Nuk kemi asnjë njoftim zyrtar për riregjistrimin e popullsisë në komunën tonë

916
Sigal

Flet për “Telegraf”, Kryetari i Komunës së Xarrës në Sarandë, Dhimo Kote

Në këtë intervistë ekskluzive për “TELEGRAF”, Kryetari i Komunës së Xarrës, Dhimo Kote, flet për objektivat dhe synimet e kësaj komune në agrumikulturë. Është komuna e quajtur kryeqyteti i bujqësisë shqiptare dhe një kryetar i zgjedhur për herë të katërt në këtë detyrë. Zoti Kote deklaron për tentativat dhe lëvizjet e “OMONIA”-s nuk ka dijeni.

– Zoti Dhimo, jeni kryetar i komunës për herë të katërt. Për këtë vit çfarë parashikohet?

–  Fermerët e komunës Xarrë kanë mbjellë 70 ha me mandarina. Synimi është që brenda vitit 2020 në komunën tonë sipërfaqja e mbjellë me agrume të kap shifrën e 1000 ha,me një prodhim prej 30-35 mijë ton mandarina dhe të një cilësie konkurrente edhe në tregun ndërkombëtar siç edhe ka ndodhur deri më sot.

– Një vendim i Gjykatës së Sarandës, nga zyra e Përmbarimit, i cili bën fjalë për kthimin e një sipërfaqeje të konsiderueshme të tokave dhe kullotave ish-pronarëve. Cili është qëndrimi juaj për këtë problem?

– Meqë m’u dha mundësia dhe e falënderoj gazetën “Telegraf”, që më jep të drejtë të shprehem publikisht. Unë fatkeqësisht, në qoftë se të gjitha të drejtat dhe problemet e tjera në Komunën e Xarrës kanë ecur normalisht, i vetmi problem që nuk ka ecur është problemi i kullotave, i cili është një problem me të cilin neve nuk jemi trajtuar dhe nuk jemi marrë në konsideratë nga Ministria e Mjedisit dhe qeveria. Komuna e Xarrës nuk ka marrë asnjë centimetër katrorë kullotë për arsye sepse deri në vijën bregdetare kjo kullotë i është dhënë padrejtësisht Bashkisë së Konispolit, një pjesë Komunës së Livadhjasë dhe një pjesë komunës së Markatit. Pra, Komuna e Xarrës mund të themi se është e vetmja komunë në Shqipëri që ka vetëm katër fshatra me 2500 ha tokë bujqësore. Nuk e di! Kjo është padrejtësi shumë e madhe. Unë kam kontaktuar edhe me ministrin dhe institucionet përkatëse, jam në pritje të përgjigjes, por me sa shikoj ne po na përjashtojnë dhe po na heqin atë pjesë të tokës dhe vendit që na i ka dhënë zoti. Për problemin në fjalë unë nuk kam asnjë konfirmim, sepse nuk jam pronar dhe nuk kam asnjë metër kullotë në dispozicion.

– Edhe diçka tjetër, kjo me sa di unë, qeveria ka vendosur që tokat e “Bufit” të jenë për kompensim të ish- pronarëve. Vihet re se ka një shpyllëzim, apo zënie të tokave me mbjellje drufrutorësh dhe agrume e ullinj. Kjo është një iniciativë private e tyre, apo e iniciuar nga ju dhe në qoftë se qëndron e dyta, si do të veprohet me regjistrimin e tyre, pasi kemi karrshillëk me vendimin e qeverisë?

– Tokat që janë mbjellë në Komunën e Xarrës, janë toka të marra me qira nga shteti për 30 vjet, pjesa tjetër e “Bufit”, pjesa tjetër e saj është në dispozicion të Ministrisë së Bujqësisë, ku kemi tentuar që ajo tokë t’i jepet fermerëve të Komunës Xarrë. Me ish-pronarët unë s’kam asnjë problem me ta, ata kanë të drejtë të kërkojnë, ashtu siç kemi edhe neve të drejtë të kërkojmë, pasi edhe sot pas 22 vjet demokracie ato toka kanë ngelur djerrë dhe të pashfrytëzuara, mund të kishin sjellë shumë burime financiare dhe ekonomike, kështu që jemi e vetmja komunë që kemi zbatuar ligjin 7501. Shifrat flasin që njerëzit këtu punojnë. Është i vetmi komunitet që nuk e ka prekur bregdetin që në Kalivua, Liqenin e Butrintit, Kepin e Stillos e deri në Katajeto. Kjo tregon se ne duam ta ruajmë këtë pjesë të territorit që na ka dhënë zoti, të virgjër ashtu siç është. Ajo që është për tokë, të shërbejë për tokë, ajo që është për t’u ndërtuar brenda studimit të ndërtojnë njerëzit, ajo që është për pyll dhe kullotë dhe në bazë të ligjeve dhe të rregullave tua jap ish- pronarëve shteti që është kompetent për këtë punë

– Të vijmë tek investimet. A do të vijojë ajo mbështetje që fermerët të mos dëmtohen duke u ndërprerë investimet?

-Përfundimisht,  këtu tek ne ka qenë, vazhdon dhe do të jetë shteti shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projektet që janë planifikuar dhe bërë nga ata, nga kontaktet që kemi, jemi siguruar për vazhdimësinë e tyre. Nuk kanë pse të na gënjejnë, sepse deri sot kanë qenë korrekt me ne. Ne do të ruajmë atë nivel të investimeve për të realizuar objektivat që kemi për zonën tonë.

– Në këtë situatë flitet për një riregjistrim, ku përfshihet edhe komuna juaj nisur nga një iniciativë e “OMONIA”-s. Zyrtarisht nuk është komunë minoritare Xarra, por pretendohet si e tillë nga qarqe të caktuara. Në ç’fazë është ky proces tek ju, me sa di ti dhe sa real do të jetë?

-Unë di që procesi i Censusit dhe Regjistrimit të popullsisë u krye normalisht pa asnjë lloj problemi. Njerëzit shprehën vullnetin në deklarimin e lirë si për kombësinë greke, arumune, rome etj.. Tek mua nuk pati asnjë lloj problemi. Është një bashkëjetesë normale e tërë komuniteteve. Për riregjistrimin dhe tentativat e “OMONIA”-s unë s’kam asnjë informacion dhe s’di gjë për këtë punë. Di të zbatoj vendimet e Qeverisë Shqiptare. Për deklaratat e Bollanos dhe vendimet e “OMONIA”-s unë nuk di asnjë gjë.

-Faleminderit!