OBSH: Ja ç‘duhet të marrin parasysh shkollat dhe bizneset para se të rihapen

326
Sigal

Organizata Botërore e Shëndetësisë mbajti një konferencë për shtyp më 11 maj për të përditësuar publikun mbi pandeminë e COVID-19. OBSH-ja lëshoi udhëzime të reja për të ndihmuar vendimmarrësit mbi mënyrën dhe kohën se kur duhet të hapen shkollat dhe bizneset.

Ndërsa vendet vazhdojnë të heqin izolimet, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi udhëzime të reja për vendimmarrësit në lidhje me mënyrën se si mund të hapen të sigurta shkollat dhe vendet e punës.

‘Ne duhet të përqendrohemi te përparësitë tona teksa hyjmë në fazën e radhës të kësaj beteje’, tha Michael J. Ryan, Drejtori Ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, në një konferencë për shtyp të hënën në Gjenevë.

Shkollat

Zyrtarët që kërkojnë të hapin ose mbyllin shkolla duhet të kuptojnë qartë mënyrën se si transmetohet COVID-19 dhe ashpërsinë e tij te fëmijët, përhapjen e COVID-19 aty ku ndodhet shkolla dhe aftësinë për të mbajtur masat parandaluese dhe kontrolluese për COVID-19 brenda mjedisit të asaj shkolle, tha OBSH.

Vendimmarrësit mund të marrin në konsideratë nëse ka mënyra për të krijuar klasa për t’i mbajtur fëmijët të ndarë fizikisht gjatë disa orëve të caktuara të ditës, si për shembull gjatë kohës që ata luajnë apo konsumojnë drekën, tha dr. Maria Van Kerkhove, udhëheqëse teknike e OBSH-së.

OBSH tha se nuk duhet të anashkalohen gjithashtu faktorë të tjerë në vendimin për rihapjen e shkollave, duke përfshirë ushqyerjen e fëmijëve, pabarazitë arsimore dhe nevojën për të zvogëluar barrën për prindërit që janë punonjës të kujdesit shëndetësor.

Vigjilenca është më e rëndësishmja, thanë zyrtarët e OBSH-së, pasi ende nuk dihet shumë për mënyrën sesi COVID-19 ndikon te fëmijët dhe shkallën e tij aktuale e infeksionit në atë grup.

Vendet e punës

Për vendet e punës, OBSH thotë se liderët duhet të kryejnë vlerësime të rrezikut për të kuptuar ekspozimin e mundshëm të punëtorëve ndaj virusit dhe të planifikojnë rihapjet në përputhje me rrethanat.

Për më tepër, OBSH rekomandon që vendet e punës të zhvillojnë plane veprimi që plotësojnë planet e tyre ekzistuese të vazhdimësisë së biznesit. Këto plane veprimi duhet të përfshijnë udhëzime për rihapjen, mbylljen dhe modifikimin e ambienteve të punës, ndërsa gjithashtu theksojnë masat për të ndihmuar në parandalimin ose zbutjen e përhapjes së virusit.

Plane të tilla duhet të krijohen në konsultim me punëtorët dhe përfaqësuesit e tyre dhe duhet të ndërmerren hapa që të gjitha masat të komunikohen gjerësisht dhe qartë, tha OBSH.

Shfrytëzimi i një mundësie të dytë

Zyrtarët e OBSH-së u kërkuan komuniteteve të ruajnë disiplinën ndërkohë që ata lehtësojnë masat kufizuese. ‘Po na jepet një mundësi e dytë tani si shoqëri që të vëmë në zbatim ndërhyrjet e nevojshme për shëndetin publik, për të vënë në zbatim mbështetjen e nevojshme për komunitetin’, tha Ryan.

Disa vende, të tilla si Koreja e Jugut dhe Kina, së fundmi panë rishfaqje rastesh të reja në zonat ku virusi ishte shtypur. Këto vende qenë në gjendje të reagonin shpejt ndaj këtyre infeksioneve të reja, pasi ata kishin vazhduar përpjekjet gjithëpërfshirëse për të zbuluar dhe gjurmuar rastet e reja.

Kjo lloj disipline do të jetë thelbësore ndërsa ne vazhdojmë para. ‘Të mbyllësh sytë dhe të përpiqesh ta kalosh këtë situatë në verbëri është një idiotësi e madhe.’

‘Me këtë virus, na pret një rrugë e gjatë’, shtoi Ryan. ‘Pavarësisht kësaj, ne kemi mjetet e duhura që të mund ta parandalojmë rinisjen përsëri të përhapjes së këtij virusi.’