Anila Toto: Jehona e një artisti

894
Disa vjet më parë u kthye në qytet një djalë i ri, i cili kishte vite që jetonte dhe punonte jashtë shtetit. Në një mbledhje artistësh në klubin “Petro Marko”, ai dëgjonte në heshtje propozimet dhe idetë që hidheshin në diskutim dhe nuk fliste. Por u duk qartë se sillte ide dhe frymë të re në jetën artistike të qytetit tonë. Natyrisht kjo bie në sy në një qytet si Vlora, sepse atëherë ishin të rrallë zërat ndryshe nga e përgjithshmja. Ky ishte takimi im i parë me Aulon Naçin, i cili vetëm për pak kohë më pas do të shpaloste një nivel panjohur më parë në qytetin e Vlorës, pra një “tronditje” nga realiteti i përditshëm. Kishte vite që në këtë qytet kishin humbur surprizat, arritjet, kompozimet, koncertet e niveleve bashkëkohore. Vendosja e Aulon Naçit në pozicionin e konsulentit të artit pranë bashkisë i dha qytetit një tjetër stad artistik. Aulon Naçi ka lindur në Vlorë dhe studiuar në shkollën artistike “’Naim Frashëri”, Vlorë dhe më pas shkon për studime në Itali në Konservatorin e Muzikës “J. Tomadini” në Udine, ku u diplomua në master, vlerësuar me maksimumin e pikëve dhe titull nderi. Sigurisht me një begraund të tillë s’ka se si të mos presim diçka më shumë, si edhe një frymë të re evropiane me nivel të lartë artistik. Auloni filloi veprimtaritë e para në qytet dhe pati reagime sigurisht. Por Auloni, përveçse një krijues i nivelit të lartë, ishte edhe një organizator shumë i mirë në veprimtaritë kulturore në qytet. Kështu nisi bashkëpunimi me konsullatën italiane në binjakëzimin e kulturave, por edhe në formimin e një niveli spektatorësh elitar, gjë që mungonte prej kohësh. Ajo që vëmë re është se çdo shfaqje është falas dhe prezanton një tematikë ndryshe, moderne, të mirëpritur nga publiku. Më në fund qyteti ynë mund të shijojë edhe nivele evropiane të artit. Kush nga ne nuk u magjeps nga Orkestra e Harpave në Vlorë. Më pas do të pasojnë koncerte, si ai me kolonat zanore më të bukura të filmave shqiptarë dhe të huaj nën drejtimin artistik të Aulon Naçit, me Orkestrën Filarmonike, vazhdojmë me një “Duo Instrumentale” me vëllezërit italianë nga Udine, nga Kinemaja Verore dhe koncert rock e klasik “Kuartet Harqesh”, nga Festivali i Muzikës “Jazz in Albania”, me “Katër Stinët” e Vivaldit, koncerte në konsullatën italiane, ku nën kujdesin e tij u krijua një bashkëpunim në vazhdim.

Tashmë në qytetin tonë bregdetar është krijuar një konceptim i ri i organizimit të artit, duke krijuar një programim midis koncerteve verore në teatrin “Petro Marko”, qendrën e BE, bashkëpunimin me shkollat për evidentimin e talenteve të reja, për koncerte me tenderë pikturash live e për kaq e kaq shumë veprimtari të niveleve evropiane. Auloni, i vetëm mes realitetit… krijoi një sfidë dhe një frymë dhe vizion të ri për qytetin dhe vendin tonë. Duke e vëzhguar atë, aq i thjeshtë kur mëson fëmijët e vegjël në piano, kur këndon me aq pasion të bën të kuptosh se është era e re në ngritjen e kërkesave të artit në qytet, në zgjimin e artistëve që kishin rënë në pasivitet kreativ, si edhe në kthimin e besimit se po ta duash vendin tënd, po të lësh mënjanë kompleksin moral artistik të ngujuar në mendimin e sedrën vlonjate të cenuar … ti mundesh të bësh mrekulli! 
Sigal