mbetur koeficienti, 1(një), pavarësisht se edhe gjatë viteve të fundit ka patur inflacion dhe për rrjedhjoë koeficientët duhet të korrektohen herë pas here.” Para disa ditësh mësova se koeficienti ka ndryshuar. Është rritur në 8.76. Pra problemet mund të marrin zgjidhje dhe se janë ngritur saktë probleme të duhura. Natyrisht disa kërkojnë reforma të thella. Por në libër dhe nëpërmjet këtij postimi kërkoj të zgjidhen gjëra shumë të thjeshta. P.sh kur del në pension punonjësi që të njofton, se të ka dalë pensioni duhet të të pajisë me librezën e pensionit por dhe pasqyrën e pagave mbi të cilën janë bërë llogarritjet e tij duke dhënë dhe koeficientët përkatës. Deri më sot nuk kam gjetur ndonjë që të dijë të bëjë llogaritjen e pensionit të vet. Ligji kërkon që të realizohet kjo që përmenda. Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk e realizon, Kryeministri flet për bashkëqeverisje. Le të zgjidhë këtë problem kaq të thjeshtë. Ai detyron që të marrësh kuponin tatimor kur ble dhe një byrek prej 30 lekësh, por nuk detyron Institutin e Sigurimeve Shoqërore të pajisë me librezën e pensionit. Miqve të mi Korçarë iu kujtohet viti 1981, kur kryeministri i kohës iu tha drejtuesve të trikotazhit, në se nuk e hiqni togun e mbeturinave të pambukut brenda javës, dorëzoni çelësat. Le të bëjë konkretisht këtë kryeministri shqiptar, dhe rruga për në hapjen e negociatave (shtetin ligjor, zbatimin e ligjit) hapet pa mëdyshshje. Nëse botimi i librit do të shërbejë vetëm për këtë objektiv unë do të ndjehesha mirë se është realizuar qoftë një objektiv i tij. “Para se të më shani, ose më duartrokisni, ose më lexoni” do të shkruante Lessingu, para 300 vjetësh…
Sigal