Ngjarja e Vaut të Dejës/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të hetohet me përparësi

195
Sigal

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është duke monitoruar procesin parazgjedhor të zgjedheve për organet e qeverisjes vendore të dt.14 Maj 2023.

Pavarësisht se fushata zgjedhore sipas nenit 77 të Kodit Zgjedhor, duhet të fillojë vetëm 30 ditë para ditës së zgjedhjeve, vëzhguesit afatgjatë të KShH-së kanë raportuar se ky detyrim nuk është respektuar, pasi janë referuar raste të zhvillimit të takimeve elektorale në ambiente publike si lagje, rrugë me grupe qytetarësh apo edhe në lokale private. Në një pjesë të këtyre rasteve, pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues të administratës publike, ngjarje për të cilat, KShH ka venë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi ka vlerësuar se është cenuar neni 91 i Kodit Zgjedhor që ndalon përdorimin e burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore.

Në vigjilje të fushatës zgjedhore zyrtare, KShH dënon ashpër aktin kriminal me rrezikshmëri të theksuar shoqërore ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Z. Bernard Ndreca, nëpërmjet vendosjes në makinën e tij, të një sasie eksplozivi që shpërtheu, por që fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. KShH i bën thirrje prokurorisë që të hetojë çështjen me përparësi, në mënyrë të gjithanshme dhe me objektivitet. Zbulimi i shpejtë, vërtetimi i motiveve të këtij krimi dhe ndëshkimi përkatës i autorit ose autorëve të kësaj vepre të rëndë penale do t’i shërbente jo vetëm parandalimit të krimit, por edhe pritshmërisë së opinionit të gjerë publik.

Janë organet e drejtësisë që duhet të vërtetojnë rrethanat dhe motivet e kryerjes së këtij krimi. KShH rithekson reagimet e tij të mëparshme se në raste të tilla ose të ngjashme me to është e domosdoshme të respektohet nga të gjithë parimi i rëndësishëm i prezumimit të pafajësisë, i sanksionuar në nenin 30 të Kushtetutës tonë dhe nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Gjithashtu, referuar këtij zhvillimi, KShH nënvizon se incidente të tilla të dhunshme dhe kërcënuese ndikojnë negativisht tek zgjedhësit pasi i trondit, i frikëson dhe i pengon ata të jenë të lirë, për të marrë vendimin e tyre për votën që do të japin.

Në përfundim, duke marrë në konsideratë që në këtë klimë parazgjedhore, një pjesë e zgjedhësve të kontaktuar nga KShH në disa Bashki të vendit kanë shfaqur haptazi mosbesim sa i takon forcave politike dhe institucionit të zgjedhjeve, Ju bëjmë thirrje të gjithë subjekteve zgjedhorë, garuese në zgjedhje, të ndalin e shmangin gjuhën e urrejtjes, të angazhohen seriozisht për krijimin e një mjedisi të favorshëm për ushtrim lirisht të së drejtës së votës, nga zgjedhësit shqiptarë. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të zhvillohet një fushatë e kulturuar dhe e ndershme, duke respektuar dinjitetin njerëzor të kundërshtarëve politikë, që synon të informojë zgjedhësit për platformat politike dhe risitë e tyre.