Ndarja nga jeta e Moikom Zeqos, Presidenti Meta: Ishte një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë

307
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, Moikom Zeqo. Meta shkruan në Facebook se është i tronditur nga ikja e Zeqos, e shton se ai ishte një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

Kreu i shtetit shprehet se ai ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof.

POSTIMI:

Thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.

Ngushëllimet më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje.

Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara!