PD: Kompania Albpetrol vjedh pasurinë publike.  Albetrol: Akuzat e PD-së shpifje

608
Sigal

Prokuroria e Fierit po heton daljen e qindra mijë tonë naftë nga Albpetrol pa faturë, për t’u shitur në treg

Akuzat ndaj abuzimeve në Albpetrol kanë nxitur debate të ashpra jo vetëm mes kompanisë por dhe mes përfaqësuesve më të lartë politik në vend, në opozitë dhe pushtet. Kështu, Partia Demokratike ka akuzuar këtë ndërmarrje për abuzime skandaloze me pasurinë e shqiptarëve, ku sipas saj, që nga ardhja në pushtet e së majtës, deputeti Koço Kokëdhima është bërë padron i kësaj kompanie. Ndërsa në një komunikim zyrtar Albpetrol-i mohon akuzat duke shtuar se ndaj saj, nuk ka asnjë çështje penale në Prokurorinë e Fierit.Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebiaj u shpreh se, Albpetrol, një nga asetet më të çmuara publike, është kthyer për një vit në një simbol të abuzimit dhe përfitimit, zhvatjes e bastisjes, me anë të menaxhimit që i bën deputeti Koço Kokëdhima. “Koco Kokëdhima e kontrollon këtë ndërmarrje publike 24 orë në ditë. Nga roja i portës hyrëse e deri tek drejtori i Përgjithshëm, janë të gjithë njerëzit e besuar të Koços, të afërm, familjarë, punonjës të bizneseve të tij. Për shkak se vjedhja është kthyer në normë, Prokuroria e Fierit po heton një rast skandaloz të pak ditëve më parë ku qindra mijë tonë naftë kanë dalë nga Albpetrol pa faturë, për t’u shitur në treg. Pra qindra mijë tonë naftë e vjedhur, pasuri e shqiptarëve, e cila shkon drejt e në xhepat e Koço Kokëdhimës. Vjedhja dhe nxitimi për t’u pasuruar shpejt, makutëria e Kokëdhimës, ka bërë që ushtarët e tij që kontrollojnë Albpetrol, nga roja i derës hyrëse e deri tek Drejtori i Përgjithshëm, të zhyten në arin e zi pa fre, dhe këtë e ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që për një vit gjeti 10 milionë euro abuzime. Partia Demokratike i bën thirrje drejtësisë të mos tërhiqet para presioneve të superdeputetit të Edi Ramës, të tregojë përkushtim për mbrojtjen e pasurisë publike, e të zbatojë ligjin deri në fund. Edhe oligarkëve më të rrezikshëm një ditë u ikën koha, dhe japin llogari para popullit e para drejtësisë, për zullumet që kanë shkaktuar”- përfundoi zëdhënësja Nebiaj. Reagimi i Albpetrol: “Shoqëria Albpetrol sh.a dëshiron të sqarojë opinionin publik se deklarata e sotme e Partisë Demokratike është në lidhje me hetimet e prokurorisë për shoqërinë tonë është një shpifje. Në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier nuk ka asnjë çështje për nxjerrjen e ndonjë sasie nafte pa faturë nga ana e shoqërisë Albpetrol sh.a. Përkundrazi, në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Fier është regjistruar një Kallëzimi Penal për shkarkimin e boteve me ujë në vend të naftës. Kjo ngjarje ka ndodhur në periudhën Janar-Maj 2013 duke shkaktuar humbjen e mbi 5.000 tonëve naftë. Deklarata e sotme është në vazhdën e disa veprimeve të koordinuara mes Partisë Demokratike dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët përmes spekulimeve dhe shpifjeve tentojnë të dëmtojnë imazhin e Albpetrol sh.a duke kërkuar që abuzimet e kryera në kohën e qeverisjes së PD t’ia faturojnë administratës së re.”-citohet në deklaratën e Albpetrol. Më tej, Albpetrol ka theksuar se, brenda një viti kjo kompani është kthyer në një kontribuues kryesor në buxhetin e shtetit. “Gjatë një viti të administratës së re shoqëria Albpetrol sh.a është kthyer në një nga kontribuuesit kryesorë në buxhetin e shtetit duke i rritur pagesat me 15 milionë dollarë me shume se periudha paraardhëse. Prodhimi ditor i naftës nga vetë kompania është rritur me mbi 60% ndërkohë që janë rivënë në punë mbi 150 puse, të cilët ishin braktisur gjatë viteve 2010-2013. Shoqëria Albpetrol sh.a ka ndjekur në rrugë civile e penale debitorët e shumtë që i detyroheshin mbi 80 milionë USD. Ky proces ka bërë të mundur që të rikuperohen shumë fonde, të cilat konsideroheshin të humbura. Me këto fonde është realizuar shlyerja e të gjitha borxheve që la qeverisja e kaluar, ku mund të përmendim si fakt se vetëm detyrimet e papaguara ndaj CEZ kapnin vlerën 10 milionë USD. Shoqëria Albpetrol sh.a ka qenë e suksesshëm dhe në procesin e kontrollit të kompanive hidrokarbure duke bërë të mundur që në vitin 2015 kompanitë kryesore që operojnë në këtë treg për herë të parë të parashikojnë fitim. 50 % të këtij fitimi kalon në favor të Shteti Shqiptar”,-përfundon deklarata e Kompanisë Albpetrol.