Panariti: Të përgatitemi për valën e dytë të koronavirusit

322
Sigal

Edmond Panariti, ish-ministri i Bujqësisë dhe ish-deputet i LSI-së, mendon se vendi ynë duhet të përgatitet për një valë të dytë të mundshme të COVID-19.

Sipas tij, “duhet ta çojmë numrin e shtretërve reanimatorë në spitale në shkallë vendi në 2000 deri para vjeshtës, që të mos futemi në kolaps në rast të një cunami infektiv të papritur”. Gjithashtu, Panariti thotë se duhet “të sigurojmë stoqe barnash antivirale dhe stoqe rezervash bazë ushqimore në rast të një paralize të tregtisë ndërkombëtare”.

“Sipas CDC amerikane dhe Anthony Faucit të task forcës Amerikane, është e mundur që këtë vjeshtë apo prag dimri të përfshihemi nga “dallga” e dytë. Cilat do të jenë pasojat? Askush nuk mund ta thotë. Por, shtetet po përgatiten shumë fort dhe seriozisht me kapacitete spitalore, shtretër reanimacioni, stoqe medikamentesh antiviralë etj. Sepse vaksina edhe nëse do të prodhohet duket ende larg. Historia e gripit spanjoll të para 100 viteve, na kujton se vala e dytë ishte më agresive dhe vrastare se e para. Njerëzimi mori frymë dhe u relaksua në korrik gusht të para 100 viteve për tu infektuar rëndë në tetor, nëntor”, shkruan Panariti në Facebook.