Niko Peleshit i ikin 400 ushtarë me pagesë; kërkon zëvendësues me 9 klasë shkollë

50

Aq keq e ka katandisur qeveria strukturën e ushtrisë, sa të larguarit thonë se kanë kushte të këqija trajtimi, paga të ulëta e presione nëpërmjet vendit të punës dhe bllokimit të gradave, nëse nuk shërbejnë edhe si “ushtarë” partie për vota e në aksione pastrimi gjatë fushatave elektorale…

Sigal

Largimi i të rinjve në emigracion, përveç nevojës për punëtorë fasonë, ndërtimi, bujqësie, tregtie e të shërbimeve të sezonit veror, ka shkaktuar dhe krizën për ushtarë me pagesë, të cilët nuk po gjenden, megjithëse oferta që bën qeveria është joshëse.

Më 1 mars 2023, Ministria e Mbrojtjes bëri thirrje publike, për punësimin urgjent të 400 ushtarëve me pagesë, por fakti, që këtë thirrje e përsëriti në media para 3 ditësh Zyra e Rekrutimit në Shtabin e Përgjithshëm, tregon se asnjë nuk po preferon të punësohet në ushtri.

Madje, në thirrjen e dytë, po kërkohen 450 ushtarë të moshës 18-27 vjeç, për efektivë tokësorë e detarë, me pagë të përhershme në 5 llojet e shërbimeve të forcave të armatosura, për të zëvendësuar ushtarët, që janë larguar.

Sipas informacionit, largime ka çdo ditë, ndërsa ministri Niko Peleshi dhe vartësit e tij, në shkelje të platformës së NATO-s për rekrutimin dhe stabilitetin e organikës, nuk kanë marrë masat për të përballuar zëvendësimin e ushtarëve me pagesë, ose për nevojat e emergjencës në situata të tilla.

Sa për saktësim, kjo ikje nuk është dezertim nga misionet, detyrat apo operacionet ushtarake, por ndërprerje e kontratave të rekrutimit për shkaqe sociale që i kanë bërë të ditura, paçka se Ministria e Mbrojtjes po fsheh realitetin dhe të vërtetën e largimeve.

Aq shumë po e keqpërdor qeveria strukturën e ushtrisë shqiptare, sa të larguarit thonë se kanë kushte të këqija trajtimi, paga të ulëta dhe presione nëpërmjet vendit të punës e bllokimit të gradave e mos dërgimit në misionet e paqes, nëse nuk shërbejnë edhe si “ushtarë” partie.

Detyrimi për përdorje partiake i një force militare, strukturë e NATO-s, është skandal qeveritar e shtetëror, siç kanë vepruar ish- ministret e Mbrojtjes Mimi Kodheli e Olta Xhaçka, por dhe ministri aktual Niko Peleshi, që i kanë përdorur ushtarët me pagesë edhe në shërbime pastrimi gjatë fushatave elektorale, ndërsa kryeministri u bëri thirrje policëve të mblidhnin vota për PS.

Pas këtyre largimeve, Ministria e Mbrojtjes është aq në krizë për ushtarë me pagesë, sa në thirrjen publike e zyrtare për aplikime punësimi, ministri Niko Peleshi, thotë që pranohen edhe individë me arsim 9-vjeçar./Pamfleti