Papa Françesku i beson një gruaje shqiptare postin e rëndësishëm në Vatikan

277
Sigal

Papa Françesku ka emëruar një shqiptare për të shërbyer në Dikasterin e Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor.

Bëhet fjalë për profesoreshën e Kolegjit të Drejtësisë të Universitetit St. Thomas, Roza Pati.

Sipas letrës Apostolike, të cituar nga një artikull i këtij universiteti “Ky Dikaster do të jetë kompetent veçanërisht në çështjet që lidhen me migrantët, ata në nevojë, të sëmurët, të përjashtuarit dhe të margjinalizuarit, të burgosurit, të papunët, si dhe viktimat e konfliktit të armatosur, katastrofave natyrore, dhe të gjitha format e skllavërisë dhe torturës”.

Mbështetja e kauzave që mbrojnë dinjitetin njerëzor, sjellin ndërgjegjësim dhe kërkojnë zgjidhje efektive ligjore dhe politike drejt heqjes së të gjitha formave të vuajtjeve njerëzore, përfshirë trafikimin njerëzor, është një pasion për Dr. Roza Pati, shkruan STUnews.

Kush është Roza Pati:

Një profesoreshë në Kolegjin e Drejtësisë të Universitetit St. Thomas, Pati po ashtu, mbante postin e Drejtoreshës Ekzekutiv në një program për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut dhe Themeluese e Akademisë së Trafikimit Njerëzor John J. Brunetti.

E lindur në Shqipëri, Roza Pati u rrit nën diktaturë dhe regjimin ateist, në një familje katolike. Roza ishte ndër të lindurit e fundit që u pagëzua, pak para se regjimi të ndalonte të gjitha fetë, të mbyllte dhe shkatërronte shtëpitë e adhurimit, të burgoste e madje të ekzekutohente priftërinj dhe klerikë të tjerë.

“Por, unë kisha një bekim unik: një nënë të jashtëzakonshme, një nga besnikët më të devotshme të Kishës Katolike. Ajo më mësoi mua dhe dy motrat e mia, se si të bëjmë shenjën e kryqit, t’i themi lutjet Atit Qiellor, të kërkojmë dhe ndjekim Zotin tonë, të jemi në vepra siç pretendojmë me fjalë.“- thotë zonja Pati, citohet në artikull.

Nëna e saj ishte vajza e një disidenti i cili u ekzekutua pa u gjykuar. Megjithatë, ajo ishte aq e guximshme sa të mbështeste Rozën dhe motrat e saj në besimin katolik dhe i udhëzoi ato që kurrë të mos pushonin së shërbyeri Zotit, t’u shërbenin me vetëmohim atyre që kishin nevojë dhe të punonin për drejtësi për të gjithë njerëzit dhe për të mirën e përbashkët.

Bazuar në parimet që mamaja e saj mësoi, Pati u rrit për të shërbyer si një zyrtare e zgjedhur në qeverinë lokale shqiptare, një anëtare e parlamentit kombëtar dhe një anëtare e Kabinetit si Sekretare e Shtetit për të Rinjtë dhe Gratë. Ishte atëherë kur ajo mësoi raportet e Shqipërisë si një vend origjine për trafikimin e qenieve njerëzore. Viktimat u trafikuan në Itali dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore, shumica e tyre u shfrytëzuan për seks komercial.

“At, Antonio Sharra, një prift italian i cili kishte ardhur për t’i shërbyer komunitetit katolik në rrethin tim, ishte i pari që më drejtoi në problemin e tmerrshëm të trafikimit të qenieve njerëzore.”- tha Pati. “Ai më udhëhoqi në periferi të Romës, ku unë mund të shihja me sytë e mi dhe të flisja me vajzat shqiptare që ishin të frikësuara për vdekje. Kurrë nuk e harrova pamjen e ngurtësuar në fytyrat e tyre”.