“Nuk e dini ç’luftë bëhet tek Infektivi”, doktoresha mesazh shqiptarëve nga spitali: Është e tmerrshme, qëndroni kategorikisht në shtëpi!

100

Shefja e Spitalit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, përsërit edhe njëherë thirrjen për të gjithë shqiptarët, dhe sidomos të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike, që të qëndrojnë në shtëpi, pasi kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjnë, në këtë situatë të tmerrshme të koronavirusit.

Në një mesazh nga Infektivi, të shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Çomo thekson se është e tmerrshme kur sheh njerëz të grumbulluar në Tiranë, të cilët nuk e dinë se ç’luftë po bëhet në spital.

Mesazhi i doktoreshës:

Ju përshëndes nga Shërbimi Infektiv, aty ku është numri i lartë i pacientëve të shtruar nga koronavirusi. Doja t’iu jap një informacion të shkurtër lidhur me situatën e të shtruarve, kemi forma të mesme dhe forma mjaft të rënduara dhe një numër mjaft të shtuar tek Infektivi. Lajm optimist është numri i personave të shëruar nga virusi. Jemi të gjithë në krye të detyrës, 24 orë në 24 orë, por duhet rritur sensibilizimi i popullatës.

Kur më duhet të lëviz në Tiranë për të ardhur në shërbim, shoh njerëz të grupuar dhe themi se është e tmerrshme që këta nuk e dinë se ç’bëhet luftë në Shërbimin Infektiv. Të nderuar njerëz, qëndroni brenda, se është gjëja më e vogël që mund të bëni. I bëj thirrje atyre që kanë sëmundje kronike dhe të moshuare të qëndrojnë kategorikisht në shtëpi, mos të dalin, se janë grupi më i rrezikuar.