Nesip Kaçi/ 91- vjetori i festës kombëtare  të Turqisë

578
Sigal

Më 29 tetor 1923 u shpall  Republika  e Turqisë së Re dhe Mustafa Qemali u zgjodh Presidenti i parë i saj

Sot Turqia feston një datë të shënuar në historinë e saj shumë  shekullore, 91 -vjetorin e shpalljes së  Republikës. Më 29 tetor 1923 u shpall  Republika  e Turqisë së Re dhe Mustafa Qemali u zgjodh Presidenti i parë i saj. Republika e Re e Turqisë u lind pas rrëzimit dhe denoncimit të sulltanatit osman  gjashtëshekullor  më 1 nëntor 1921. Më  3 mars 1924 u shfuqizua  Kalifati Islamik, që vazhdonte  qysh nga viti 1517, cili u zëvendësua  me sistemin  shkollor publik  shtetëror laik. Më 20 janar deri më 20 prill 1924 u  miratua Kushtetuta e Republikës me vendim të Parlamentit, më 17 shkurt 1925 parlamenti  shfuqizoi  tatimin mbi “Të dhjetat”, që vilej nga prodhimet bujqësore, më 26 dhjetor 1925 u vendos Kalendari i Ri  Ndërkombëtar dhe e diela u vendos ditë pushimi, u ndaluan sereket, qylahet, kallpakët e vjetër dhe u vendos  të mbahen kapelat, kasketat  moderne, republikat, u modernizuan veshjet e burrave  dhe  të grave. Më 1926 u miratua nga Parlamenti  Kodi Civil modern, i  bazuar në drejtësinë demokratike humanitare. Më 3 nëntor 1926 u hoq nga përdorimi alfabeti osman dhe u zëvendësua ma alfabetin  turk me germa latine. Më 1930-n, u vendos e drejta e punës për gratë si dhe e drejta e zgjedhjes së grave në organet e pushtetit lokal  dhe bashkiak. Më 1934 gratë fituan me ligj të drejtën të zgjidhen deputete në Parlament,  në një kohë që këtë të drejtë nuk e kishin  fituar  ende gratë në Francë. Më 1932 u  themelua  Instituti  i Gjuhës Turke, për të pastruar  turqishten  nga fjalët dhe elementet  arabo-persiane, u themelua Instituti i Historisë, që hartoi  historinë  kombëtare të Turqisë dhe më 1933 u themelua universiteti laik. Më 1937 parimi i laicizmit  u fiksua në Kushtetutë si nen i veçantë.

Shpallja e Republikës së Turqisë moderne  u arrit  në saj të luftës së popullit vëlla dhe trim turk kundër sulltanatit osman dhe koalicionit  të agresorëve imperialistë  europianë:  grekë, italianë, francezë dhe anglezë në betejat e Ariburunit dhe Anafartës në Canak -Kale më 1915. Lufta nacionalçlirimtare e popullit turk  filloi në  Anadoll  më 19 maj 1919. Për të organizuar Luftën Nacionalçlirimtare më 23 prill 1920 u mblodh Kuvendi Popullor Kombëtar i Turqisë në Ankara dhe me vendim të Asamblesë së Përgjithshme, u shpall Qeveria Kombëtare e Turqisë, e cila zgjodhi Mustafa Qemalin kryetar të Asamblesë Kombëtare dhe më 5 gusht 1921 Asambleja Kombëtare e emëroi Mustafa Qemalin kryekomandant  të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ushtria nacionalçlirimtare e Turqisë, i theu grekët në betejën e famshme të Sakarjes, që vazhdoi 22 ditë dhe net, ku u zhvilluan dhe luftime trup me trup. Pas fitores  së betejës tjetër të përgjakshme  të  Afion-Karahisarit , ushtria turke i hodhi  grekët në det përpara Izmirit  më 9 shtator 1922. Pas këtyre fitoreve ushtria  nacionalçlirimtare e Turqisë vazhdoi mësymjen dhe çliroi  edhe Stambollin  nga forcat  imperialiste europiane. Me marrjen e Stambollit  u arrit çlirimi i vendit. Në luftën e  popullit turk  dhanë ndihmesën e tyre me mijëra e mijëra shqiptarë, që jetonin dhe jetojnë  në Turqi  prej kohësh, ata luftuan në të gjitha frontet  si ushtarë dhe komandantë  trima, ata luftuan krah për krah me turqit dhe derdhën  gjakun e tyre në Canak-Kale, Sakarja, Afion-Karahisar dhe kudo që u zhvilluan betejat më të përgjakshme.

   Sot turqit shikojnë nga lartësia e viteve përparimet e arritura në atdheun e tyre në fushën ekonomike dhe social-kulturore dhe ne shqiptarët  gëzohemi pa masë për  këto fitore të tyre dhe i urojmë nga zemra përparime të mëtejshme. Sot Turqia është një shtet i fuqishëm në Ballkan dhe më gjerë, është një fuqi rajonale.  Ajo ndjek një politikë  të jashtme : Paqe në vend Paqe në botë, e orientuar drejt zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit  ekonomik dhe kulturor me fqinjët. Turqia me politikën e saj  ka qenë dhe është  faktor stabiliteti  në rajonin e Ballkanit, shpesh i trazuar. Kohët  e fundit një nga parimet e saj në politikën e jashtme  është: Probleme zero me fqinjët  dhe në këtë kuadër  po operon me mjaft sukses  edhe për kapërcimin  dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë. Turqia, duke mbajtur parasysh lidhjet historike por dhe zhvillimin e dukshëm të saj ekonomik  në dekadat e fundit, në një farë mënyre, kjo i jep të drejtën, që pa cenuar sovranitetin e vendeve të tjera, të kërkojë një vend  më aktiv në Ballkan dhe më gjerë. Marrim vetëm transportin, Turqia është shumë e interesuar, ashtu siç jemi dhe ne, për një lidhje midis Stambollit dhe Adriatikut ose Turqia ka një rol shumë të rëndësishëm në realizimin e projektit TAP se kalon nëpër territorin e saj. Rritja ekonomike e Turqisë, nën udhëheqjen e Rexhep Taip Erdogan, ka bërë të mundur që shumë shoqëri turke të shtrinë investimet e kapitaleve të tyre në Ballkan, Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe në vende të tjera. Në Shqipëri “Kurum”, “Igëll Mobajll” dhe shumë firma të tjera si këto, janë kapitale turke. Qeveria turke në rrafshin ekonomik  është e interesuar  për shtrirjen e investimeve turke në Shqipëri  dhe në vende të tjera të Ballkanit, ato i ke sot në Kosovë, Serbi, Bullgari etj. Turqia siç, dihet është një nga shtetet më të rëndësishme  anëtare të NATO-s. Edhe në këtë kuadër, vetë potenciali i saj ushtarak, shkalla e modernizimit  të ushtrisë së saj, i jep mundësinë, për të parur një rol si fuqi ushtarake në rajon dhe më gjerë. Po të shikosh  shtrirjen e investimeve  te kapitaleve  të saj jashtë vendit në planin  gjeografik, ato i kapërcejnë dukshëm kufijtë e ish-perandorisë osmane . Në këtë vështrim Turqia në fushën ekonomike po punon për të qenë një ekonomi me influencë rajonale, këtë e tregon më së miri fakti se Turqia me rezultatet e dekadave të fundit  po i reziston me sukses recesionit  botëror, kjo e bën një partner të  nevojshëm për ne. Në planin kulturor historia dhe bashkëjetesa pesë shekullore i krijon mundësi kulturës turke, muzikës, letërsisë, folklorit, kinematografisë deri te kuzhina, që të jenë të mirëpritura, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Mjafton të përmendim këtu telenovelat ose filmat e shumtë  turq që shfaqen tek ne dhe në Ballkan. Ato pëlqehen se kanë të bëjnë  me njohjen e historisë dhe të vlerave  të tjera të përbashkëta. Sundimi  pesë shekullor otoman  është një fakt i kryer, por, ne me turqit, në rrjedhat e historisë,  jetuam nën një çati, në një perandori  pesëqind vjet. Në Turqi  kemi  sot miliona qytetarë  turq  me origjinë dhe rrënjë  shqiptare  të ikur nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera shqiptare. Turgut  Ozalli  ish-kryeministër dhe ish-president i Turqisë, ka thënë  se sot në Turqi ka shqiptarë më shumë se çka sot Shqipëria dhe Kosova  të mara  së bashku. Jeta e përbashkët me turqit  për 500 vjet me radhë  duhet njohur  mirë dhe shkencërisht  sepse vetëm atëherë ne do të jemi në gjendje të vlerësojmë drejt politikën që ndjek sot shteti turk, e cila është krejtësisht  jashtë dhe larg politikës që ndiqte shteti otoman. Turqia na ka mbështetur  dhe  na është gjendur në  krah në disa situata. Në Marrëveshjen  Miqësore  të nënshkruar  në Ankara më 15 dhjetor 1923, që vazhdon të jetë në fuqi, në  Nenin e parë  thuhet: “Midis Republikës së Turqisë  dhe  shtetit shqiptar, në mes të nënshtetasve shqiptarë dhe turq, do të sundojë paqja, miqësia dhe vëllazëria e përhershme dhe kjo miqësi nuk do të prishet kurrë”.

     *Ish- ambasador në Turqi

Som

Sot turqit shikojnë nga lartësia e viteve përparimet e arritura në atdheun e tyre në fushën ekonomike dhe social-kulturore dhe ne shqiptarët  gëzohemi pa masë për  këto fitore të tyre dhe i urojmë nga zemra përparime të mëtejshme. Sot Turqia është një shtet i fuqishëm në Ballkan dhe më gjerë, është një fuqi rajonale.

Ne një rreth

Në  91 -vjetorin e shpalljes së Turqisë, Republikë, Ambasada Turke, organizon një pritje në ambientet e saj, të mërkurën  më 29 tetor 2014, ora 18:00-20:00