Papa: Shqipëria, vend europian model bashkëjetese vëllazërore

373

Në fluturimin e tij nga Tirana për në Romë, Papa Francesku është ndalur tek emocionet e vizitës së tij në Shqipëri. Duke u ndalur tek ato çka pa e dëgjoi gjatë 11 orëve të qëndrimit në Shqipëri, Ati i Shenjtë është ndalur tek bashkëjetesa e komuniteteve fetare në vendin tonë, dhe jeta vëllazërore mes shqiptarëve. Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Papa Francesku u ndal tek dëshmitë e sjella gjatë Lutjes së Mbrëmësores në Katedralen e “Shën Palit”, nga një meshtar dhe një motër, të cilët i kanë mbijetuar periudhës së egër të komunizmit.
 
“Vuajtjet që keni patur, i pashë nga afër”, tha Ati i Shenjtë. Në përfundim të vizitës së tij në Shqipëri, Papa Francesku gjatë fluturimit drejt Italisë i është përgjigjur vetëm pyetjeve lidhur me vizitën, duke mos u ndalur në argumente të tjera.
 
Siç raporton “Vatican Insider”, Papa Francesku shpjegoi se gjatë vizitës së tij, zbuloi se shqiptarët “nuk janë tolerantë, por vëllazërorë, kanë aftësinë e vëllazërisë, dhe kjo duket në mënyrën e bashkëjetesës, dhe të bashkëpunimit mes besimeve të ndryshme fetare: myslimanë, ortodoksë e katolikë. Bashkëpunojnë si vëllezër”. Ati i Shenjtë tha se që në momentet e para të vizitës së tij u impresionua nga rinia e vendit. “Më kishin thënë se është vendi më i ri në Europë. Aty vihet re një kulturë e lartë”, e aftë për të krijuar vëllazërinë, “një rrugë paqe, bashkëjetese e bashkëpunimi”.
 
papa ne avion

Papa Bergoglio tha se ai u impresionua nga dëshmitë e shqiptarëve që kishin vuajtur gjatë sistemit.
 
“Prej dy muajsh kam studiuar këtë periudhë, në mënyrë që ta kuptoja më mirë atë kohë. Ka qenë një periudhë mizore, dhe niveli i mizorisë ishte i tmerrshëm”. Duke iu referuar posterave gjigante të martirëve të komunizmit të vendosura përgjatë bulevardit qendror në Tiranë, Papa tha se “Kur i pashë këto foto, jo vetëm nga katolikët, por edhe ortodoksët e myslimanët … i ndëshkonin pasi dëshmonin besimin në Zot. Secili nga të tri komunitetet fetare kanë përcjellë dëshminë e Perëndisë. dhe tani dëshmojnë vëllazërinë”.

papa ne avion

Papa Francesku tha se përcolli një mesazh që shkon përtej Shqipërisë, duke vënë theksin tek një rrugë paqeje, bashkëjetese dhe bashkëpunimi. Në fjalën e tij, Papa shtoi se Shqipëria është një vend europian, pikërisht për kulturën e tij të bashkëjetesës. Ndër të tjera, vizioni që Ati i Shenjtë donte të përçonte me këto fjalë, është një mesazh mbështetje, edhe pse Shqipëria ende nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian.
 
Ati i Shenjtë ndërkaq, kujtoi se udhëtimi i tij i ardhshëm do të jetë për në Turqi, në kufi me Irakun.
 
“Gjeografia nuk mund të ndryshojë …”, u përgjigj ai me shaka, dhe gjithashtu përmendi vizitën e parashikuar në Strasburg më 25 nëntor, dhe vetëm tre ditë më pas, “ndoshta në 28 nëntor” do të nisë udhëtimin në Ankara dhe Stamboll, për të qenë me patriarkun Bartolomeu në 30 nëntor për të festuar Shën Andrean.
 
Së fundi, Papa Francescu rikonfirmoi se u përlot gjatë dëshmive të meshtarit në Katedralen e Shën Palit, i cili ka qenë i burgosur për 27 vjet. “Me të vërtetë u përlota duke dëgjuar një martir i cili ka vuajtur me të vërtetë gjatë komunizmit, dhe që fliste me një natyralistet dhe përulësi, saqë dukej se po tregojnë për historinë jetësore të dikujt tjetër”.

papa perlotet 2

papa perlotet 1

papa perlotet