Në stadium, për qepë e kripë!

428
Sigal

Nga Hyskë Borobojka

Më kishte marrë malli për stadiumin, ku luhet topi i këmbës, prandaj mora rrugën drejt tij e zura vend afër tribunës VIP. Njerëzit në shkallët e tij dukeshin si një pyll tek tuk i prerë, sa mund t’i numëroje me gishtat e njërës dorë. Mbaja mend kur stadiumi mbushej plot e për plot, aq sa një komentator i dëgjuar, gjatë transmetimit të ndeshjes thoshte “Nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës!” Lojtarët e dy ekipeve dolën në qilimin e blertë. Disa veshur me të bardha e të tjerët të larushitur. Gjyqtari i fryu bilbilit dhe lojtarët u turrën me vrull drejt topit, i cili hidhej e kërcente nga koka e njërit te këmba e tjetrit. Një goxha burrë i gjatë dhe i trashë, tifoz i thekur, që kishte zënë vend pranë meje, thirri sa mundi:

– Bjeri t’u thaftë këmba, se ta mori maskarai! Një tjetër, s’e mbante vendi e dridhej si purtekë në ujë. Sytë i lëshonin xixa dhe flokët i qenë ngritur përpjetë, si gjembat e iriqit. Kur pa se njëri nga të bardhët, ngriti këmbën e goditi topin, e ngriti dhe ai e ma veshi mua sa më la pa frymë. Kur mori vesh se isha njeri e jo top këmbe, më kërkoi “Pardon!”, por shkelmin e tij s’e kam harruar e më djeg dhe sot e kësaj dite. Duke rënkuar e çaluar, vendosa të ndërroja vend, Por, ç’e do! Rashë nga shiu në breshër. Tani vendin e shkelmave e zunë hedhja e fishekzjarrëve tymuese, shishet, gurët, madje një tifoz i thekur, me që nuk iu ndodh ndonjë gur a send tjetër i fortë në xhep, qëlloi me çakmak, që më vërshëlleu afër veshit të majtë. Një tjetër shkuli një nga fronat e ndenjëses dhe e flakëriu në qilimin e blertë. Filluan përleshjet, jo vetëm në fushën e lojës, por më shumë në shkallët e stadiumit, të shoqëruara me të shara e ofendime. Në këto e sipër njëra nga skuadrat përshëndeti rrjetën e portës. Tifozët e skuadrës tjetër m’u lëshuan mua:

– Po ky këmbëtersi nga e solli kokën?! – më shtyu njëri prej tyre dhe me bërryl si turjele më shpoi në ijën e majtë me aq forcë sa m’u desh një copë herë të mblidhja veten.

– Largojeni sa më parë këmbëtersin se na mori më qafë!- ulëriu tjetri.

– Po ç’faj kam unë, që erdha të shoh ndeshje futbolli e jo grindje e përleshje?!- u thashë.

-Pa qepe atë gojë të qelbur, ti surrat! Ku merr vesh zotëria jote nga futbolli. Nga vjen, nga mali apo nga pylli!? Më shfryu njëri nga tifozët, që ishte ngritur në këmbë, gati për t’u hedhur nga shkallët e stadiumit në qilimin e blertë të lojës. Tjetri e bëri gati grushtin të ma veshte, por për fatin tim, njëri që ishte pranë tij ia zuri, se do m’i thyente turinjtë. Tifozeritë e të dy ekipeve ishin ngritur në këmbe, gati për t’u përleshur njëra me tjetrën. Në fushë përplasen lojtarët, ndërsa tifozët thërrisnin sa u hante zëri:

-Bjeri t’u thaftë këmba! Merrja shpitin maskarait! Bëje të kafshojë dhe! Njëri nga të bardhët goditet me kundërshtarin dhe shtrihet sa gjatë gjerë

-Të kuqen, të kuqen, maskarait! – thërrisnin tifozët e revoltuar. Ndërsa “kori” i kundërshtarëve i thërret gjyqtarit:

-Motrën, motrën!

– E keni gabim, ai s’ka motër!- ndërhyn një ekspert sporti

-Nënën, nënën,! – vazhdon thirrja.

-Nëna e tij ka ndërruar jetë dhe e ka lënë jetim. Ka vetëm një vëlla! -vazhdon sqarimin eksperti.

-Vëllanë, vëllanë! – vazhdon kori i tifozëve. Në këtë moment, kur gjakrat ishin ndezur në shkallët e stadiumit se si e gjeti derën hapur apo ndonjë vrimë dhe hyri në qilimin e blertë një balo i madh nga ata që bredhin rrugëve e shesheve pa zap pa stap. Baloja vazhdoi i qetë rrugën drejt gjyqtarit, sikur donte t’i thoshte: “Gjyko drejt, mos mbaj anësi, në do që të mos hash ndonjë dhëmb, që të bësh dy gjilpëra kundër tetanosit e një kundër tërbimit!” Ndërsa një skuadër policësh po mundohej të nxirrte balon jashtë, dy të tjerë ndiqnin një të lajthitur, që vinte vërdallë shkallëve të stadiumit, duke kënduar:

Moj Sarandë, moj Delvinë,

Kush ta prishi bukurinë?

Fatos Nano me Salinë!”.

Ndërsa lufta “sportive” vazhdonte, bjeri t’i biem. Duke parë atë ndeshje, që shkova në stadium me një barrë qejf e dëshirë, por në vend të shihja bukurinë e topit të këmbës pashë ndeshje gladiatorësh. E m‘u vranë veshët nga sharjet dhe ofezat, që s’kishin të mbaruar nga fillimi i ndeshjes deri në fund.

-Nga vajti ai këmbëtersi!- thërrisnin tifozët. Për fatin e mirë më kishin marrë në mbrojtje dy policë, që më shoqëruan deri te dera e shtëpisë. Me shpirt ndër dhëmbë nga shkelmi që mora në shkallët e stadiumit, arrita në shtëpi.

-Ç’ke kështu burrëziu?- më pyeti ime shoqe, kur pa se e hiqja këmbën e djathtë zvarrë.

-Bëj gati qepën dhe kripën, e nderura grua, se e kam pësuar keq në stadiumin e topit të këmbës! – i thashë dhe i tregova ç’kisha parë e dëgjuar në këtë ndeshje futbolli.