Negociatat për detin Shqipëri – Greqi, matrapazllëk politikanësh!

803
Nga Gjon BRUÇI 
Negociatat e vërteta midis Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, varrezat greke, ligjin e luftës, minoritetet etj. tashmë janë mbyllur. Mbetet në skenë gjetja e “pelerinës”, me të cilën do të vishen këto negociata, dhe vendimet rrjedhëse, për t’u pranuar nga auditori popull, i cili për pozicionin që ka në “sallën” e politikës, produktin e negociatave e merr vesh shumë vonë. Aq më tepër kur vendimi kryesor, ai për kufirin detar do të “zbatohet” në det, aty ku populli nuk ka asnjë mundësi e mjet, me të cilin ta verifikojë drejtësinë apo djallëzinë e marrëveshjes në fjalë. Konkluzionin tonë për ato që thamë më lart, se negociatat tashmë janë mbyllur dhe presin “pelerinën” e marrëveshjes përfundimtare, e vertetojnë vetë autorët e negociatave, të cilët, përurimin me “muzikë e kërcime në Kretë”, dhe me “kërrnacka në Korcë”, e shoqëruan edhe me prononcime kontradiktore, të cilat ishin gjithë humor, por ngase flitej për një çështje shumë të rëndësishme, nuk mundën të shkaktonin ilaritet. “Ende nuk i kemi nisur negociatat”, deklaroi ministri ynë i jashtëm, kur u gjend përballë gazetarëve dhe opinionit publik, që kishte ndjekur me ankth kërcimet dhe kërnackat dypalëshe ministrore. Jo më larg se një ditë më pas, vetë Kryeministri ynë do të thoshte: “Negociatat i kemi nisur, por ju siguroj se do t’i mbyllim me sukses”. “Qit-a-qit” me dy të parët, edhe ministri i jashtëm grek, Kotzias, do të deklaronte përpara “shtyp-kazanit” të vendit të tij, se negociatat i kemi mbyllur dhe Shqipëria pranoi pretendimin grek për ndarjen e detit…! Dhe noterizimin e deklaratës së ministrit grek, e bëri nisja e punimeve për nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve grekë në Dragot dhe transportimi i tyre për në Bularat të Gjirokastrës, veprim i cili nuk mund të bëhej pa nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes, e cila kishte në diskutim, ligjin e luftës, varrezat, minoritetet, rishikimin e teksteve shkollore dhe përcaktimin e kufirit detar. Kryeministri ynë dhe kolegët e tij në qeveri e në parlament, mbështetur nga shpura militante partiake, si gjithnjë, edhe kësaj here, nuk vonuan të akuzojnë “medje-kazanin”, e cila nuk rri rehat pa trazuar ujërat, duke na krijuar si gjithnjë tollovira, e duke çoroditur mendjet e qytetarëve. Ndaj dhe jo njëherë ka përsëritur me plot gojën se “Për kufirin detar, ne do të bëjmë një marëveshje më të mirë se ajo e Berishës (ajo e vitit 2009) !” Se sa më të mirë sigurisht nuk e thotë, sepse “kush shkon dhe e mat në det”?! Tollovia me “kufirin detar” fillon e bëhet më interesante, kur merr vesh se Presidenti nuk ka dijeni për këto negociata, ecuria e të cilave ka tri variante në të njëjtë kohë: “Nuk kanë nisur ende”, “I kemi nisur, dhe do t’i realizojmë me sukses”, si dhe “Negociatat i kemi mbyllur”, variante që lënë me gojë hapur, jo vetëm presidentin, por edhe ne qytetarët e thjeshtë. Dhe ndërsa Presidentit kërkohet t’i mbyllet goja dhe sulmohet edhe pse nuk është vënë në dijeni sipas ligjit dhe Vendimit të Kushtetueses, ndërkohë që ne qytetarëve hapja e gojës na ka mbetur kontato, gjer kur “ta marrë ferra uratën”, si në marëveshjen berishiane të 2009-tës. 

Pse ky dyshim, kur ende s’ kemi një marrëveshje zyrtare të shpallur, mund të pyesë ndonjëri?!. 
Dyshimi ynë tashmë është bërë permanent. Kjo për dy arsye themelore: 

Së pari, e dimë fare mirë se kush është politikani grek, strategjia dhe taktika e të cilit nuk ka ndryshuar qysh nga koha e “Kalit të Trojës”. 

Së dyti, prej njëzet e shtatë vitesh politikanët dhe shtetarët tanë kanë vertetuar se ndryshe sillen, ndryshe veprojnë. E gjithë vepra e tyre njëzet e shtatë vjeçare ka qenë një mashtrim për demokracinë, një mashtrim për shtetin ligjor, një mashtrim për mirëqenien etj. etj., dhe fatkeqësisht mashtrime edhe për çështjet kombëtare. Ne e dimë fort mirë se qeveritarët e politikanët grekë, të çdo ngjyre, prej më se një shekull, por veçanërisht gjatë këtyre njëzet e shtatë viteve, kur ne na ka munguar “Zoti i Konakut”, nuk kanë hequr dorë nga ëndrra e “Vorioepirit”. Është pikërisht ky objektiv strategjik, që i bën ata të mbajnë në këmbë “Ligjin e luftës”, dhe pretendimet e tjera, që lidhen me kufirin detar e tokësor, minoritetin, librat e shkollës e të historisë dhe sidomos varrezat e ushtarëve që kanë rënë “Për Eladhën”! Në funksion të realizimit të këtij objektivi, ata kanë ecur përpara duke minuar trojet tona me “bomba” e “mina” helene. Më kryesoret kanë qenë: Akaparimi, me lejen e Berishës, i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, duke vendosur në krye të saj, “Fortlumturinë” e tij Janullatosin dhe marrëveshja për varrezat e ushtarëve grekë në vendin tonë, marrëveshje që u nënshkrua nga Nano në vitin 2004, u përurua nga Berisha në vitin 2009 dhe u zgjerua e u sofistikua nga kryeministri aktual, Rama, qysh në nisje të negociatave aktuale, për të cilat pretendohet se nuk kanë përfunduar! Për të mos lënë mënjanë Kishën e madhe greke, e cila u ngrit në oborrin e Ministrisë sonë të Mbrojtjes, duke e degdisur këtë të fundit në fund të “Rrugës së Dibrës”! Në hapësirën e këtyre “kolonave” ka plot “anekse” të tjera, që populli mund të mos i marrë vesh asnjëherë, sepse politikano-pushtetarët tanë, pavarësisht nga ngjyra, kanë të njëjtin “zemrek”, i cili kurdise,t jo nga interesi kombëtar, por nga interesi i të huajve dhe i xhepave personalë. Këto “bomba” e “mina” helene, greku i vendosi e po i vendos në trojet tona, jo me falanga ushtarake, por me ndihmën e matrapazëve tanë me kombësi e shtetësi shqiptare. Dhe matrapazët më të mëdhenj na dalin në radhët e politikanëve e pushtetarëve, të cilët për hir të marrjes e mbajtjes së pushtetit, janë gati të shesin edhe trojet e prindërve të tyre. Në këta tri dekada të fundit, politikanët dhe pushtetarët tanë, të të gjitha ngjyrave të “Ylberit borgjez” kanë dhënë prova se, për hir të pushtetit, janë gati të vënë në ankand gjithçka, të vënë në ankand jo vetëm Shqipërinë politike, jo vetëm Shqipërinë ekonomike, por edhe Shqipërinë fizike, njësoj si dikur Esat Pashë Toptani, që ishte gati të shiste dy të tretat e vendit, mjaft që të mbetej princ, pasha e mbret në tokat midis Matit e Shkumbinit. Siç mund të konstatohet lehtë, marrëveshja e pritshme e Kryeministrit Rama është “tëpkë” me atë të ish-kryeministrit Berisha në vitin 2009. Të dyja kishin të njëjtin objekt: Sigurimin e negociatave për pranimin në BE. Si qeveria e Berishës, dhe kjo e Ramës, të vetmet suksese që mund t’i shesin elektoratit janë “Hyrja në NATO”, “Heqja e vizave”, “Hapja e negociatave për pranim në BE” dhe në perspektivë “Pranimi në BE”. Matrapazët tanë kanë doemos edhe sivëllezërit e tyre në Republikën e Kosovës, të cilët, për hir të “Heqjes së vizave”, të vetmin sukses të tyre në këta dhjetë vite “pavarësi”, mbyllin sytë dhe nuk i shohin lakadredhat e vijës së kufirit me Malin e Zi, i cili me “demarkacionin” e famshëm i rrëmben Kosovës dhjetra mijë metra katërore të trojeve të saj etnike. Marrëveshja e përfunduar apo e pritshme, midis Shqipërisë dhe Greqisë, siç kemi marrë vesh nga prononcime gjysmake apo murmurima politikanësh, ka objekt disa çështje. Madje çështje e probleme të pazgjidhura prej 70 e kusur vitesh. Nga të gjitha këto çështje, si ligji i luftës, kufiri detar, minoriteti, librat shkollor e historik etj., varrezat e ushtarëve grekë në trojet tona, mendoj se janë më të rrezikshme për të ardhmen tonë të afërt apo të largët. As ligji i luftës, as marrëveshja për detin, as çështjet e minoritetit, nuk e kanë peshën dhe rrezikun që paraqesin prania e varrezave të huaja në vendin tonë. Aq më tepër varreza të ushtarëve grekë, që fqinji i shoqëron me Kisha greke dhe mbishkrimin “Rënë për Eladhën”! Këto varreza, që aktualisht ngrihen në Këlcyrë dhe në Bularat, janë kaq të ngjashme me “Kalin e Trojës” të tremijë e ca viteve më parë, sa vetëm ndonjë “Priam” tjetër budalla nuk mund ta shohë. Po, a kemi sot budallenj si Priami ynë i mijëra viteve më parë? Fatkeqësisht po! Në mes nesh ka plot mexo-intelektualë, të cilët të indoktrinuar nga slogani paneuropian për një “Europë pa kufij”, varrezat greke u duken, jo vetëm të parrezikshme, por madje edhe të leverdisshme, sepse me “historinë” e tyre do të na shtojnë edhe numrin e turistëve nga bota ! Sloganin “Një Evropë pa kufij”, mexo-intelektualët tanë e kanë kuptuar më mirë edhe se grekët, të cilët, megjithëse kanë mbi tri dekada në radhët e Komunietit Evropian, avancon përpara duke zgjeruar “kufirin” e ardhshëm me pllakata, kisha e varre! Por më të rrezikshmit për fatet e vendit tonë, janë të djallëzuarit dhe hipokritët. Po ndërkombëtarët, më saktë përfaqësuesit e BE që na trajnojnë për t’u integruar në komunitetin e tyre, çfarë na thonë për këto çështje, që lidhen me të ardhmen tonë? Përgjigja e Kreut të Komisionit Evropian, zotit Juncker, ndaj kërkesës këmbëngulëse të Kryeministrit tonë për hapjen e negociatave me BE, është pa ekuivok: “Rregulloni mosmarrëveshjet me fqinjët, pastaj shohim e bëjmë”, – tha Juncker dhe mbylli çdo shteg për pyetje të tjera. Çka do të thotë, se nuk ka negociata për në Europë, pa sheshuar mosmarrëveshjet me shtetin grek. Por përfaqësuesi i lartë Evropian nuk thotë se si do veprohet, nëse grekët nuk duan të merren vesh pa zhvatur ato që lakmojnë. Nëse greku kërkon të plotësojë orekset e kufomës “Vorioepir”, a do të përjashtohet nga BE, duke e sjellë në të njëjtin standard me vendin tonë? Këtë nuk e thotë Kreu i Komisionit Europian. Dhe këtu drejtësia dhe demokracia e Institucionit që ai përfaqëson, kthehet në fasadë. Është pikërisht ky qëndrim i përfaqësuesve të BE-së, që i detyron politkanët dhe pushtetarët tanë, të bëhen sejmenë të bindur të tyre. Ndryshe mund të mungojë mbështetja në marrjen apo mbajtjen e pushtetit, kësaj “sofre” apo “tepsie” me bakllava të pasosur. Por, ashtu siç shkruan me të drejtë Muharrem Xhafa, tek “Telegrafi” i datës 27 shkurt 2018, Çështja Kombëtare prevalon mbi integrimin europian. Nëse çështja që diskutohet do të vlerësohet kështu, atëhere do të kemi më pak matrapazë, më pak hipokritë e sejmenë, më pak mexo-intelektualë budallenj si “Priami” i dikurshëm, dhe më shumë qytetarë të denjë në mbrojtjë të identitetit dhe integritetit të Atdheut tonë me emrin Shqipëri.
Sigal