Paralajmërimi për përmbytje, mblidhet Shtabi i Emergjencave në Fier

719
Paralajmërimi për reshje të mundshme shiu, me intensitet të lartë, që pritet të sjellin edhe përmbytje ka bërë që të mblidhet që në orët e para të ditë së sotme shtabi i emergjencave civile në Prefekturën e qarkut Fier.
Burime nga prefektura Fier kanë bërë me dije se është diskutuar mbi masat që do të merren në rast se ka intensitet reshjesh në qarkun e Fierit, kryesisht përgjatë brigjeve të lumenjve Vjosë e Seman, të cilët fatkeqësisht më parë, kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, kur intensiteti ka qenë i lartë.
Janë thirrur në takim të gjithë faktorët dhe aktorët, ata që në rast emergjence, veprojnë në terren për të shmangur jo vetëm përmbytjet por për të evituar dëmet në njerëz, prodhime bujqësore, blegtori etj.
Mësohet se në gatishmëri të plotë janë OSHEE, Spitali Rajonal Fier, ndërmarrja e Ujësjellësit, DRSH, si dhe të gjitha institucionet të cilat bashkëveprojnë në raste të tilla. Në gatishmëri maksimale është edhe bordi i kullimit, me mjete dhe specialistë, për të vepruar në pjesët më problematike, aty ku mund të ketë nevojë për ndihmë.
Tashmë ky shtab është ngritur dhe për çdo përkeqësim të mundshëm të motit ai do të veprojë me masa konkrete në terren, për t’i qëndruar më pranë banorëve dhe komunitetit.
Shtabi i emergjencave tashmë ka marrë edhe një plan të qartë masash, të detajuar nga institucioni i Prefektit dhe është në gatishmëri 24 orë.
Ndërkohë burime nga bashkia e Fierit kanë bërë me dije se ditën e nesërme në orën 10:00 paradite, pritet të mblidhet shtabi i emergjencave të këtij institucioni për të detajuar edhe planin e masave që do të merren në rast përmbytjesh.
Me pastrimin që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet lumit “Gjanicë”, brenda qytetit të Fierit, gjatë situatave të kaluara me reshje të dendura janë evituar përmbytjet.
Sigal