Njoftim i rëndësishëm i ambasadës gjermane: Ndryshojnë rregullat e aplikimit për vizë pune

289
Sigal

Ambasada gjermane në Tiranë, ka njoftuar se duke nisur që nga data 1 Dhjetor, do të ndryshojnë rregullat e aplikimit për vizë pune. Këto ndryshime të rëndësishme bëhen pasi fluksi i kërkesave është shumë i lartë, ndaj ambasada ka vendosur që të aplikojë shortin.

Në njoftim jepen edhe detaje se si duhet të veprojnë aplikuesit dhe të mos gabojnë gjatë mbushjes së formularit online. Për të rritur garancinë, ambasada njofton se monitorimi i shortit, do të bëhet nga një grup ekspertësh në ministrinë e Jashtme në Berlin.

Njoftimi i plotë i ambasadës gjermane në Tiranë:

Dëshirojmë t’ju informojmë, që duke nisur prej datës 01.12.2021 në të gjitha përfaqësitë diplomatike në vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndryshojnë regullat e caktimit të takimeve për aplikimet për vizë sipas § 26 kreu 2 i Rregullores së Punësimit („Rregullorja e Ballkanit Perëndimor“): Nisur nga kërkesa tepër e lartë për orare aplikimi, e cila e tejkalon ndjeshëm numrin e orareve që mund të vihen në dispozicion, që prej dhjetorit 2021 do të zhvillohet  çdo muaj një procedurë shorti.

Për këtë qëllim në datën 01.12.2021 në orën 9.00 do të hapet një listë e re për regjistrimet e kërkesave për orare aplikimi. Kjo listë e parë do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë kohës për regjistrime deri në datën 17.12.2021 në orën 12.00.  Lista nuk do të mbyllet – sikundër ka ndodhur deri më tani – pasi të jetë arritur një numër i caktuar regjistrimesh. Lista e regjistrimeve do të mbyllet në datën 17.12.2021 dhe mes të gjitha kërkesave të regjistruara përmes një shorti kompjuterik do të përzgjidhet, se kush do të marrë një orar aplikimi për janarin e vitit 2022.

Procedura e shortit do të realizohet në javën e 51-të kalendarike në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin nën mbikqyrjen e disa personave. Pas kësaj personat e përzgjedhur me short do të njoftohen brenda muajit dhjetor nga Ambasada, që do të marrin një orar aplikimi për vitin e ri.

Të gjitha regjistrimet e periudhës 1-17 dhjetor do të marrin pjesë në short, pavarësisht faktit se kur janë kryer. Për këtë arsye një regjistrim më i hershëm nuk ka asnjë epërsi përkundrejt një regjistrimi më të vonshëm.

Regjistrimet e shumëfishta përjashtohen. Ndryshimi i mëvonshëm i të dhënave të regjistruara është i pamundur. Nuk lejohet kalimi i një orari aplikimi tek një person tjetër. Përfshirja e të tretëve (p.sh. një agjencie) nuk është e nevojshme dhe nuk sjell asnjë epërsi. Lutemi të regjistroheni vetë dhe me qetësi për procedurën e shortit dhe bëni shumë kujdes në hedhjen korrekte të të dhënave tuaja.

Edhe në rast se orari konfirmohet,  aplikimi për vizë do të lejohet vetëm nëse të dhënat personale në pashaportën e udhëtimit të aplikuesit /es do të përputhen plotësisht me ato të hedhura gjatë regjistrimit për një orar aplikimi.

Regjistrimet, të cilat nuk kanë mundur të marrin një orar aplikimi, në fund të muajit fshihen. Për të marrë pjesë në shortin për caktimin e orareve të aplikimit për muajin shkurt është i nevojshëm një regjistrim i ri gjatë muajit janar. Ambasada do të bëjë të ditur në kohën e duhur periudhën e hapjes së listës së regjistrimeve për janarin. Në fund të janarit personat e përzgjedhur me short do të njoftohen nga Ambasada. Ju do të njoftoheni edhe në rastet kur regjistrimi juaj ka qenë i pasuksesshëm. Kjo mund të kërkojë pak kohë për arsye teknike. Lutemi në këtë kontekst të shmangni pyejet me email. Këto do të mbeten pa përgjigje.

Oraret e aplikimeve për vizë sipas ‘Rregullores së Ballkanit Perëndimor’ mund të caktohen vetëm në këtë mënyrë. Përfaqësia nuk cakton takime ekstra, ndaj ju lutemi të hiqni dorë nga kërkesa të këtij lloji.

Paralelisht me procedurën e shortit Ambasada në Tiranë përshtat edhe procedurën e aplikimit për vizë.

Në të ardhmen aplikimi do të realizohet pranë një agjencie të ngarkuar nga Ambasada. Kjo sipërmarrje do të lidhet me telefon me personat e përzgjedhur me short, të cilët janë njoftuar për këtë  paraprakisht nga Ambasada përmes email-it, për të vendosur me ta një orar aplikimi. Për aplikimin pranë kësaj agjencie do të duhet të paraqiten të njëjtat dokumenta, sikundër kërkohej prej Ambasadës. Ky ndryshim i mundëson Ambasadës të caktojë më shumë orare aplikimi sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, se sa ato që kanë qenë të mundura deri më tani; krahas kësaj aplikuesve u ofrohet më shumë fleksibilitet në dakordimin e një orari. Lutemi të mbani parasysh se kjo agjenci shërbimi NUK cakton orare shtesë dhe nuk ndryshon të dhënat e depozituara gjatë procesit të regjistrimit. Agjencia e shërbimit u mundëson paraqitjen vetëm atyre personave, që janë njoftuar paraprakisht prej Ambasadës me email.