Ndryshimet në polici, ja emrat që synojnë drejtorin e Policisë së Tiranës…

894
Sigal

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka nisur proçesin e ndryshimit të drejtuesve të Policisë së Shtetit. Pritet që brenda pak kohësh të gjithë drejtorët e policisë në qarqe dhe shefat e komisariateve kryesore në vend të ndryshohen.

Pas emërimit në krye të SHÇBA-së të Muhamet Rrumbullakut, një oficer karriere në rradhët e Policisë së Shtetit, ndryshimet e drejtorëve në qarqe nisën nga Vlora dhe Fieri.

Urdhërat e ndryshimeve janë firmosur ditët e fundit, ndërsa një gjë e tillë ka ndodhur edhe me Tiranën.

Drejtues i Parë Kastriot Skënderaj pritet të lërë detyrën, ndërsa do të emërohet në një tjetër funksion të rëndësishëm.

Mësohet se Skënderaj, me një mbështetje të fortë, pritet të emërohet në një tjetër funksion të rëndësishëm, që mund të jetë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Skënderaj prej muajit shkurt të 2018, me firmë të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është emëruar në krye të policisë së Tiranës, ndërsa më parë ka mbajtur funksione të rëndësishme, përfshi këtu edhe gjatë kohës së qeverisjes së PD-së.

Ndërkohë që ka nisur edhe qarkullimi i emrave që mund të zëvendësojnë kryepolicin aktual të Tiranës.

Një prej emrave është ai i Ferdinand Mara, aktualisht drejtor i Policisë së Lezhës, emëruar në këtë detyrë në të njëjtën kohë me Skënderajn në Tiranë. Mara mund të transferohet nga Lezha drejt Tiranës, ashtu sikundër ndodhi në rastin e drejtorit të Policisë së Beratit që u emërua në krye të asaj të Vlorës.

Një tjetër kandidaturë është ajo e Edmond Rizaj, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, larguar në kohën kur ministria e Brendshme drejtohej nga Sajmir Tahiri.

Pas emërimit të Rrumbullakut në krye të SHCBA-së dhe Tonin Vocaj si drejtor i Policisë Kriminale, dy nga emrat që u përfolën se do të riktheheshin në rradhët e policisë ishin ato të Ilia Nasit dhe Edmond Rizaj, të dy drejtorë policie gjatë qeverisjes së PD-së, por me një karrierë pothuajse 30 vjeçare në rradhët e Policisë së Shtetit. Të dy si Nasi dhe Rizaj konsiderohen si kandidatë për drejtimin e policisë në dy qarqet kryesore, Tiranë dhe Durrës.

Një tjetër kandidaturë është ajo e Bledar Çelikut, ish-drejtues i Policisë në Qarqet e Shkodrës dhe Lezhës, më pas i komanduar si këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe tani drejtues i njësisë special Task Force.  Nëse ndodh ky emërim, nuk përjashtohet mundësia që Skënderaj të marrë funksionin e drejtuesit të Task Force.