Dokumenti i Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë nxjerr në pah edhe një herë vijimin në të njëjtin nivel të korrupsionit. Ky dokument, një radiografi e gjendjes së vendit në raport me kriteret që duhet të përmbushë në procesin e tij të integrimit tregon arritjet, por dhe fushat që nuk kanë përmirësim në vendin tonë. Sa i takon luftës kundër korrupsionit Shqipëria, sipas Komisionit pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet shqetësim serioz.
Masat antikorrupsion të Qeverisë dhe trupa e drejtuar nga Ulsi Manja në Ministrinë e Drejtësisë nuk kanë qenë efikase te rrugët, pronat, doganat, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia dhe tenderat.
Kjo është gjetja e raportit të progresit të Komisionit Europian, që u prezantua këtë të mërkurë.
“Nevojiten më shumë veprime dhe një strategji e bazuar në analiza të përgjithshme të problemit duhet të hartohet. Kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit të administratës publike mbeten të dobta dhe joefektive. Korrupsioni prevalon në shëndetësi, sektorin e pronave dhe në radhët e policisë”, thuhet në raport.
Njësia antikorrupsion e ngritur brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe e drejtuar nga Ulsi Manja, sipas raportit nuk ka treguar efikasitet.
Raporti kritikon PPP-të dhe kërkon që qeveria të zbresë nën 5 për qind të GDP-së kostot e tyre. Kostoja e PPP-ve për vitin 2021 nuk është publikuar ende nga Ministria e Financave, e cila nuk ka dorëzuar në Kuvend raportin vjetor të analizës së koncesioneve.




















