Ministria e Shëndetësisë flet për standarde europiane, pacientët lihen në bodrume me lagështirë
Pas rikonstruksionit të spitalit, pacientët e pavionit të psikiatrisë janë zhvendosur në ambientet e bodrumeve të godinës 6-katëshe, duke kaluar ditët në kushte që vështirë se mund të quhen njerëzore. Mure të pushtuara nga lagështira dhe myku, mungesë kushtesh bazë, errësirë dhe izolim nga bota e jashtme
Pas publikimit të pamjeve tronditëse ku një punonjëse e spitalit psikiatrik dëgjohej duke iu drejtuar një pacienteje me gjuhë fyese dhe denigruese, historia nuk përfundon me aq. Ajo që fillimisht u duk si një rast skandaloz komunikimi po nxjerr në pah një realitet edhe më të rëndë për mënyrën se si trajtohen pacientët e psikiatrisë.Pas rikonstruksionit të spitalit, pacientët e pavionit të psikiatrisë janë zhvendosur në ambientet e bodrumeve të godinës 6-katëshe, duke kaluar ditët në kushte që vështirë se mund të quhen njerëzore. Mure të pushtuara nga lagështira dhe myku, mungesë kushtesh bazë, errësirë dhe izolim nga bota e jashtme. Një panoramë që ngjan më shumë me një vend ku njerëzit fshihen nga sytë e publikut sesa me një institucion ku duhet të marrin trajtim dhe përkujdesje. Në këto ambiente ekziston vetëm një tualet, ç’ka sjell që për njerëzit me këto probleme të urinojnë nëpër cepa. Dhe po flasim për njerëz që ndodhen në një gjendje të brishtë. Për pacientë që kanë nevojë për kujdes, qetësi dhe trajtim dinjitoz. Pacientët e psikiatrisë nuk janë qytetarë të kategorisë së dytë. Ata nuk mund të trajtohen si njerëz që duhen mbyllur larg syve e harruar nëpër bodrume. Mënyra si një shoqëri trajton njerëzit më të pambrojtur tregon fytyrën e saj të vërtetë. Nga ana tjetër, ministesha fantazmë e shëndetësisë del në konferenca dhe flet për standarde europiane sikur realiteti të jetë krejt tjetër. Deliri arrin deri aty sa flitet për futjen e inteligjencës artificiale në shëndetësi, ndërsa njerëzit përballen me probleme që duhet të ishin zgjidhur dekada më parë.Sepse pyetja lind vetë: për çfarë standardesh europiane bëhet fjalë? Për ato ku pacientët trajtohen me respekt dhe dinjitet apo për ato ku përfundojnë në ambiente të errëta mes mykut dhe papastërtisë? Është e vështirë të flasësh për teknologjinë e së ardhmes kur ende nuk janë garantuar kushtet më minimale njerëzore të së tashmes.




















