Pëllumb Kulla/ Ligjëroni ata që vrasin për bukën e gojës

516
Sigal

VRASIM PËR BUKËN E GOJËS

 Letër Kuvendit

Fort të nderuar deputetë! Jam nënë me një tufë fëmijësh e me burrë në burg. Ju shoh që dilni dhe e merrni fjalën në kuvend, e nxirrni celularët dhe lexoni përpara të gjithëve shqetësimet që ju dërgojnë dhe më dukeni sikur ju ka dërguar Zoti, për shpëtimtarë të njerëzisë! Po, ama, deri tani nuk po lexoni mesazhin tim. Po lexojeni ju lutem, është çështje jete dhe them që i erdhi radha edhe mesazhit që ju dërgova unë. Keni lexuar qarjet e pronarëve të mikrobusëve, që nuk kanë as patentë dhe as licenca; të atyre që mbjellin hashash dhe t’i dëgjosh ata dhe fëmijët e tyre, të këputin shpirtin dhe të mbytin lotët. Ca të tjerë, për të ushqyer fëmijët venë deri në Afrikë e nga halli ngarkojnë helme dhe drogëra me shumicë, duke rrezikuar jetët. Njëri shet mish të infektuar, njëri shet ilaçe të skaduara. Ju i mirëkuptoni se ata të gjorët, ushqejnë fëmijët… E juve ky vend, për mbështetjen që u bëni, do t’ju mbajë mend në jetë të jetëve! Por aman, ore, po ne, unë dhe im shoq, qysh do t’ia dalim?! Tokë për të mbjellë kanabis nuk kemi, dyqan jo, mikrobus jo e jo! Helikopterë nuk dimë të ngasim… Or, po nuk kemi as biçikletë! Lexojeni atë të shkretë mesazh timin! Do të preket Evropa e diçka do të bëhet për ne. Kam njëmbëdhjetë fëmijë dhe burrin në burg, për vrasje. Po a thua se vrau për qejf? Jo or jo. Vrau për të ushqyer fëmijët, i gjori. Ju për të tëra shkeljet çoku e mbyllni një sy, megjithëse dhe ato shkelje vrasin. Po bëjeni tamam: kaq vështirë e paskeni të ligjëroni vrasjet me armë?! Ne vrasim për bukën e gojës. Im shoq vrau po, nuk ka bota një njeri më shpirtmirë se ai, i gjori! Nuk është kriminel ai, or jo.
Ligjëroni edhe vrasjet. Nuk bëhet kiameti për dy- tre mijë të vrarë lart e poshtë nëpër Shqipëri! Na lini të ushqejmë fëmijët!