Nëse e do veten, familjen dhe vendin tënd, mos hesht.

281
Sigal

“Jeta jonë nis të mbarojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi” ka thënë Martin Luther King, Jr.

Gjërat që për ne si shqiptarë kanë rëndësi të madhe, sot janë të rrezikuara më shumë se kurrë. Jeta jonë, familja, vendi, e ardhmja, demokracia dhe ekzistenca jonë si popull janë të rrezikuara. Shqipëria, Atdheu ynë po shpopullohet dita-ditës. Rinia po largohet me shifra të larta dhe ritme të frikshme. 400 mijë shqiptarë janë larguar në vitet e fundit dhe sot ne renditemi të dytët në botë për azil në vendet e BE-së. Pensionistët dhe shtresat në nevojë janë në kushte mbijetese. E rropatur gjithë jetën, mosha e tretë po e mbyll jetën në varfëri dhe mbijetesë. Shtresa e mesme është asimiluar. Të mirëarsmimuarit nuk kanë zgjedhje tjetër veçse të punojnë në Call Centers pasi zero vende të reja pune janë hapur në 8 vitet e fundit. Klasifikohemi vendi më i korruptuar në Evropë, djepi i pastrimit të parave, trafiqeve dhe mega-skandaleve. Qytetet dhe fshatrat e vendit në mjerim të plotë. Ndaj nuk duhet heshtur më. As edhe një shqiptar të mos qëndrojë më neutral, i frikësuar apo indiferent por të ngrejë zërin në mbrojtje të vetes, familjes dhe vendit.

Në këto kushte të vështira ku gjendet vendi heshtja është bashkë-fajtorësi. Një sekt pa fe, familje dhe atdhe, dhe një parlament gaztorësh dhe analfabetësh nuk duhen lejuar të çojnë drejt greminës jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Nuk duhen lejuar të përdhosin dinjitetin e prindërve dhe gjyshërve tanë. Nuk duhen lejuar të pengojnë rrugëtimin evropian të Shqipërisë, këtë ëndërr të kahershme për të cilën shumë jetë humbën, shumë u burgosën e u interrnuan, që mbajti gjallë shpresën e rinisë shqiptare të viteve 90-të, rini e cila sot është e plakur, më larg Europës dhe më e pashpresë vetëm prej një sekti qeverisës pa zemër për popullin e vet. Çdo shqiptar të ngrejë zërin.

Ky është akti patriotik që kërkohet sot nga çdo njeri i thjeshtë. Keq-menaxhimi i pandemisë ka rrezikuar jetën tonë, familjet tona, bluzat e bardha, dhe mbarë shëndetin publik. Siguria dhe besimi i qytetarit tek aftësia e qeverisë apo e Ekipit Politiko-Teknik të Ekspertëve të ngritur prej saj është zero, pasi tashmë ështē parë që shqiptarët po paguajnë çdo gjë nga xhepat e tyre për të mbrojtur dhe trajtuar veten nga COVID-19. Me qindra euro për tamponë dhe mijëra euro për trajtim. Pa përmendur miliona eurot që janë shpenzuar për kurim në Turqi apo Itali.

Ndaj çdo shqiptar të ngrejë zërin e të kërkojë llogari se ku është shëndetësia falas? Me mijëra familje në Durrës, Shijak, Thumanë, Vorë, Tiranë jetojnë prej mëse një viti në çadra e kontenierë. Me mijëra familje të tjera nuk dinë ende se çfarë do bëhet me ato. Zero ndërtime pallatesh në një vit. Ndaj çdo njeri të ngrejë zërin e të kërkojë llogari se ku shkuan 1.15 miliardë eurot që mori borxh qeveria për rindërtimin?

Çdo ditë hasemi dhe dëgjojmë për skandale dhe korrupsion, abuzime dhe shkelje ligjore, për firmosje tenderash dhe PPP me shifra të frikshme të cilat shkojnë për dobi të oligarkëve dhe familjeve të thjeshta shqiptare. E në këtë errësirë të madhe korrupsioni shqiptarët largohen pasi shpresa e munguar i bën të mendojnë se ky vend nuk do të bëhet kurrë.

Por Shqipëria do të bëhet kur të zhbëhen ata që po e zhbëjnë atë. Shqiptarët shumë shpejt do e kenë në dorë t’i zhbëjnë e largojnë shtypësit dhe pengmarrësit e tyre. Më 25 prill askush të mos heshtë më. Çdo shqiptar ta ngrejë zërin me votë. Le të ketë 100% pjesmarrje në votime, si kurrë ndonjëherë. Le të votojë e gjithë Shqipëria e çdo shqiptar në atë referendum kombëtar i cili do përcaktojë të ardhmen e vendit dhe familjeve tona.

Nga Dr. Bledar Kurti