Në pallatin në qendër të Durrësit pas tërmetit konstatohen dy qëndrime të kundërta

644
Kur ishte mbushur një javë nga tërmeti i 26 nëntorit, pallatin nr. 67, në lagjen nr. 3, rruga “Ramazan Jella” e inspektoi një grup ekspertësh francezë, të shoqëruar nga punonjës të bashkisë Durrës. Pasi kontrolluan strukturën e pallatit dhe një ambient zyre në kat të parë dhe një apartament në kat të dytë arritën në përfundimin që pallati ishte i banueshëm, megjithëse apartamentet nga kati i dytë deri në kat të shtatë kanë dëmtime të shumta në muraturë. Në hyrje të pallatit u ngjit tabela jeshile, sipas të cilës, me vendim të Institutit Teknik të Ndërtimit dhe me stemën e bashkisë, ky pallat ishte i banueshëm.
Sigal

Ditën e sotme, dy javë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, pallati u inspektua nga një ekip italian dhe inxhinierë shqiptarë, të cilët i shoqëronte kryetari i njësisë administrative nr. 1, Roland Çobani. Pasi inspektuan të gjitha apartamentet e dëmtuara, në hyrje të pallatit u hoq tabela që çertifikonte që është i banueshëm dhe u vendos tabela ngjyrë portokalli, që thotë është i pabanueshëm, deri në riparimin e dëmeve. Tabela është çertifikuar sërish nga Instituti Teknik i Ndërtimit dhe mban stemën e bashkisë Durrës.

Dy akt konstatime tërësisht të ndryshme brenda një jave, ndërkohë që pjesa më e madhe e banorëve kanë mëse një javë që jetojnë në pallat, pasi u siguruan se struktura ishte e qëndrueshme.

Njëri prej ekspertëve italianë tha para banorëve se nuk duhet të qëndrojnë në banesë, edhe ata të kateve të sipërm që nuk janë dëmtuar, pasi në një lëkundje tjetër të fortë mund të shkëputen copa suvaje apo muresh që mund t’i lëndojnë apo plagosin.

Shpjegimi i vetëm që kreu i njësisë administrative Roland Çobani u tha banorëve ishte që pasdite të paraqiten pranë komunës dhe të pajisen me letrën që apartamenti i tyre është i pabanueshëm, të cilën më pas duhet ta paraqesin në bashki.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është: Kush mban përgjegjësi për jetën e rreth 100 familjeve që prej mëse një jave ishin kthyer në banesat e tyre?

Nëse gjatë kësaj periudhe do të kishte ndodhur një tjetër lëkundje e fuqishme dhe muret do të ishin shembur, drejt kujt duhet ta drejtonim gishtin?/DurrësLajm