Oreksi i 27 shefave të “Vetting”-ut: Pagë mujore 10-11 milionë lekë, 185 vartës dhe 10 privilegje

969
Përparim HALILI
Kërkesa e tyre, pagat 3-4 herë më të larta se Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Kryeprokurori 
Me grandomaninë e shkallës sipërore, se ata do të jenë “perëndia”, kur në fakt kanë dalë nga “furriku” i politikës që i ka klonuar, përballë së cilës kanë qenë “pula” në këto 25 vite, komisionerët e procesit të “Vetting”-ut, janë vërsulur duke kërkuar paga të larta e privilegje të shumta për veten dhe familjarët e tyre, aq sa po na krijojnë përshtypjen, si të jemi në “ëndrrën” se këta 27 persona dhe ata 185 ndihmës që ata po kërkojnë, do të bëjnë “namin” kundër korrupsionit ne sistemin e drejtësisë dhe se do të garantojnë drejtësi absolute për shqiptarët! Edhe mund ta arrijnë këtë që thonë, por ajo që ata synojnë të arrijnë në aspektin e pagave mujore, shtesave të pagave, trajtimeve të tjera ekonomike-financiare e deri privilegjet për veten dhe familjarët e tyre, sikur është “oreks” i madh! 
1
Natyrisht, që ata duhen trajtuar me paga të larta, por me “tavanin” e pagave që përcakton ligji në sistemin e drejtësisë dhe jo me paga të veçanta, tepër të larta. Ata janë zyrtarë të shtetit, si gjithë zyrtarët e tjerë të këtij vendi! Nuk themi, që ata të trajtohen me paga rojesh e sanitaresh, por është absurde të kërkojnë paga 3-4 herë më të larta se Presidenti i Republikës, se Kryeministri, se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese apo i Gjykatës së Lartë dhe Kryeprokurori, apo qoftë edhe me pagë 3 herë më të lartë, se Ministri i Brendshëm, i cili është titullari i frontit të luftës me krimin! Natyrisht që përballë lidhjeve që ata kanë dhe nisur prej edukatës së “mosndëshkimit”, puna e tyre do të ketë siklet, mbasi ata do të kenë rolin e “radiologëve” që do të zbulojnë, denoncojnë dhe ndëshkojnë abuzimet e punonjësve të sistemit të drejtësisë, të cilët janë ish-kolegë të tyre, mbasi 27 anëtarët e komisionit nuk kanë ardhur nga ndonjë planet tjetër, por janë ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë, këshilltarë, juristë, noterë, profesorë drejtësie, brenda sistemit dhe strukturave aktuale të drejtësisë që do të hetohet e mbikëqyret në kuadër të “Veting”-ut! Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, nuk e ka përfillur “oreksin” e anëtarëve të strukturave të “Veting”-ut për paga të larta dhe punonjës të shumtë, duke miratuar një tabelë pagash me të ulëta dhe një strukturë të vogël punonjësish ndihmës, se ajo që u trumbetua në muajin mars 2017. 

Struktura dhe pagat për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik. Komisionerët kërkuan, që stafi total i cili do të asistojë në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të kishte 185 punonjës, por kjo kërkesë u kundërshtua nga deputet socialist në komisionin e ligjeve, duke lënë vetëm 110 punonjës. Kërkesa për pagat, ishte mbi 7 mijë euro, ose konkretisht këto shifra: Një komisioner publik, të marrë 10 milionë lekë të vjetra pagë mujore. Për çdo anëtar të Kolegjit të Apelimit është kërkuar pagë mujore 11 milionë të vjetra. përfundimisht, komisioni miratoi 110 punonjës për institucionet e “Vetting”ut, nga të cilët 50 punonjës për Komisionin e Kualifikimit, 26 për Komisionerin Publik dhe 37 punonjës për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të Gjykatës Kushtetuese, paga dhe strukturë që janë kundërshtuar edhe nga deputeti I PS, ish-ministri I brendshëm Saimir Tahiri. . 

3
Punonjësit e institucioneve të “Vetting”-ut, do të kenë një status të privilegjuar në paga dhe trajtime të tjera financiare e sociale-ekonomike. Anëtarët e Komisionit të Rivlerësimit, Komisioneri Publik dhe anëtarët e Kolegjit të Apelimit, do të marrin pagë mujore, që arrin deri në 4 mijë USD. Ata do të paguhen në bazë të parashikimeve të ligjit të ri “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”. Sipas këtij ligji, paga mujore referuese për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, do të jetë sa 160% e pagës së Sekretarit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë në ministri. në këtë vlerë page mujore, përfshihen shtesat për çdo vit vjetërsi pune, përqindja financiare për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç, shtesa në vlerën 40% të pagës mujore për delegimin, shtesa bazuar në pagën fillestare, vështirësitë në punë dhe elementë të tjerë, që tashmë janë përcaktuar e po specifikohen edhe me ligj të veçantë. Ndërsa, këshilltari ligjor dhe Ekonomik, përfiton 80% të pagës mujore përkatëse të anëtarit të institucionit të rivlerësimit, por përfitojnë edhe pagesë shtesë për shkak të vështirësisë në punë. Pas përfundimit të mandatit, anëtarëve dhe stafit të tyre, shteti duhet t’i emërojë në pozicione pune të rëndësishme, duke u siguruar të ardhmen. Anëtarët e “Vetting”-ut dhe fëmijët e tyre, do të kenë mbrojtje të veçantë shtetërore, për t’u siguruar jetën normale, shëndetin dhe pasurinë e tyre.
Ja 16 shkeljet, për të cilat shkarkohen anëtarët e strukturave të “Veting”-ut
1. Mos-paraqitjes së kërkesës për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, kur ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e rasteve të papajtueshmërisë për ushtrimin e funksionit, sipas legjislacionit në fuqi dhe nëse anëtari është në dijeni të rrethanave të tilla.
2. Sjelljes, akteve dhe veprimeve të tjera të anëtarit, që krijojnë përfitime të padrejta ose dëme për palët pjesëmarrëse në gjykim.
3. Mos-njoftimit të Kryetarit ose të organeve kompetente, sipas ligjit, për ndërhyrjet ose ushtrimin e formave të tjera të ndikimit të papërshtatshëm nga avokatët, funksionarët politikë, funksionarët publikë dhe subjekte të tjera.
4. Ndërhyrjeve ose çdo lloj ndikimi tjetër të papërshtatshëm në ushtrimin e detyrës të një anëtari tjetër.
5. Mospërmbushjes së pajustifikuar e në mënyrë të qëllimshme ose të përsëritur, përkatësisht të funksionit të tij.
6. Paraqitjes së kërkesës për heqje dorë dhe kryerjes së atyre veprimeve që nuk bazohen në shkaqet e parashikuara në ligj ose që bëhen në mënyrë të qëllimshme për të krijuar përfitime të padrejta për palët dhe të tretët, ose kur synojnë të shmangin anëtarin nga detyrimi ligjor për shqyrtimin e çështjes, ose synojnë të krijojnë mundësinë e shqyrtimit të saj nga gjyqtarë të tjerë, ose kur dorëheqja jepet e vonuar megjithëse ka qenë në dijeni të faktit për të cilin jep dorëheqjen.
7. Shkeljes së përsëritur ose të rëndë të rregullave të solemnitetit dhe rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me pjesëmarrësit në proces, si edhe me anëtarët ose personelin e institucioneve të rivlerësimit.
8. Vonesës dhe zvarritjes së përsëritur dhe të pajustifikuar të veprimeve procedurale gjatë ushtrimit të funksionit. 
9. Bërjes publike të mendimeve që ka dhënë vetë ose anëtarët e tjerë gjatë procesit që akoma nuk kanë marrë formën e një akti të bërë publik.
10. Shkeljes së detyrimit të konfidencialitetit dhe të mospërhapjes së informacionit, që rezultojnë nga hetimi ose gjykimi, gjatë procesit ose kur ky ka përfunduar, duke përfshirë publikimin dhe shpërndarjen, edhe për shkak të neglizhencës, të akteve ose informacioneve konfidenciale ose të akteve procedurale, që rrjedhin nga çështjet të cilat janë në proces hetimi ose gjykimi.
11. Bërjes së deklaratave publike dhe në media për çështjet, me përjashtim të komunikimeve të shtypit brenda kufijve të detyrës së tij.
12. Parashtrimit të shtrembëruar të fakteve në aktet e nxjerra.
13. Përdorimit të mandatit të anëtarit për të realizuar përftime të pajustifikuara vetjake ose për të tjerët.
14. Shoqërimit me persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekte të një procedimi penal ose me persona të dënuar penalisht, përveç rasteve të rehabilitimit të personave të dënuar, ose personave të cilët janë të afërm me gjyqtarët në lidhje gjaku ose me ligj, si dhe marrëdhëniet e biznesit të papërshtatshme me këta persona.
15. Përfitim i padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat, qoftë edhe me anë të veprimeve të ligjshme, i jepen për shkak të funksionit që ushtron ose si rrjedhojë e përdorimit prej tij të pozicionit.
16. Sjellje e papërshtatshme, në përmbushjen e detyrimeve, në marrëdhëniet dhe në komunikimin me institucionet shtetërore dhe funksionarët e tyre, si dhe raste të tjera me sjellje të papërshtatshme të pajustifikuar 
Anëtarët e KPK 
1. Etleda Çiftja
2. Firdes Shuli
3. Genta Tafa (Bungo)
4. Xhensila Pine
5. Brunilda Bekteshi (Vasha)
6. Roland Ilia
7. Suela Shegu
8. Valbona Sanxhaktari
9. Pamela Qirko
10. Alma Feskaj (Vokopola)
11. Lulzim Hamitaj
12. Olsi Komici 
Anëtarët zëvendësues
1. Vojo Malo, avokat
2. Pal Shkëmbi-avokat

Komisionerët Publikë
1. Herald Saraçi
2. Klodian Ballhysa
Anëtarët zëvendësues
1. Dariel Sina
2. Aldona Sylaj

Kolegji i Apelimit
1. Ardian Hajdari, avokat
2. Natasha Mulaj, ndihmëse ligjore e Gjykatës së Lartë
3. Sokol Çomo, anëtar i KLD
4. Ina Rama, ish Prokurore e Përgjithshme
5. Albana Shtylla, sekretare e Përgjithshme e Kuvendit dhe anëtare e KLD
6. Luan Daci, ish-kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë
7. Rezarta Schuetz, drejtoreshë juridike për OSBE në Shkup
Anëtarët zëvendësues
1. Etleva Papleka
2. Mimoza Tasi
Sigal